Gjykata e Tiranës ka dënuar me 39 vite burg dy shtetasit britanikë, Robin Arnold dhe Dino Kristodulu, që akuzohen për marrëdhënie homoseksuale me dhunë ndaj të miturve. Sipas vendimit të djeshëm, togat e zeza kanë dënuar me 22 vjet burg Kristodulu dhe 17 vjet burg Arnold. Si provë kryesore gjykata mori dëshmitë e të miturve që jetonin në fondacionin "Fëmijët e tij". Procedimi penal ndaj tyre ka filluar tre vjet më parë, përkatësisht në vjeshtën e vitit 2006, kohë në të cilën shpërtheu skandali i ashtuquajtur "Fëmijët e tij". Një seancë më parë, mbrojtësit ligjorë të britanikëve kërkuan lirimin. Por gjyqtarja Shefkie Demiraj, pasi ka dëgjuar pretendimin e mbrojtësve, kërkoi një javë kohë për të studiuar me hollësi afatet e gjykimit dhe pas verifikimit dhe kërkesës së prokurorisë ka dhënë dënimin përfundimtar, duke mos u dhënë mundësi dy britanikëve të gjykoheshin të lirë. Për gjykatën, dëshmitë dhe provat e sjella nga organi i akuzës janë bindëse për të provuar veprën penale. Dy seanca më parë, i mituri me inicialet G. B., i cili kishte ardhur nga SHBA-ja për të dëshmuar, i tregoi gjykatës me anën e një videokonference, duke shmangur në këtë mënyrë ndikimin e të pandehurve, se shtetasit anglezë e detyronin që të kryente marrëdhënie homoseksuale me ta dhe të ndante shtratin për disa vite rresht. Për gati katër orë, 17-vjeçari që kishte jetuar në qendrën "Fëmijët e tij" që në moshën 10-vjeçare, ka akuzuar të pandehurin Robin Arnold. Sipas dëshmisë, djali është shprehur se pas dushit, Robin Arnold kërkonte edhe më shumë. "Çdo natë flija në të njëjtin shtrat me Robin Arnold dhe Devid Braun. Që të dy kanë abuzuar seksualisht me mua. Në të njëjtin shtrat herë kryente marrëdhënie me mua Robin dhe herë Devid. Unë mund të largohesha nga krevati vetëm kur ata të kishin mbaruar qejfin e tyre", ka deklaruar i mituri, sipas të cilit, qendra përdorej vetëm për të kënaqur epshet e tre shtetasve britanikë. Disa muaj më parë, gjykatat shqiptare kanë dënuar me 20 vjet burg shtetasin britanik Devid Braun. Sipas gjykatave, tre të pandehurit gjatë periudhës 2003-2005 kanë abuzuar në disa raste ndaj fëmijëve të mitur dhe endacakë që jetonin në qendrën e tij bamirëse në rrugën "Dervish Hekali". "Nga hetimi gjyqësor është provuar dhe faktuar me anë të dëshmitarëve të viktimave se i pandehuri Devid Braun ka konsumuar veprën penale të ‘marrëdhënieve homoseksuale me të mitur në bashkëpunim dhe për kryerjen e kësaj vepre të rëndë penale kërkojmë dënimin e tij me 20 vjet burg. I pandehuri duhet të izolohet në një burg të sigurisë së lartë, për shkak të rrezikshmërisë së kryerjes së kësaj vepre penale", thuhej në kërkesën e prokurorisë, e cila është pranuar nga gjykata.

S.Ç.