Xhudistët e klubit Ippon nga Peja janë kthyer në Kosovë me 12 medalje të fituara nga turneu i Herceg Novit të Malit të Zi, njëri ndër më të fortët në rajon.



Në këtë turne tradicional, që mbahet që 40 vjet rresht, morën pjesë 1500 garues nga 8 shtete, ndërsa Ippon u përfaqësua nga 18 garues, që arritën t’i rrëmbenin 12 medalje: 3 të arta, 6 të argjendta dhe 3 të bronzta.



Sipas trajnerit të Ippon, Driton Kuka, garat ishin shumë masive dhe të forta, sidomos për të rinjtë – për pionierë dhe kadetë, kurse për seniorë konkurrenca nuk ishte dhe aq e fortë. Kuka u ankua në gjyqtarët malazezë, sipas të cilit ishin skandalozë, gjë që bëri që kosovarët të mos i fitonin së paku katër medalje të arta.



Medalje të arta fituan: Distria Krasniqi (48 kg kadet), Leutrime Krasniqi (52 kg kadet) dhe Dukagjin Gashi (66 kg senior); të argjendta: Besiana Kelmendi (25 kg pioniere), Fisnik Muriqi (28 kg pionier), Shpat Zekaj (50 kg pionier), Milot Vukli (60 kg kadet), Epirot Krasniqi (60 kg senior), Zymer Zekaj (73 kg senior); të bronzta Bleona Kelmendi (20 kg pioniere), Korab Morina (60 kg senior) dhe Fatos Tabaku (73 kg senior).