Një punonjës social i cili është dënuar me 20 vjet heqje lirie në Shqipëri pritet që të lirohet pasi të dy akuzuesit e tij pranojnë se u detyruan që të gënjenin në gjyq.
David Brown, nga Edinburgu, deri tani ka kryer 11 vite burgim sepse u dënua nga dëshmia e dy fëmijëve, të cilët qëndronin në jetimoren, e cila drejtohej nga skocezi dhe kishte për qëllim të kujdesej për fëmijët me probleme.
Por dy dëshmitarët, të cilët janë të moshës 18 dhe 22 vjeçare kanë vendosur që të thonë të vërtetën.
Sipas tyre, policia dhe psikologët u bënë presion që ata të bënin akuza false.
Në një deklaratë të bërë për gazetën Sunday Mail, djemtë deklarojnë se janë gati që të pranojnë se kanë gënjyer në gjyq. Kjo do të sjellë lirimin e Brown-it.
Në total, 10 djem dëshmuan kundër Brown-it, Dino Christodoulou-t, 52 vjeç pedofil i dënuar tashmë me 20 vjet dhe Robin Arnold, 63 vjeç i dënuar me 15 vjet heqje lirie.
Tani Brown mendon se makthi i tij në Tiranë do të marrë fund.
Ai thotë se do të vazhdojë që të punojë në Tiranë kur të dalë.
Njëri prej dëshmitarëve, Andon Qoshlli tani 22 vjeç tha se është gati që të tërheqë provat që ai ka dhënë në gjykatë kur ishte 13-vjeç.
“Psikologu dhe oficeri i policisë më shtynë të them se David ka abuzuar me mua. Ai nuk e bëri dhe më vjen keq që ai është në burg. Unë dua ta shoh atë jashtë burgut dhe të përqafoj. David na mori nga rruga dhe na dërgoi në shkollë”, tha Qoshlli.
Dëshmitari i dytë Denis Aliu thotë se ai ishte tmerruar kur ishte vetëm 6 vjeç, kur u keqtrajtua nga policia për të thënë se Brown kishte abuzuar me të.
“David nuk duhet të jetë në burg. Isha shumë i vogël në atë kohë dhe i thashë gjykatës atë çfarë më udhëzoi psikologu, tha Denisi, i cili sot është 18 vjeç.
Brown udhëtoi në Shqipëri në vitin 2000, pasi u përfshi në misione bamirësie.
Ai ka ndihmuar fëmijët romë që lypin në rrugë dhe i ka mbështetur ato me ushqim dhe të holla.
Skocezi e pranon se u tregua naiv në përzgjedhjen e vullnetarëve në shtëpinë që kujdesej për fëmijët.
Por ai duhet të rrijë pas hekurave edhe për një vit, përpara se kërkesa e tij të rishqyrtohet.