Libri që mbërriti për herë të parë pas pesë shekujsh në Shqipëri, “Meshari” i Gjon Buzukut nis udhëtimin drejt Vatikanit.

Qysh prej datës 11 nëntor e deri më 5 dhjetor (dita e fundit e ekspozimit) kanë ardhur për ta parë rreth 25 mijë vizitorë nga Shqipëria dhe diaspora. Kulmin e vizitorëve ky dokument themeltar, i cili qëndron në fillesat e shkrimit të gjuhës shqipe, e ka pasur pikërisht më 28-29 nëntor, ku brenda një dite janë numëruar 5 mijë vizitorë.

Në fakt, për shkak të vizitorëve të shumtë u shty dhe afati i fundit i ekspozimit të “Mesharit” deri më 5 dhjetor, ndërkohë që sipas marrëveshjes ishte caktuar data 30 nëntor. Ekzemplari unik i “Mesharit” të Gjon Buzukut, vepra më e lashtë në gjuhën shqipe, u soll për herë të parë në Shqipëri nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit për t’u ekspozuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Meshari u zbulua për herë të parë në Vatikan nga Gjon Nikollë Kazazi, në vitin 1740. Deri më atëherë nuk dihej asgjë rreth tij. Por edhe pas këtij zbulimi, për afro dy shekuj libri i rrallë sikur humbi në harresë deri në vitin 1909, kur u rigjet nga Pal Skiroi. Ndërsa në vitin 1929, At Justin Rrota nga Shkodra, e fotografoi për herë të parë në tri kopje dhe i shpërndau. Më 1968-ën “Mesharit” iu bë një ribotim shkencor në Tiranë me faksimile dhe transkribim, pajisur me një studim të gjerë nga profesor Eqrem Çabej, ndërsa ekzemplari unik i tij ruhej në arkivat e Vatikanit. Meshari i Gjon Buzukut që njihet si libri i parë shqip, mendohet se është shkruar në vitin 1554 dhe është botuar një vit më vonë.

Ai ka 188 faqe dhe i mungojnë 16 faqet e para, përfshi kopertinën dhe disa faqe në mes. Duke mos pasur kopertinën dhe faqet e para, nuk dihet titulli i vërtetë dhe as vendi i botimit. Emri i autorit dhe koha gjenden në pasthënien e librit, ku shkruhet se puna ka nisur më 20 mars të vitit 1554 dhe ka përfunduar më 5 janar të 1555-ës.

Kryesisht ka pjesë liturgjike, nga Dhiata e Vjetër dhe e Re. Në Bibliotekën Kombëtare ai u ekspozua së bashku me një kopje të fotografuar të tij të vitit 1929 nga At Justin Rrota, ndërsa në sallë përkrah tij u ekspozuan libra të tjerë të rrallë të autorëve të vjetër të shqipes, si Pjetër Bogdani, Jul Variboba, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Lekë Matrënga etj. Gjatë ditëve të ekspozimit ai është ruajtur nën masa të rrepta sigurie. Ka mbërritur gjithashtu edhe korrieri nga Biblioteka e Vatikanit, i cili do të bëjë transportin e “Mesharit” nga Shqipëria në Itali po me linjën “AlItalia”. Ka qenë e dërguara e Vatikanit që ka çmontuar vitrinën prej xhami në të cilën ishte ekspozuar libri, për ta rivendosur sërish në valixhen prej hekuri, me të cilën do të bëhet dhe transporti. Shoqërimi do të bëhet me eskortë policie.

Një nga pikat kryesore të marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës dhe Bibliotekës së Vatikanit ishte plotësimi i kushteve të sigurisë nga pala shqiptare. Për këtë arsye MTKRS-ja nënshkroi një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme, e cila vuri në dispozicion forcat e saj për të siguruar “Mesharin” në ditët e qëndrimit në Shqipëri. Për 25 ditë “Meshari” i Buzukut ka qenë i vëzhguar nga disa kamera të vendosura posaçërisht me këtë rast dhe është ruajtur 24 orë nga forca të policisë së shtetit. Ndërkohë që patrulla policie kanë patrulluar çdo mbrëmje rreth zonës së Bibliotekës Kombëtare, ku ishte ekspozuar libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe. Këshilli i Ministrave akordoi dhe një fond shtesë prej 10 milionë lekësh për të sjellë “Mesharin” për herë të parë në Shqipëri.