11/03/2005  ELBASAN - Furgonët taksi, që kanë marrë licensë nga bashkia e Elbasanit janë përballur me dy javë grevë, duke tentuar të bllokojnë edhe rrugën, në formë proteste pas kërkesave të tyre drejtuar pushtetit lokal dhe Ministrisë të Transporteve. Drejtuesit e furgonëve kanë vendosur që të ndërmarrin edhe hapin deçiziv, atë të bllokimit të rrugës, por nuk kanë mundur të marrin leje nga policia rrugore. Ata janë nisur përgjatë bulevardit kryesor “Qemal Stafa”, kanë vazhduar në rrugët e qytetit për të vijuar në një udhëtim në aksin rrugor Elbasan-Tiranë, ku edhe janë krijuar më shumë se tre orë vështirësi në qarkullim. Shoferët, nën drejtimin e sindikatës së pavarur të transportit në Elbasan, kanë vazhduar 20 km për t’u kthyer sërish në qendër të qytetit pas tentativës së parë për të bllokuar aksin nacional. Kryetari i sindikatës së pavarur, Romeo Haskaj dhe kryetari i sindikatës së transporteve, Sali Lushnjari, janë shoqëruar në komisaritin e Elbasanit, ku edhe kanë dhënë shpjegime për grevën e paligjshme, duke dalë nga aty pas 30 minutave. Romeo Haskaj, kryetar i kësaj sindikate, ka deklaruar se pas takimit me ministrin e Transporteve, Spartak Poçi, do të vendoset nëse do të bllokohet ose jo rruga nacionale. Dita e djeshme ka qenë vetëm një demonstrim, janë shprehur ata, ndërsa pritet që të bllokohet rruga nacionale Elbasan-Tiranë. Do të bllokojmë rrugën nacionale, jo vetëm atë në drejtim të Tiranës janë shprehur sindikalistët, pas më shumë se dy javë pritjeje, duke kërkuar ligjërisht leje për të ndërmarrë një nismë të tillë.