Qëndresë Halili, një autore shumë njohur në Kosovë për shkak se ka nisur të shkruajë që në moshën 10-vjeçare, vjen me romanin e saj të ri “Përsëri përsëritet”. Autorja vlerësohet për stilin e saj tërheqës me daljen në dritë të këtij botimi. Botuesi i romanit thotë se “autorja bazohet bazohet në psikologjinë e të përsëriturit të Frojdit”. Ky roman intrigon me personazhin kryesor, që është Laura, një vajzë e re, e cila arratiset nga vendlindja e saj pas një lidhjeje të dështuar dashurore. Në kohën kur kjo e braktis vendin e saj dhe ikën në një destinacion pa adresë, është në krize nervore dhe psikike.

Nga këtu edhe fillon drama e saj, e cila shpaloset pastaj në formë monologu. Laura është një vajzë me çrregullime mendore, një skizofrene, që ballafaqohet me veten duke u munduar të gjejë shpëtim për të dalë nga gjendja, në të cilën gjendet. Në roman kjo vajzë nga fiziku i saj shihet si të gjitha vajzat e tjera pa përjashtim. Bën jetë “normale”, nuk i bën kujt keq dhe është aq e vetmuar. Shpesh ajo humbet dhe gjendet në shumë vende pa ditur si arriti aty! Ka pak njerëz që e njohin dhe është pak e shoqëruar. Ndërsa për t’u shoqëruar me dike, ajo shpesh del jashtë vetes nga frika se lëndohet. Dhe kjo e lëndon aq shumë, e i përsëritet vazhdimisht. Te Laura mjafton vetëm një fjalë apo një sjellje e mire nga njerëzit dhe kjo t’ua falë veten pa asnjë çmim.

Në këtë roman, Qëndresa e përshkruan përsëritjen si egon tonë. Në një rast ajo shkruan: Nëse mund t’i ikësh vetes mund t’i ikësh kësaj përsëritjeje. Por, kjo është e pamundur. Vetja është vet e përsëritshmja jote, uni dhe vetmia jote. Qëndresë Halili ka nisur të shkruajë në moshën 10-vjeçe në formën e fletëve të ditarit kujtimet e trishta të luftës serbo-kosovare, ngjarjet që e tronditën atë personalisht, por edhe familjen. Libri i saj i parë është cilësuar nga shtypi kosovar si “libri i parë i luftës”, sepse aty janë përmbledhur pasazhe të kujtimeve më të vërteta, ashtu siç mund të mbajë mend një fëmijë i moshës 10-vjeçare. Qëndresë Halili sot, në moshën 25-vjeçare numëron 6 libra, dy të zhanrit poezi, dhe të tjerat romane, ku i gjashti është “Përsëri përsëritet”. Dhu.Ha.
 
 Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com­)