Me sulmet ajrore ndaj ish-Jugosllavisë 20 vjet më parë NATO ndërhyri për të imponuar paqen duke i dhënë fund luftës në Kosovë.


Gjurmët e luftës


Nga fundi i vitete 1990 konflikti mes forcave serbe dhe popullatës shqiptare ashpërsohet rëndë. Dhjetra mijëra njerëz detyrohen të marrin arratinë. Bashkësia ndërkombëtare i deklaron të dështuara përpjeket për zgjidhjen diplomatike të konfliktit. NATO fillon më 24 mars 1999 sulme ajrore kundër bazave ushtarake dhe objekteve të rëndësishme strategjike të Serbisë.







Dështimi i rezistencës paqësore


Protestat kundër kufizimit të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë filluan qysh në mes të viteve 80-të. Ndonëse trupat serbe ushtronin sistematikisht dhunë, demokrati Ibrahim Rugova, i cili në vitin 1989 udhëhiqte lëvizjen politike kosovare, ndiqte politikën e rezistencës paqësore. Por të gjitha përpjekjet për ta bindur Milosheviç-in që të hiqte dorë nga kursi i tij agresiv dështuan.


Lufta guerilase


Në Kosovë fillon formimi i rezistencës së armatosur. Grupi i vetëquajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës fillon një luftë të dhunshme guerilase. UÇK-ja sulmon jo vetëm serbët, por edhe shqiptarë, që dyshohen si kolaboratorë. Serbia reagon me sulme hakmarrëse: Dhjetëra shtëpi dhe dyqane digjen e bastisen. Qindra mijëra vetë marrin arratinë.


Dëbimi sistematik


Lufta bëhet gjithnjë e më brutale. Për të thyer rezistencën e UÇK-së dhe mbështetjen që gëzon ajo tek popullata, forcat serbe fillojnë një taktikë dëbimi ndaj civilëve: Mijëra kosovarë transportohen me trena dhe kamionë drejt kufirit, pa dokumenta dhe letërnjoftime, në mënyrë që më vonë, të mos jenë në gjendje të vërtetojnë se janë nga Kosova. Qindra njerëz të tjerë fshihen nëpër pyje.


Përpjekja e fundit për ndërmjetësim


SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania organizojnë në shkurt 1999 një konferencë në Rambouillet, ku u bëjnë thirrje kosovarëve dhe serbëve, që të nënshkruajnë një marrëveshje të përkohshme mbi autonominë e Kosovës. Pala e delegacionit kosovar e pranon marrëveshjen, ndërsa përfaqësuesit serbë e injorojnë atë. Negociatat dështojnë plotësisht.


“Ndërhyrje humanitare”


Për t’i dhënë fund dhunës së serbëve ndaj shqiptarëve, NATO fillon më 24 mars 1999 sulme ajrore kundër bazave ushtarake në Serbi dhe Kosovë. Edhe Gjermania merr pjesë në këto sulme. Operacioni “Allied Force” është lufta e parë e NATO-s në historinë e saj 50 vjeçare – dhe pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rusia i kritikon ashpër sulmet e NATO-s dhe kërcënon me goditje hakmarrjeje.


Paralizimi i infrastrukturës


Përveç objekteve ushtarake apo strategjike, NATO sulmon edhe rrugët e furnizimit – linja hekurudhore dhe shumë ura. Gjatë 79 ditëve dhe netëve të goditjeve nga ajri, NATO kryen mbi 37.000 sulme. 20.000 bomba dhe raketa hidhen në territorert serbe. Qindra civilë humbasin jetën – “Dëm kolateral” i quan NATO humbjet.


Retë e helmit mbi Pançevë


NATO bombardon edhe fabrika industriale. Në Pançevë pranë Beogradit, hidhet një predhë mbi një fabrikë kimike dhe një fabrikë të prodhimit të plehërave kimike. Sasi të mëdha me substanca helmuese përhapen nëpër lumenj dhe në tokë – me pasoja fatale për banorët përreth. Serbia akuzon NATO-n, se përdor municion me uranium dhe bomba fraksione.


Luftë kundër propagandës së luftës


NATO sulmon edhe televizionin shtetëror në Beograd – me qëllim që t’i heqë Millsheviçit instrumentin e tij më të fuqishëm të propagandës. Ndonëse qeveria jugosllave u informua disa ditë më parë mbi sulmet që do të ushtroheshin ndaj ndërtesës së televizionit, ajo nuk paralajmëroi asnjeri. 16 vetë humbën jetën si pasojë e sulmit.


Bombat e hedhura padashje


NATO hedh padashje në Kosovë bomba ndaj një karvani refugjatësh. Rreth 80 vetë humbin jetën. Padashje bombat bien edhe ndaj ambasadës kineze në Beograd, ku si pasojë humbin jetën katër vetë, NATO e quan këtë si “dëm kolateral”. Sulmi shkakton një krizë të rëndë politike mes Pekinit dhe Uashingtonit.


Bilanci i tmerrit të luftës


Në fillim të qershorit vijnë sinjalet e para nga Beogradi, që Slobodan Millosheviçi është i gatshëm për bashkëpunim. Më 9 qershor NATO e përfundon bombardimin. Bilanci i luftës: Mijëra të vdekur dhe rreth 860.000 refugjatë. Ekonomia në Serbi ka marrë fund, pjesë të mëdha të infrastrukturës janë të shkatërruara. Kosova bëhet pjesë e protektoratit të OKB-së.