Një ditë para përvjetorit të 8 të 21 Janarit, familjarët e viktimave kërkojnë që drejtësia të vihet në vend. Edhe pse qeveria i ka shpallur dëshmorë 4 viktimat që u vranë para kryeministrisë gjatë protestës së opozitës së atëhershme në 2011-ën dhe ka akorduar një kompensim financiar, deri tani asnjë nga autorët e masakrës nuk është dënuar apo të jetë në proces gjyqësor.


Të afërmit e Ziver Veizit thonë se mbeten në pritje të drejtësisë për vëllanë e tyre, që deri tani nuk ka ndodhur. Trëndafilja, e motra, komenton edhe rreth statusit të dëshmorit që pritet të përfitojnë 4 të vrarët në 21 janar, ndërsa detajet do të mësohen të hënën në ceremoninë e përvitshme në Tiranë.


Drejtësia nuk ka shkuar në vend akoma. Edhe tani presim drejtësinë e re. Dënimi i vrasësve do të na lehtësonte, thotë motra.


Ndërsa vëllai Çaush Veizi thotë: Statusi i dëshmorit mund të jetë diçka, por jo zgjidhje për drejtësinë.


Ziver Veizi jetonte i vetëm në fshatin Zenelaj, 12 km larg qytetit të Gjirokastrës, në periudhën që i parapriu protestave të janarit të 8 viteve më parë. Ai ishte njëri prej 4 të vrarëve më 21 Janar të vitit 2011. Bashkë me të humbën jetën edhe Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.


Familjarë të Ziver Veizit dhe 3 të vrarëve të tjerë të ngjarjes së 21 janarit do të marrin pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet ditën e hënë në kryeministri, ndërsa në fshatin e Ziverit, në Zenelaj, do të mbahet ceremonia e përvitshme përkujtimore.


525 mijë euro u ndanë me vendim qeverie për secilën nga 4 familjet e të vrarëve, ndërsa Garda e Republikës paditi ish-drejtuesit e saj për vrasjet.


Qeveria argumenton se detyrimi për dëmshpërblim rrjedh nga vendimet e gjykatës së Tiranës. Gjykata ka vlerësuar se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia dhe ka dënuar ish-komandantin e gardës, Andrea Prendi me 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vjet.


Gjatë kohës që ishte në opozitë, Partia Socialiste e quajti vrasjen e protestuesve një krim shtetëror, duke akuzuar drejtëpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha si përgjegjësin kryesor dhe madje duke premtuar dhënien e drejtësisë.


Me këtë këst të dytë dëmshpërblimi dhe 2.1 milionë euro në total, socialistët i kanë vënë premtimit të tyre për drejtësi një çmim financiar prej 525 mijë euro për çdo të vrarë nga Garda e Republikës.