Pas gjashtë muajsh hetimi policia e Fierit ka mundur të identifikojë dhe të arrestojë autorët e vjedhjeve të njëpasnjëshme të kabllove elektrikë që furnizonin me energji pompat e Ujësjellësit. Vjedhjet në linjën përcjellëse të tensionit pranë fshatit Varibop kanë lënë herëpashere pa ujë Patosin dhe një pjesë të Fierit.





Sipas policisë bëhet fjalë për vetë punonjësit e Ndërmarrjes së
Ujësjellësit, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin - në kohë të
ndryshme - kanë kryer 5 herë vjedhjen e kabllove prej bakri dhe i kanë
shitur ato për skrap. Katër prej punonjësve janë vënë në pranga, ndërsa
katër të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.



Si pasojë e vjedhjes së fundit e cila zbuloi edhe grupin që vepronte
brenda Ujësjellësit, 60 mijë banorë të Patosit mbetën dje pa ujë.
Drejtori i Ujësjellësit të Patosit, Baftiar Gropa i cili tashmë po
hetohet në gjendje të lirë, tha një ditë më parë se ndërmarrja që ai
drejtonte nuk kishte më mundësi financiare për të përballuar
zëvendësimin e kabllit të vjedhur.



 



Aleksandër Nushi