Petrika GROSI

Pas pjesëmarrjes së tij në ekspozitën “Lazio ndërmjet Europës dhe Mesdheut”, të çelur para pak kohësh në Romë, Qerim Vrioni, i kthyer në Shqipëri ka prezantuar edhe librin e tij më të ri të titulluar “150 vjet fotografi shqiptare”. Po ç’përmban ky libër, si është organizuar dhe cila është rëndësia e tij? Për më tepër, vetë fotografi dhe studiuesi i fotografisë shqiptare, Qerim Vrioni tregon detajet në intervistën që vijon, dhënë dje për gazetën “Albania”.



Një libër dhe një ekspozitë fotografie kanë qenë veprimtaritë më të fundit të Qerim Vrionit. Le ta nisim nga ekspozita.

Para pak ditësh u hap një ekspozitë në Romë “Lazio ndërmjet Europës dhe Mesdheut”. Nga Shqipëria merrja pjesë unë me gjashtë fotografi të miat, të cilat u pëlqyen dhe u përzgjodhën nga kuratorja.



Ç’mund të thoni për librin tuaj më të ri, “150 vjet fotografi shqiptare”?

Ishte një vazhdim logjik i punës sime, sepse kam shkruar për jetën dhe veprimtaritë e fotografëve më të hershëm shqiptarë, si Pjetër Marubi, Kel Marubi, Kol Idromeno, Kristaq Sotiri, Kristo Shuli, Petro Fotografi, Vani Burda etj. Duke shkruar për të gjithë këto figura, vetvetiu e kam njohur historinë e fotografisë shqiptare. Pas aktivitetit “150 vjet fotografi shqiptare” mendova që me materiale të pasuruara të botoja një libër. Pjesa e parë e këtij libri flet për portretet e fotografëve, ndërsa pjesa e dytë pasqyron 50 portretet më të mira dhe më interesante, sipas meje, të historisë së fotografisë shqiptare.



Cilat janë disa nga këto portrete që ju i keni gjykuar si më të mirat e fotografisë shqiptare?

Portreti i prof. Kondës nga Kristaq Sotiri, portreti i Haxhi Shaban Domnorit nga Kel Marubi, portreti i Edit Piafit nga Gjon Mili etj. Kam përzgjedhur edhe fotopeizazhin e parë shqiptar që është i Pjetër Marubit (1861), një peizazh tjetër “Dimri në Korçë” nga Kristaq Sotiri. Po kështu, kam futur dhe dy fotografi të tjera interesante të Kol Idromenos; “Pendimi i një mëkatëri” dhe “Shitësit e qymyrit”. Një tjetër peizazh interesant është një punë e Kristo Shulit, me titullin “Fshati Marjan” (1890). Kjo është dhe fotografia e parë shqiptare e llojit “patern”, ku përsëriten vazhdimisht çatitë e shtëpive të këtij fshati të vogël të Korçës. Kam veçuar edhe fotografinë e parë sportive që i përket Kel Marubit (1913).



Sa i përket anës studimore, a është e pranishme në këtë libër?

Është një libër i përmbledhur, pra, i ngjeshur, të cilin mu desh ta bëj tani, me rastin e 150-vjetorit të fotografisë shqiptare. Më vonë ndoshta do të bëj diçka më të zgjeruar.



Po me fotografët e sotëm, sa jeni marrë?

Fotografët e sotëm shqiptarë nuk janë futur ende në histori.



Pse, mos duhet të presim ndoshta vdekjen e tyre?

Jo. Por vetëm Anri Salën kam futur në këtë libër, e gjithashtu, kam përmendur Roland Tashon, Leon Çikën, Ardi Fezollarin, (fotograf i peizazhit nga Pogradeci) si edhe disa fotografë nga Kosova e Maqedonia, pavarësisht nivelit të tyre.



Çfarë është më interesante sipas jush, në gjithë këtë histori?

Gjëja më interesante është grupi i fotografëve të Rilindjes Kombëtare, të cilët kanë mbështetur Rilindjen dhe e kanë shoqëruar aktivitetin e saj me fotografitë e tyre. Këtu hyjnë Pjetër dhe Kel Marubi, Kol Idromeno, Kristo Shuli, Petro Fotografi, Vani Burda etj. Kuptohet, me atë nivelin e tyre janë munduar që fotografive t’u japin sa më tepër nota artistike dhe kanë bërë diçka.



Së fundi, si ka mundësi që në Shqipëri mungon organizimi mes fotografëve dhe nuk kemi asnjë shoqatë të tyren?

Jam përpjekur për gjithë këto kohë që të krijojmë një shoqatë të fotografëve shqiptarë por duket tepër e vështirë. Fotografët tanë kanë një farë egoizmi të pamasë dhe është thuajse e pamundur që të gjesh bashkëpunim me ta, ndërkohë që krijimi i një shoqate paraqitet si domosdoshmëri e kohës, e cila edhe aktiviteteve që mund të zhvillohen, do t’u jepte më tepër rëndësi dhe frymëmarrje. Në anën tjetër, Ministria e Turzimit dhe Kulturës vazhdon të qëndrojë krejt indiferente ndaj vlerave dhe personaliteteve të kësaj fushe të rëndësishme të artit.







29 Korrik 2009