15 Marsi i vitit 2008 na tregoi se çfarë është në gjendje të bëjë një qeveri e zhytur në korrupsion dhe krim. Ajo datë na komunikoi haptazi diferencën mes demokracisë dhe diktaturës, na e tregoi këtë fakt në mënyrën me makabre, duke mbytur miliona shqiptarë në gjakun e pafajshëm të 26 banorëve të këtij vendi, duke e afishuar në çdo mur, në çdo derë, dritare, fushë, lumë, liqen, fshat, qytet, rajon të këtij vendi që ne nuk kemi të drejtë të jetojmë, por vetëm të mbijetojmë. Qeveritë dhe sistemet e tyre korruptive më 15 mars të 2008-ës, me arrogancën me absolute vështruan veprën e tyre më të llahtarshme. Në atë çast kur fëmijë, gra, pleq, plaka, burra masakroheshin nga predhat, po ato predha ktheheshin në kapital për qeveritarët. Nga shkatërrimi i shtëpive në fshatin e varfër të Gërdecit, qeveritarët ndërtuan fshatrat e tyre turistikë buzë detit; nga pluhuri i predhave në një anë, ndërtoheshin numra të majmë në llogari bankare në anën tjetër.



Më 15 mars u vranë 26 shqiptarë që ëndërronin të ndërtonin një jetë në këtë vend, ku kishin zgjedhur që me paratë e pakta të ndërtonin shtëpi, të ndërtonin familje. U vranë gra që prisnin burrat të ktheheshin nga punët e keqpaguara e të pasiguruara; u vranë fëmijë që nesër mund të ishin mësuesit, inxhinierët apo doktorët e ardhshëm; u vranë burra që flinin në ëndrrën që në këtë fshat në rrëzë të kryeqytetit jeta do t‘i ndihte më shumë; u vranë pleq që kishin ndërtuar jetën me thonj, në këtë komb i cili nuk po bën dot një shtet.



Por predhat fluturuan dhe te ne, te të gjithë shqiptarët, tek ata që punojnë në ministri dhe tek ata që punojnë nëpër fabrikat e këpucëve si skllevër. Predhat i gjymtuan dhe ata që ishin me pushime jashtë, por dhe ata që duke punuar në punët më të rëndomta në vendet fqinje, mendonin që do të ktheheshin për të ndërtuar vendin e tyre. Akoma i ndjejmë në trup ato cifla artilerie që na hodhën më datë 15 mars.



Qeveritarët janë të sigurt që ne kemi harruar, që s‘jemi aq të çmendur sa t‘u dalim kundra, që do shohim punën tonë, duke menduar "shyqyr që nuk isha aty". Ata janë të sigurt që ne jemi një kope që nuk e dimë se çfarë është "liria", "drejtësia" dhe "demokracia". Ata mendojnë që frika nuk do na lejojë të luftojmë për drejtësi, që do stepemi në shtëpitë tona të ftohta, duke na ofruar debate shterpë televizive. Janë tashmë të sigurt që Gërdeci do harrohet siç u harruan të përndjekurit politikë, siç u harruan dëshmorët e 2 prillit. Do harrojmë, mendojnë ata, siç bëmë me ‘97-ën. Janë të sigurt që ne harrojmë…



Ne të "Frontit Qytetar 15 mars" ju deklarojmë haptazi dhe pa frikë madje, duke ju premtuar nga thellësia e ndërgjegjes qytetare, që ne nuk harrojmë, që 15 marsi i 2009-ës do të jetë guri i kthesës për këtë popull që po e zhysni në mizerje! Më 15 mars do ndjeni energjinë e një populli që është futur në Evropë pa ju pritur ju. Më 15 mars kombi duhet të ndalojë. Çdo klasë gjimnazi, çdo aulë universiteti, çdo shesh i Shqipërisë, çdo vatër familjare do kthehet në një kala rezistence kundra makutërisë tuaj. Më 15 mars do jemi të gjithë në sheshin "Skënderbej", në sheshin e heroit tonë kombëtar, i cili luftoi për liri, për të treguar që ne e dimë se çfarë është liria. Më 15 mars të 2009-ës të gjithë do t‘i kemi sytë te njëri-tjetri. Do jemi më solidarë se kurrë, më të afërt me njëri-tjetrin se kurrë, me rezistentë se kurrë, për të marshuar në Bulevardin e Lirisë, i cili nuk duron më që gjaku i shqiptarit të derdhet për të mbushur xhepat tuaj. Më 15 mars ne do t‘ju sulmojmë. Do t‘ju sulmojmë për t‘u vetëmbrojtur me ato mënyra demokratike që disponojmë, sepse ligji është i barabartë për të gjithë.