Kryetari i partisë LIBRA, Ben Blushi, akuzon Partinë Demokratike se tradhtoi kauzën e zgjedhjeve të lira.


I ftuar te “5 pyetje nga Babaramo”, Blushi tha se PD duhet ta kishte bërë votimin elektronik kur ishte vetë në pushtet.


“Ne po përpiqemi të ndërtojmë një opozitë të re. PD është një opozitë e pavullnetshme, ne jemi të vullnetshëm, pavarësisht se kemi vetëm dy numra në Kuvend. Ne mund të ishim në pushtet, siç erdhëm në 2013-ën, dolëm në mënyrë të vullnetshme për bindjet tona.


Unë s’dua të komentoj hutimin e PD as faktin që tradhtojnë kauzat në mënyrë sistematike. PD tradhtoi i kauzën e zgjedhjeve të lira. Kur t’i kërkon votim elektronik pse nuk e bërë kur ishe në pushtet vetë, para 3 vitesh. Por, edhe pse s’e kanë bërë kjo s’do të thotë të mos bëhet. Opozita e PD-së është totalisht e pabesueshme. Nuk ka fuqinë të kapet pas një kauze sepse është e pabesueshme. Qytetarët nuk i besojnë.


Qeveria është problemi në Shqipëri, por edhe opozita është problemi. Nga muaji qershor deri në dhjetor, për 6 muaj, kur kom për reform zgjedhore dështoi, bilanci i tij ishte një mbledhje dhe asnjë amendamentet”, u shpreh Blushi.


Dekriminalizimi


Duke folur për dekriminalizimin, Ben Blushi tha se të inkriminuar ka edhe në radhët e PD.


S’jam këtu për të bërë tablonë sinoptike të opozitës. Opozita është po kaq fajtore për futjen e njerëzve me rekorde kriminale në pushtet. Kanë një bilanc. Prandaj, shqiptarët e konsiderojnë njësoj si opozitën dhe qeverinë. Në Dibër, njerëz me rekorde kriminale do kandidojnë, punën në terren do e bëjë një njeri me rekorde kriminale, këta do kapin policinë.


Është feudi i Shkodrës, feudi i Lezhës, feudi i Dibrës që po i kalon një partie të vogël. Ishte feudi i Vlorës, por ai u shpall grup armiqësor nga partia”, tha ai.


21 Janari


Për Ben Blushin, 21 janari është një vrasje shtetërore e urdhëruar nga Sali Berisha.


Ai shpreh rezerva edhe për rrugën e ndjekur nga qeveria socialiste për vënien e drejtësisë, ndërsa shton se dëmshpërblimi financiar për familjet e viktimave nuk mjafton.


“21 janari ishte vrasje shtetërore. Sali Berisha i vrau. Ka një rezistencë për t’i shkuar deri në fund 21 janarit. Por kjo qeveri s’ka bërë gjë tjetër veçse ka larë gjakun me para.  Ndoshta, mund të fshihet qeveria se s’po bën drejtësi ngaqë sistemin e drejtësisë nuk e kontrollon dot. Një nga Gardistët e 21 janarit është sot kryetar i PS-së në Bulqizë (Agron Malaj është kryetar i PS-së në Burrel). Kanë qenë disa gardistë të cilët kanë marrë urdhër për të qëlluar. Një nga këta është sot kryetar i PS-së në Bulqizë. Gjykata ta detyron këtë? Ka një reflektim moral. Pse gardisti i 21 janarit shkon në krye të PS në Bulqizë? Sepse rilindja s’ka asnjë normë. Mesa duket ai ka krijuar një bandë të vogël aty dhe sot kontrollon PS-në e Bulqizë, emërimet, industrinë e minierës, është edhe drejtor i OSHEE-së lokale“.


 Votimi elektronik, i mundshëm


Kreu i LIBRA-s insiston njësoj si PD se votimi elektronik është i mundshëm në zgjedhjet e këtij viti.


“LIBRA përpiqet të ketë një pozicion të moderuar. S’dua t’u krijojmë shqiptarëve ndjenjë frike, që të mos votojnë. Disa gjera duhen riparuar, numërimi elektronik mund të aplikohet shumë lehtë në të gjithë Shqipërinë. Janë 66 ZAZ ku numërohen votat, aty ka 10 tavolina me nga 4 numërues. Të gjithë këta njerëz që paguhen 3 fish, mund të zëvendësohen nga një makinë”.