TIRANE - Në Gjykatën e Krimeve të Rënda prokuroria po lexon pretencën për të akuzuarit e vrasjeve të 4 protestuesve në demonstratën e 21 janarit 2011 para kryeministrisë. Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj janë katër protestuesit, të cilët mbetën të vrarë ndërsa dhjetra u plagosën.

Në seancë janë të pranishëm dhe përfaqësues të ambasadës së SHBA dhe Avokatit të Popullit.

Të pandehurit janë ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi, shoferi i tij Margarit Kume dhe ish-gardisti Agim Llupo. Llupo është i vetmi që ndodhet në burg deri tani, pasi Prendi dhe Kume gjykohen nën masën e arrestit shtëpi.

Sipas prokurorisë viktima Ziver Veizi u qëllua nga Agim Llupo, ndërsa Faik Myrtaj nga Ndrea Prendi. Gjatë leximit të pretencës thuhet se “ Nga predhat e gardës u vranë 3 shtetas, u plagosën 7, mes të cilëve Aleks Nika. Në oborrin e kryeministrisë u gjendën 500 predha ndërsa turma nuk qëlloi me armë.” Prokuroria nënvizoi se “Nuk është qëlluar nga turma drejt Gardës. Protestuesit dhunuan gardistët me mjete rrethanore”. Sipas akuzës viktimat u vranë nga jashtë rrethimit të gardës dhe nukl përbënin rrezik dhe ” Të shtënat nga Agim Llupo dhe Ndrea Prendi ishin në shkelje me ligjin”


Të pandehurit akuzohen për “vrasje të kryer në rrethana cilësuese dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Prej dt.23 maj 2012 janë zhvilluar 38 seanca, ndërsa më 16 janar 2013 u mbyll shqyrtimi i provave dhe dëshmive dhe sot paraqiten konkluzionet përfundimtare të prokurorisë.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)