Pjesa e 14-të e ciklit: “80 vjet rreth planetit të futbollit, 1930-2010”. Një speciale e Skifter Këlliçit: “Nando Martelini, Anton Mazreku dhe unë”


Nga Skifter Këlliçi



“Për të qenë tri herë kampion i botës, kjo ishte ambicie e brazilianëve, gjermanëve, por edhe e italianëve, - më thoshte Nando Martelinin gjatë bisedës që po bënim në kafenenë e Radio “Dimensione Suonos” në Romë. - Aq më tepër që pas 56 vjetësh një botëror futbolli zhvillohej përsëri në Itali, ku ‘axurrët’ kishin fituar Kupën. Përse të mos e fitonin përsëri?”

Kështu ishte. Por ja që kjo, siç do të shohim, nuk ndodhi. Në bisedë me Martelinin shtrova një problem që mua më duket se duhet të zgjidhet mirë nga FIFA, të cilin do ta hasim edhe në botërorët e tjerë:Problemi i përcaktimit të skuadrës fituese të një ndeshjeje më 11-mëtërsh, kur pas shtesës së lojës rezultati mbetet i barabartë.

Nga sa pamë,në Botërorin ’86 të zhvilluar në Meksikë,në ¼ e finaleve RF Gjermane mënjanoi Meksikën me 11-metërsh. Po kështu Belgjika Spanjën që në 1/8 e kësaj faze kishte vrarë “bizonin” danez,me 5 të shtëna nga të cilat 4 të gjahtarit Butragenjo. Dhe për t’i vënë kapak, edhe Belgjika po me 11-metërsh kishte rrënuar çdo shpresë të spanjollëve për të shkuar më tutje, sepse kishin dëshmuar se ishin më të zotë se kundërshtarët.

Por tekat që sollën 11-metërshat, do të vazhdonin të goditnin pamëshirshëm prore.

Lë të ndjekim rrugën e Italisë. Pasi mundi në grup Austrinë dhe SHBA-në me të njëjtin rezultat 1-0,tregoi se po ngrihej lart me lojë bindëse në takimin me Çekosllovakinë, (2-0) dhe u ngjit në katedrën e 1/8 të finaleve, ku mposhti pa shumë telashe një Uruguain 2-0. Por nuk ndodhi kështu në çerekfinale, ku për pak u ngeci Irlanda në grykë,një Irlandë këmbëngulëse, e drejtuar nga Xheki Carltoni, vëllai i Bobit, të dy kampionë në Botërorin Anglez ’66,për të gjetur në gjysmëfinale Argjentinën.

Ndeshja zhvillohej në Napoli, qytet që e adhuronte Maradonën, i cili e kishte bërë skuadrën e këtij qyteti të këndonte si Karuzo, dhe gjatë tërë jetës së tij ishte krenar se kishte lindur atje. Ndaj,si t’i kërkonin të falur Maradonës, në shkallët e stadiumit napolitan u duken pankarta me mbishkrimet: “Na fal Diego, të duam shumë, por kemi lindur në Itali”. Dhe kështu, pas rezultatit të barabartë 1-1, me gola përkatësisht të Skilacit në 17’, që do të bëhej një nga goeladorët e këtij Botërori dhe të Kanixhës për argjentinasit në 68’, arritën dy shtesat nga 15 minuta, ku të parën gjyqtari Votro, e zgjati… 8 minuta, se kishte harruar të shihte orën. Pastaj arriti lotaria e 11-metërshave. Portieri argjentinas, Giogocea, hamendësoi drejtimin e topave të goditur nga Donadoni dhe Serena. Kësisoj Maradona më shokë u ankoruan në finale, në një kohë që më mirë u dukën në fushë italianët.

Kështu u përsërit i njëjti skenar që ishte luajtur në takimin e 1/8 të finaleve, ku argjentinasit ishin vënë përballë jugosllavëve. Deri atëherë ballkanasit kishin interpretuar rolin favoritit në këtë botëror,pavarësisht se në grupin e tyre kishin humbur 4-1 me RF Gjermane. Por në 1/8 e finaleve kishin mënjanuar Spanjën me një gol të Stojkovicit, ndër futbollistët më të mirë të këtij botërori. Ndonëse kundër argjentinasve të Maradonës jugosllavët që nga minuta e 30-të e pjesë së parë luajtën më një lojtar më pak, sepse gjyqtari dëboi jugosllavin Sabanhoxhoviç, rezultati, me gjithë shtesën prej 30 minutash nuk ndryshoi. Madje Stojkovici goditi traun e portës.

Në lotarinë e 11–metërshave gjuajtjen e Maradonës e priti portieri Ivkovic,por Goigocea asgjësoi dy gjuajtje të Bronovicit dhe Haxhibegovicit dhe jugosllavët duke qenë më superiorë se kundërshtarët, u larguan të trishtuar nga ky botëror,ashtu si italianët.

Duke diskutuar për këta 11-metërsh i thashë Martelinit,që siç dihet kishte dalë në pension dhe i ndiqte ndeshjet nga televizori shtëpisë:

“Më kujtohet gjuajtja e dobët e Donadonit nga ana e majtë e portës, që do ta kishte pritur edhe portieri më diletant.

“Për mendimin tim,futbollisti që gjuan ndodhet para një ngarkese shumë të madhe përgjegjësie, sido që ka shënuar nga largësi edhe më të mëdha, madje edhe i mbuluar.- më shpjegoi Martelini. Dhe kishte të drejtë. Gjatë botërorëve të fundit kishin humbur 11-metërsha brazilianët Ziko, Sokrates,francezi Platini dhe vetë Maradona…

Odisesë së të ngjarjeve të tilla në këtë botëror do t’i shtojmë edhe takimin tjetër gjysmëfinale RF Gjermane-Angli,që të parët e fituan 4-3.Një takim i mërzitëshm, ku dramatike qenë vetëm gjuajtjet nga pika e 11-metërshit.(Gjatë kohës së rregullt kishte shënuar Parkeri në 60’ dhe barazuar Linekeri në 84’).

Por nëse disa nga skuadrat e mëdha arritën të kapërcenin digat e botërorit me teket e 11-metërshave,kjo nuk ndodhi me një skuadër që u bë e papritura më e këndshme e tij. Dhe kjo skuadër ishte Kameruni.

“Më 1982,-më kujtoi Martetlini,- gjatë komentit të ndeshjes që ‘axurrët’ zhvillonin me Kamerunin, u shpreha se futbolli afrikan kishte të ardhme. Dhe,pa kaluar tetë vjet po e dëshmonte këtë .“

Kështu ndodhi që në takimin përurues të këtij botërori, kur luanët afrikanë e detyruan Maradonën me klanin e tij, kampionë të botës në fuqi, të dilnin nga stadiumi kokulur, pasi i zbythën 1-0. Madje, duke luajtur me 9 lojtarë. Së pari u dëbua Kana Biku dhe në minutat e fundit Masinga, që dhunshëm e përplasi argjentinasin Kanixha në rrjetë. E, megjithatë, tangoja argjentinase stonoi, aq më tepër kur, megjithëse luanin me dhjetë futbollistë, përfaqësuesit e Afrikës së zezë pushtuan portën kundërshtare me golin e Oman Bikut, por jo pa ndihmën e portierit Pumpidu që bëri një gabim foshnjarak.

Ngjitja e Kamerunit në faqet e thepisura të këtij botërori vazhdoi në takimin me Kolumbinë 2-1. Të tre golat u shënuan në shtesë. Heroi i takimit ishte 38-vjeçari Rozher Milla që shënoi dy gola, i cili, siç kam shkruar në shënimet për botërorin ’86, e kishte nisur karrierën ndërkombëtare, bash atëherë kur kishte qenë 30 vjeç.

Duke përftuar këtë shpejtësi marramendëse luanët kamerunas, si të ndjeheshin në xhunglat e viseve të tyre, ku ishin rritur,vunë përpara anglezët pasi Kundi barazoi në 63’ golin e Platit.

Dhe nuk e ndalin mësymjen, kur në fushë shfaqet Milla, që u jep krahë të vetëve dhe Ekeke shënon përsëri. 2-1 për afrikanët. Por këtu bëjnë një gabim naiv. Duke pandehur se gjithçka ka marrë fund, nisin të mbrohen. Mirëpo dinaku Lineker barazon me 11-metërsh dhe po ai në shtesë dhe përsëri me 11-metërsh, u jep fitoren anglezëve në një takim ku Milla me shokë, me pak kujdes, do të kishin dalë ngadhënjyes. Sidoqoftë, ata u larguan duke dëshmuar se Afrika po bëhej një zë tenori në korine futbollit botëror.

Vijmë kështu në takmin final. Veç Maradonës, argjentinasit,të drejtuar nga Bilirdo, vazhduan ta luanin tangon e tyre në shurdhëri. Por sic duket, kjo ndikoi te “shturm und drangu gjerman” (“Stuhi dhe vrull”), që u fashit.

Kështu u regjistrua një nga finalet më të mërzitshme të botërorëve te futbollit,që u përshkua nga nota nervozizmi edhe për shkak të gabimeve të gjyqtarit meksikan, Mendes Kodezol.

Së pari ai i mohon një 11-metërsh Augentalerit, pastaj edhe argjentinasit Dezoti; më pas dëbon Manzonin dhe në akordet e fundit të lojës dekreton një 11-metërsh të dyshimtë për ndërhyrje të Sensinit ndaj Fëlerit. Mateusi druhet dhe ia lë vendin Brehmes që shënon pa iu dridhur qerpiku. 1-0 për gjermanoperendimorët. Maradona përpiqet, por më kot. Madje në 87’një tjetër dëbim: Dezoti grindet me Fëlërin dhe e pason. Mbyllje e pabukur e këtij botërori,për të mos thënë e shëmtuar.

“Po të gjykojmë me gjakftohtësi, - më thoshte Martelini,- finalja më e denjë do të kishte qenë Itali-RF GJermane, ose një finale anglo-saksone, RF Gjermane-Angli”.

Axurrët zunë vendin e tretë duke mundur Anglinë me një fitore ngushëlluese, kur kishin humbur shansin më të mirë që në këtë botëror, që luhej në shtëpinë e tyre,të kurorëzoheshin kampione të botës dhe të shlyenin ato dyshime që patën lindur më 1934 në ndeshjet me Spanjën dhe Austrinë, ku siç kam vënë në dukje, pavarësisht nga merita e tyre,ndikoi dhe gjykimi jo shumë bindës.

Zhgënjimi i këtij botërori ishin Holanda dhe Brazili. Dhe jo sepse u mënjanuan në çerekfinale, përkatësisht nga Argjentina dhe Anglia,por sepse paraqitën një futboll me ngjyra të holluara… akuareli.

Në këtë botëror u përfshiva në listën e atyre që do të komentonin vetëm në çastet e fundit. Ndërhyri një anëtar i Komitetit Qendror, i cili, siç duket, bisedoi me ata të Kupolës së Kuqe.



Kështu që përsëri “kryekomentatori” ishte ende në rolin e violinës së parë, gjithnjë me plogëtinë, ngathtësinë, më fjalorin prej 14 fjalësh e 25 për qind të tyre, ose më saktë.. prej 15 fjalësh e një çerek, që përdorte gjatë komenteve të tij, që mileti i quante gjumëndjellëse.

Kur më 1987, pra tre vjet para këtij botërori, kisha biseduar me një nga drejtuesit kryesore të RTVSH-së se përse mbahej ky qëndrim ndaj meje ai, më qe përgjigjur me butësi: “Më mirë e lëmë këtë bisedë”.

Në shkurt të viti 1991, kur diktatura komuniste ishte rrëzuar, në një bisedë tjetër ai do të më tregonte të vërtetën. Por atëherë kishte pësuar .. një rënie të lirë.

Meqë përmendëm rrëzimin e komunizmit,duhet të shtoj pa tjetër se faza e fundit e botërorit 1990 u zhvillua në korrik,kur u hapën dyert e ambasadave, ku gjetën strehë mbi 5000 shqiptarë dhe kur filluan përleshjet me forcat e policisë, shprehje e hapur e urrejtjes së popullit kundër diktaturës së Enver Hoxhës.

Përpara se të paraqes tabelën e rezultateve e shoh të udhës të ndalem në një ngjarje. Siç kam shkruar, më 1981 botova librin ”Historia e futbollit”, që ishte kryesisht historia e botërorëve të futbollit deri më 1978. Më 1990, në prag të Botërorit Italia ’90 Shtëpia Botuese “8 Nëntori” që e kishte botuar, me propozimin tim, vendosi ta ribotojë,duke shtuar botërorët e fundit 1982,1986 dhe duke ripunuar dhe plotësuar kapitullin që i kushtohej futbollit shqiptar, aq më tepër që një gazetar i shquar në fushën e sporteve më kishte bërë vërejtje me vend. Por, libri nuk u ribotua. Shkaku: po ky gazetar kishte paraqitur një me demek doracak për botërorët e futbollit, i dobët për aftësitë e tij. Ata të “8 Nëntorit” mbyllën sytë para këtij fakti anormal dhe botuan doracakun... e famshëm që ishte larg librit tim të ripunuar. Punë bërrylash!..



Tabela e rezultateve të fazës finale



Kamerun-Kolumbi 2-1

Çekosllovaki-Kosta Rika 4-1

Argjentinë-Brazil 1-0

RF Gjermane -Holandë 1-0

Irlandë-Rumani 0-0,

(më shtesë dhe 11-metërsh kalon Irlanda)

Itali-Uruguai-2-0

Jugosllavi-Spanjë 2-1, (me shtesë)

Angli-Belgjikë 1-0, (me shtesë)



Çerekfinalet



Argjentinë-Jugosllavi 0-0

(me shtese e 11-metërsha 3-2)

Itali- Irlandë 1-0

RF Gjermane-Çekosllovaki 1-0

Angli-Kamerun 3-2,(me shtesë)



Finale për vendin e tretë

Itali-Angli 2-1



Finale

RF Gjermane-Argjentinë 1-0

RFGJ Gjermane: Ilgner, Berthold,(72’Roiter), Brehme,Augentaler, Këhler, Buhvald, Litbarski, Mateus, Hasler, Fëler, Klinsman



Argjentina: Goigocea, Ruxheri,(46’ Monzon), Sensini, Simon, Serizuela, Lorenco, Burrucaga, (54’Kalderon), Buzualdo, Dezoti, Maradona, Troila



Golashënuesi më i mirë: Skilaçi (Itali)- 6 gola



Nga galeria e yjeve: Mateus (RFGJ), Skilaci (Itali), Kareka (Brazil), Gaskonj(Agli), Van Basten (Holandë), Gulit (Holandë)

























7 Qershor 2010