Data 22 prill, njihet në gjithë botën, si Dita Ndërkombëtare e Tokës. Kjo është një ditë që shërben për të dhënë alarmin për dëmet që njerëzimi i shkakton pyjeve, lumenjve, tokës dhe pasurive të tjera të natyrës dhe të reflektoj e sensibilizohet për të ndalur shkatërrimin e mëtejshëm te saj.

Ideja për Ditën e Tokës është zhvilluar që nga viti 1962. Senatori Gaylord Nelson, pas shumë përpjekjeve dhe takimeve, arriti që idenë për Ditën e Tokës si çështje mjedisore, ta fusë në programin politik.

Më 22 Prill 1970 në SHBA u mbajt një manifestim i madh mjedisor,i pari i këtij lloji, prej nga edhe doli ideja për shpalljen e kësaj date si Dita e Planetit Tokë. Qëllimi i kësaj date mbetet mbrojtja e planetit Tokë dhe të gjitha resurseve të saj nga ndotja.

Dita e Tokës, është një lëvizje e cila angazhohet për përfshirjen e të gjithëve në mbrojtje të Tokës. Më 22 prill, në mbarë botën, organizohen një varg aktivitetesh për të mirën e mjedisit dhe të njeriut, si: aktivitete pastrimi, gjelbërimi, pyllëzimi, manifestime në formë protestash, ekspozita, koncerte, vizita, peticione, orë edukative me nxënës, konferenca shkenco re lidhur me problemet mjedisore etj.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)