Përvjetori i 10-të i pavarësisë së Kosovës është shoqëruar me një urim të përzemërt të Presidentit Ilir Meta për homologun e tij Hashim Thaçi.


Në këtë mesazh të veçantë, Meta nuk e fsheh krenarinë për arritjet e Kosovës në këto 10 vite shtet i lirë dhe sovran.


Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, urimet më të ngrohta e vëllazërore. Në këtë dekadë të parë si shtet i pavarur dhe sovran, ndajmë me ju krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në të gjithë elementët shtetndërtues dhe të përfaqësimit të saj dinjitoz në botë, shprehet Meta.


Kreu i Shtetit thekson se është gjithashtu i entuziazmuar që marrëdhëniet tona vëllazërore dhe ndërshtetërore janë në nivelet më të larta të bashkëpunimit, dhe janë konsoliduar në shtratin e integrimeve europiane dhe euro-atlantike, përkrah partnerëve tanë strategjikë.


Presidenti Meta me bindje të thellë thotë se vetëdija, pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë shtetërore që karakterizon institucionet dhe popullin e Kosovës do të mundësojnë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar.


Ju siguroj se, unë si President i Republikës, por edhe të gjitha institucionet e Shqipërisë do të jemi gjithmonë mbështetës e përkrah në ndërmarrjet tuaja të guximshme që fuqizojnë institucionet, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, që konsolidojnë harmoninë e bashkëjetesës gjithëpërfshirëse dhe që thellojnë bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës me miqtë dhe organizatat shumëpalëshe. Së bashku me urimet më të mira e vëllazërore, për konsolidimin, zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Kosovës, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë, nënvizon Meta.


17 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)