DURRËS - Njëzetë e tetë turistë italianë të cilët kishin zgjedhur të shijonin bukuritë e natyrës dhe bregdetit shqiptar kanë hasur probleme shëndetësore pasi kanë konsumuar ushqim në një hotel në qytetin e Vlorës. Ata kanë shfaqur shenja helmimi të cilat i kanë ndjerë kur kanë mbërritur në destinacionin tjetër të turit, në Durrës. Kur janë akomoduar në një hotel pranë "Shkëmbit të Kavajës" 28 turistët nuk janë ndjerë mirë dhe në ndihmë të tyre kanë shkuar mjekët e spitalit të Durrësit. Ata kanë marrë trajtimin e nevojshëm në ambientet e hotelit ku ndodheshin, nga ku mjekët thanë se turistët e moshuar kishin pasur probleme diarreje dhe të vjella. Dyshohet se turistët mund të jenë helmuar paraditen e së enjtes në qytetin bregdetar të Vlorës ku kanë ngrënë edhe vaktin më të fundit. Autoriteti i Kontrollit Ushqimor ne Vlorë shprehet se në këtë periudhë në të gjitha hotelet po kryhet një aksion për sigurinë ushqimore dhe kushtet higjieno-sanitare. Redaksia Online (Gre.M/Shqiptarja.com) 19 Ndiqni Shqiptarja.com në Facebook dhe në Twitter TAG: hotel durres vlore spitali i durresit helmim turiste sezoni turistik