E ka nisur me një denoncim korrupsioni rrugëtimin e tij emisioni investigativ "STOP", në ekranin e Televizionit Klan. Dyshja e prezantuesve, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj, kanë sjellë një rast korruptiv në Qendrën Kombëtare të Licencimit. Në videon e transmetuar mbrëmjen e së hënës në emisionin e parë të këtij programi, duket Shefi i Specialistëve në Qendrën Kombëtare të Licencimit, që i kërkon 3 mijë euro një qytetari, i cili ka hapur një biznes zgare dhe që kërkon të marrë një leje mjedisore. Në skemën korruptive është i përfshirë edhe një specialist mjedisi, i cili thotë se ky nuk është rasti i parë korruptiv në këtë institucion. Aty pranohet se si janë të përfshirë institucione si Bashkia e Tiranës, Drejtoria Rajonale e Mjedisit, Instituti i Shëndetit Publik dhe Qendra Kombëtare e Licencimit. Emisioni "STOP" do të vijojë me denoncimin e rasteve të tjera korruptive. Ai transmetohet nga e hëna në të premte në Televizionin Klan, në orën 20:05./tv klan/