Olimpiada e Londrës mund t’i thyejë të gjitha rekordet e shtrirjes së audiencës. Përparimi i hatashëm i teknologjisë në katër vitet e fundit, jep shenja se Olimpiada 2012 do të jetë evenimenti më i shikuar në krahasim me atë të katër viteve më parë në Pekin. Shtimi i numrit të shikuesve në botë, shumëfishimi i përdorimit të rrjeteve sociale Facebook e Twitter, janë disa nga faktorët bindës për një shikueshmëri rekorde të ‘Londra 2012’.

Olimpiada e Londrës pritet të jetë pak a shumë njëjtë si paraardhësja e saj, ‘Pekini 2008’ me disa rezultate. Mirëpo, është një aspekt që Olimpiada londineze do të jetë krejt ndryshe nga të tjerat dhe ky është avancimi i teknologjisë, posaçërisht në mediat sociale.

Nëse Olimpiada e Pekinit dhe ajo e Londrës krahasohen në termat e teknologjisë, atëherë ‘Londra 2012’ është në rrugë të mirë të ketë avantazhe më të mëdha se kurrë. Në këto katër vjet, teknologjia duket se ka bërë një rrugë prej 400 vjetësh. Të fillojmë me gjërat e dukshme dhe faktet.

Atëherë ishin 4.7 miliardë shikues potencialë dhe tash janë 4.9 miliardë në tërë botën. Në Olimpiadën e Pekinit, orët totale të mbulimit të ngjarjes ishin 2500, kurse në atë të Londrës janë plot 5530, më shumë se dyfishi.

Më 2008, rrjeti social Twitter kishte më pak se një milion përdorues, kurse tash ky rrjet është bërë gjigant, me më shumë se 140 milionë llogari, aktiv 24 orë. Më 2008, postimet gjatë ditës ishin pak më shumë se një milion, kurse tash njerëzit gjatë ditës në mbarë botën bëjnë mbi 300 milionë postime.

Ky është vetëm Twitteri. Faktet e rrjetit tjetër social, Facebook janë edhe më interesante. Më 2008, Facebooku kishte 90 milionë përdorues, kurse tash ka 901 milionë llogari. Dhe, këta 901 milionë njerëz e përdorin Facebook në mënyrë aktive.

Një këndvështrim tjetër social është shikimi i videoxhirimeve. Më 2008, rreth 13 miliardë video ishin shikuar në muaj, kurse tash, në periudhë të njëjtë shikohen 43 miliardë video online.

Në anën teknike, 18.9 milionë njerëz kishin telefona mobilë më 2008, kurse tash kanë 106,7 milionë përdorues të tij. Këto fakte na bëjnë të mendojmë se ‘Londra 2012’ do ta ketë mundësinë e artë që ta arrijë audiencën e përgjithshme më të madhe ndonjëherë.