Policia e qytetit Cleveland ka ngritur akuza për rrëmbim dhe përdhunim kundër Ariel Castros lidhur me tre vajza që mendohet se janë mbajtur peng për një dekadë.

Dy vëllezërit e tij, Onil dhe Pedro, të cilët po ashtu u arrestuan, nuk do të akuzohen për vepra penale.


Policia thotë se nuk ka prova se dy vëllezërit ishin të përfshirë në rrëmbimet, apo se ishin në dieni të pranisë së tre grave që thuhet se mbaheshin të lidhura në shtëpinë e vëllait.


Policia nuk ka pranuar të flasë për provat që ka mbledhur në shtëpinë në fjalë. Po ashtu ata nuk kanë dhënë hollësi mbi mënyrën dhe shkakun e rrëmbimeve. Por policia thotë se intervistat me tre viktimat kishin ofruar informacion të mjaftueshëm për të ngritur akt-padi ndaj Ariel Castros.


Tre vajzat janë rrëmbyer nga viti 2002-2004, dy prej tyre kur ishin adoleshente, e treta në moshën 20 vjeç.