Një ndër objektet më të rralla të shekullit XIX, siç është Ura e Kordhocës, do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni gjeneral në fazën e dytë të rehabilitimit total të saj. 

Një ndër objektet më të rralla të shekullit XIX, siç është Ura e Kordhocës, do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni gjeneral në fazën e dytë të rehabilitimit total të saj. Lajmi është konfirmuar nga drejtori i Monumenteve të Kulturës së Gjirokastrës, Spartak Drasa. Ky i fundit ka pohuar për gazetën “Panorama” se qeveria shqiptare ka akorduar një shumë prej 3 milionë lekësh për të bërë të mundur rehabilitimin në fazën e dytë të saj, çka do të përforconte pozitat e saj mbrojtëse nga ndonjë faktor i jashtëm, siç mund të jenë shirat e rrëmbyeshëm që kanë arritur të dëmtojnë edhe bazën themelore të saj, si pasojë e tejngopjes së lumit Drino. Fondi i akorduar nga qeveria shqiptare do të ndikojë për ndërhyrjen në themelet e harqeve të urës, duke i përforcuar ato. Në fazën e parë ku u investuan 6 milionë lekë, u bë i mundur rehabilitimi fizik i saj si dyshemeja, muret e lartë anësorë dhe pjesë të tjera aparenciale. Ura e Kordhocës si e vetme nyje lidhëse me status objekt kulture në luginën e Drinos, është e gjatë rreth 20 metra dhe e lartë në pikun e saj 7 metra. Ajo është e përbërë nga disa harqe dekorative-karakteristike për periudhën e ndërtimit të saj në shekullin e XIX. Ajo prej kohësh ka shërbyer si urë lidhëse mes pjesës perëndimore të fshatit Lazarat dhe asaj lindore të luginës ku ndodhen edhe tokat bujqësore të fshatarëve të zonës. Ura e Kordhocës ka shërbyer edhe në filmat artistikë, kryesisht gjatë viteve ‘70 dhe ’80, e konkretisht në episodet e “Ja Liri, Ja Vdekje”, “Muri i Gjallë” dhe “Dasma e Sakos”. Konstruksioni i gërshetuar me stilin e kohës orientale, i ka dhënë asaj statusin e monumentit të kulturës që mbrohet nga shteti.