Për herë të tretë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për një javë rresht do të qëndrojnë 27 specialistë nga Turqia, ku do të kryejnë operacione të ndërlikuara për pacientët në fushat e kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë dhe infermierisë.
Kjo mbështetje e Turqisë për shëndetësinë në Kosovës është duke u realizuar bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Turqisë.
Ardhja e mjekëve turq prej sot e deri më 28 shkurt do të shënoj edhe javën e shëndetësisë kosovaro – turke.
Hapja e kësaj jave, u bë nga Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, Ambasadorja e Republikës së Turqisë, Kivilcim Kiliç dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj.
Sipas një komunikate për media të ministrisë së Shëndetësisë, ministri Imet Rrahmani tha se organizimi i kësaj jave është vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë midis dy shteteve, përkatësisht ministrive respektive, gjithashtu rezultat edhe i angazhimit të Ambasadores së Republikës së Turqisë në Kosovë dhe profesionistëve shëndetësor t? ? këtij vendi.
“Nga ky bashkëpunim disa vjeçar midis dy shteteve në shëndetësi, më së shumti kanë përfituar pacientët kosovar, por edhe profesionistët mjekësor të dy vendeve”, tha Ministri Rrahmani.
Ai theksoi se rëndësia e këtij bashkëpunimi jo vetëm në aspektin klinik, por edhe në atë të edukimit të vazhduar profesional, nuk mund të kalkulohet në mjete financiare, pasi që rëndësia e tij qëndron te vazhdimësia dhe qëndrueshmëria e këtij bashkëpunimi.
Ambasadorja Kivilcim Kiliç tha se Java e Shëndetësisë Kosovare Turke- është një kontribut i drejtpërdrejt i Turqisë për ta ndihmuar shëndetësinë në Kosovë, duke u nisur edhe nga fakti që Kosova për Turqinë është një vend mik dhe që ndajnë mes veti një histori, tradita dhe kultura të përbashkëta.
“Java e Shëndetësisë paraqet një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e pashkëputur të bashkëpunimit midis shteteve tona”, tha Ambasador ja Kiliç, duke theksuar se Turqia do të vazhdojë të mbështes Kosovën edhe përmes trajtimit falas të një qind pacientëve në vit në spitalet e Turqisë, trajnimeve profesionale të mjekëve kosovarë atje dhe së fundi, ka përmendur ajo, edhe Projektin e TIKA turke për kujdesin e ri intensive në QKUK.
Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, tha se Java e Shëndetësisë..shënon një bashkëpunim mjaft të mirë midis dy shteteve në shëndetësisë, ndërkohë që ka shprehur bindjen se profesionistët e QKUK-së do ta shfrytëzojnë këtë mundësi që me kolegët nga Turqia të ndajnë eksperienca shumë të dobishme gjatë trajtimit të rasteve në klinika të ndryshme.