Dash Frashëri - Të martën e kaluar, në sallën luksoze të hotel “Adratik” në Durrës, Armand Duka, u rizgjodh për herë të tretë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, duke qenë pjesë e klubit të 53 presidentëve të federatave europiane, të cilat bëjnë pjesë në UEFA, qeveria kontinentale e futbollit. Po kush janë 53 presidentët e federatave europiane që bëjnë pjesë në UEFA; çfarë i lidh ata me futbollin dhe cila është jeta e tyre pa top? Sa janë të lidhur dhe mbështeten nga politika. Në Angli, Triesman, është i partisë së kryeministrit Gordon Braun, ndërkohë që në Gjermani, Zvanxiger, i partisë së kancelares Angela Merkel.


Albania-sport.com bën një prezantim të detajuar te gjithe presidenteve


SHQIPËRIA - Armand Duka (ne foto me Vilarin e Spanjes), një ekonomist 47-vjeçar (dega industri), pas fitoreve në vitin 2002 (kundër Mehdi Bushtatit), 2006 (kundër Edmond Haxhiut dhe Salvador Kaçajt) e tani, më 9 mars 2010 kundër Refik Halilit e Rudi Vatës, konfirmoi veten bindshem si një nga njerëzit me të fuqishëm në futbollin shqiptar në 20 vitet e Demokracisë shqiptare. 12 vite president.


ANGLIA - David Maxim Triesman, apo Baron Triesman, 66 vjeç, është presidenti i Federatës Angleze të Futbollit (FA), duke zëvendësuar Xheof Tompsonin, pas tetë vjetësh në detyrë të këtij të fundit. Triesman, një politikan i njohur britanik, është anëtar i Shtëpisë së Lordëve, dhoma e dytë e parlamenntit anglez, si përfaqësues i partisë laburiste të kryeministrit aktual, Gordon Braun. Është në detyrën e presidentit të federatës nga janari i vitit 2008. Më parë kishte qenë ministër i Departamentit të Shpikjeve, Universiteteve dhe Aftësive. Kur ishte 23 vjeç u bashkua me Partinë Komuniste angleze deri në vitin 1976, e më pas kaloi te Partia Laburiste (e Punës) në vitin 1977. Është tifoz i deklaruar i Totenhemit. Triesman është i pari president plotësisht i pavarur i Federatës Angleze të Futbollit. Triesman njihej si një student radikal dhe ishte pezulluar nga Universiteti i Juseksit për shkak të pjesëmarrjes së tij në protesta. Pas përjashtimit ai u rikthye në shkollë falë protestave të studentëve. Ka marrë titullin Lord.


GJERMANIA – Teo Zvanxiger, jurist, 65 vjeç, është presidenti aktual i Federatës Gjermane të Futbollit, ose e njohur shkurt DFB. Për kontributin e tij në futbollin gjerman është dekoruar me “Kryqin e Shërbimit të Gjermanisë Federale” Bundesverdienstkreuz) në vitin 2005. Zvanxiger ka qenë një futbollist amator me klubin e qytetit të tij, VfL Altendiez (luajti deri në vitin 1975). Zvanziger studioi për drejtësi në Mainc dhe u diplomua në ligjishmërinë konstitucionale dhe fiskale. Ka punuar si gjykatës (1980-1985), duke përfaqësuar më pas në qeverinë rajonale të Rhineland-Palatinate, partinë CDU të kancelares së sotme Angela Merkel. Në Federatën Gjermane hyri si anëtar i Komitetit Ekzekutiv (1992) dhe u bë një nga promotorët e autonomisë së ekipeve profesioniste të Bundesligës, duke krijuar Ligën Profesioniste (2001), apo DFL-në siç njihet në Gjermani. Në vitin 2001 u bë sekretar i thesarit në DFB dhe në vitin 2003 u zgjodh zëvendëspresident. Zvanxiger, më 8 dhjetor 2006, u emërua bashkë-president i Federatës Gjermane përkah Gerhard Mayer-Vorfelder. Pasi Mayer-Vorfelder la DFB-në, për tu bërë zevendëspresident i UEFA-s në vitin 2007, Zvanxiger mbeti presidenti i vetëm i federatës. E famshme është grindja e Zvanxiger me gazetarit sportiv Jens Vajrash, ky i fundit e quajti atë “një demagog i pabesueshëm”. Pas një serie të gjatë akuzash e replikash mediatike, ku u përfshinë në lojë federata dhe organizata e gazetarëve, çështja shkoi më pas deri në dyert e gjykatave, por gjithçka u zgjidh në mirëkuptim, më 27 mars 2009, jashtë gjyqësorit. Zvanziger është presidenti i dhjetë i Federatës Gjermane të Futbollit. I pari, ka qenë Ferdinand Huepe (1900-1904).


ITALIA – Xhankarlo Abete, 59 vjeç, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, është një biznesmen dhe politikan. Është diplomuar për Ekonomi dhe Tregëti në Univeristetin e Romës “Sapienca”. Abete ka qenë deputet në te legjislatura në Itali (1979-1992), duke përfaqësuar Partinë Demokracia Kristiana, të shkatërruar në vitin 1994, e ku një prej përfaqësuesve të saj më të njohur është senatori i përjetshëm Xhulio Andreoti (shtatë herë kryeministër i Italisë). Abete është biznesmen në sektorin e grafikës dhe informacionit dhe kryeson multigrupin “Abete”. Nga viti 1989 deri në vitin 1990 ka qenë shefi i sektorit teknik të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), ku ishte përgjegjes për Ligën e Futbollit të Serisë C. Ka qenë dy herë zëvendëspresident i federatës (1996-2000, 2001-2006). Është zgjedhur president i Federatës Italiane, ëm 2 prill 2007, me 266 vota nga 271 të vlefshme, pas periudhës së komisarit të jashtëzakonshëm Luka Pancali, i emëruar pas skandalit të “Kalçiopolit”, që solli edhe dorëheqjen e Franko Karraros. Xhankarlo Abetë është vëllai i Luixhi Abetes, presidentit të Bankës Lavoro të Livornos.


SPANJA – Federata Mbretërore e Futbollit Spanjoll ka në krye prej 22 vjetësh Angel Maria Vilar, ky i fundit ishte i pranishëm edhe në Asamblenë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Vilar, 60 vjeç, i zgjedhur në vitin 1988, është presidenti i 23-të i federatës spanjolle, teksa i pari është Francisco Garsia (1913). Angel Maria Vilar Lona është një ish-mbrojtës profesionist i Atletiko Bilbaos, fanellën e së cilës e veshi për 10 sezone, duke fituar kupën “Mbretit” të vitit 1973. Vilar mbahet mend në futbollin spanjoll, për goditjen e pamëshirshme me bërryl të yllit holandez të Barcelonës, Johan Krujf, gjatë një ndeshje të vitit 1974, dhe ku u ndëshkua me katër ndeshje pezullim. Zhvilloi më shumë se 300 ndeshje me Atletiko Bilbaon. Në vitin 1979, edhe pse ishte një futbollist aktiv, Vilar u diplomua për jurist, çka i ofroi atij mundësinë për të pasur poste të ndryshme në hierarkinë e futbollit. Në vitin 1978, ai ishte një nga themeluesit e Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë. Pasi kishte punuar për Federatën Spanjolle të Futbollit nën urdhrat e presidentit, Hoze Luis Roka, Vilar u votua si pasuesi i tij në vitin 1988, ku vazhdon të mbretërojë edhe sot e kësaj dite. Vilar ka poste të ndryshme në FIFA dhe UEFA, duke qenë zëvendëspresident i FIFA-s (nga viti 2000) dhe zëvendëspresidenti i tretë i UEFA-s (nga vitit 1992). Suksesi më i madh i tij është fitimi i Kampionatit Europian 2008 nga Spanja. Hobi i Vilarit është muzika dhe historia. Vilar u zgjodh president për herë të parë, më 29 korrik 1988, me 216 vota. Më 30 qershor të vitit 1992 me 125 vota nga 127 të mundshmet. Më 3 qershor 1996 u votëbesua em 131 vota nga 150 delegatë. Më 7 shkurt të vitit 2000 mori 95.80 për qind të votave, dhe së fundi në mandatin e tij të gjashtë, më 24 nëntor 2008, mori 144 vota nga 165 të pranishmit.


FRANCA – Zhan-Pier Eskalet, 75 vjeç, është zgjedhur në krye të Federatës Franceze të Futbollit (FFF) nga 12 shkurti i vitit 2005, ku arriti të fitojë me 92.56 për qind të votave, duke pasuar Klod Simone, ky i fundit ishte në kolltukun presidencial, 11 vjet (1994-2005). Eskalet është presidenti i 11-të i Federatës Francëze, i pari është i famshmi Zhyl Rime, ideatori i Kampionatit Botëror të Futbollit. Eskalet, një lojtar i klubit të studentëve të Bordosë (1952-1959), është diplomuar si profesor i gjuhës angleze. Në vitin 1985 ai u zgjodh anëtar i Këshillit Federal të FFF-së, pesë vjet më pas, 1990, ai u bë sekretar i përgjithshëm. Në vitin 1995 u zgjodh president i i Këshillit Kombëtar të Futbollit Amator (CNFA), një organizëm i ri. Në vitin 2000, CNFA u transformua në Ligën Federale të Futbollit Amator, të cilën Eskalet e kryesoi si president deri në 8 janar të vitit 2005. Më 12 shkurt 2005, ai u zgjodh president. Federata Franceze e Futbollit ka gjashtë zëvendespresidentë.


RUMANIA - Mirçea Sandu, 58 vjeç, një ish-sulmues i Kombëtares (18 ndeshje, 6 gola), është presidenti i Federatës së Rumanisë nga viti 1990, duke qënë gati 20 vjet në këtë detyrë, më i vjetri pas Vilarit të Spanjës. Është rizgjedur në vitin 2005 dhe 2010. Nga nga janari i vitit 2007 është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Nofka e tij në shtypin rumun “Gjyshi”. Rumania është një prej kundërshtarëve të Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2012-s.


BOSNJA – Sulejman Colakoviç është presidenti i Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës nga nëntori i vitit 2009. Bosnja është një prej kundërshtarëve të Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2012-s. I famshëm është një peticion drejtuar FIFA-s nga Stephen Tvrtko, ku Sulejman Colakoviç, por dhe Iljo Dominkovic, Munib Usanovic dhe Bogdan Ceko, konsiderohen si kriminelë që duan të shkatërrojnë futbollin vendas.


BJELLORUSIA – Genadi Nevyglas, 56 vjeç, është në krye të federatës bjelloruse nga 20 marsi i vitit 2003. I diplomuar në Shkollën e Lartë Ushtarake në Moskë, të financuar nga KGB-ja e famshme, Nevyglas ka shërbyer edhe si sekretari i Shtetit për Sigurinë Kombëtare të Bjellorusisë (2001-2006) dhe si kreu i administratës presidenciale të Bjellorusisë (2006-2008). Është anëtar i i presidiumit të shoqërisë sportive “Dinamo”


LUKSEMBURGU – Pol Filip, 59 vjeç, presidenti aktual i Federatës së Luksemburgut, është një ish-futbollist 54 ndeshje, 4 gola me Kombëtaren) dhe trajner (1985-2001). Është zgjedhur president në vitin 2004, duke qenë i 12-ti që drejton një prej kundërshtarëve të Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2012-s.




HOLANDA - Michael van Prag, 62 vjeç, është presidenti i Federatës Holandeze të Futbollit, apo shkurt në gjuhën holandeze, KNVB. Van Prag ka për një periudhë 14 vjeçare presidneti i Ajaksit të Amsterdamit (1989-2003), ashtu si i ati i tij, Jaap van Prag (1964-1978)te klubi amsterdamas. I ati i tij fitoi 3 Liga të Kampioneve me Ajaksin e kohës së Rinus Mishelsit dhe Johan Krujfit. Van Prag ka fituar si president Kupën UEFA (1992) dhe Ligën e Kampioneve (1995). Më 27 gusht të vitit 2008 ai zgjodh president i federatës, duke pasuar në këtë detyrë, Jeu Sprengers. Michael van Prag ka përfunduar studimet në Universitetin Teknik Delft për kimi industriale. Van Prag ka qenë një gjyqtar dhe futbollist amator, por dhe një i apasionuar pas muzikës, sidomos pas pianos dhe daulles, madje ishte dhe një pjestar i bandës muzikore kur luante ekipi kombëtar holandez.


RUSIA – Vitali Mutko, 51 vjeç, është presidenti i Federatës Ruse. Një konsomalas i devotshëm, i specializuar si inxhinier mekanik marine, më pas fitoi dhe një diplomë juristi, e tashmë është kandidat i shkencave ekonomike. Mik personal i Vladimir Putinit, pasi që të dy kanë punuar bashkë në administratën e St.Petërsburgut. Në nëntor të vitit 1992, Mutko ishte kurator i Zenit St. Petërsburgut, dhe 3 vjet më pas president, ku qëndroi deri ri në vitin 2003. Në 2 prill të vitit 2005, një konferencë speciale për futbollin Mutko u zgjodh president i Federatës Ruse të Futbollit, duke fitua votat e 96 nga 99 anëtarët e Komitetit Ekzektutiv të federatës. Një nga qëllimet e tij ishte punësimi i një trajneri të huaj në krye të Kombëtares, çka u realizuar me nënshkrimin e kontratës me holandezin e famshëm Gus Hidink. Në vitin 2006, Mutko u zgjodh në Komitetin Teknik dhe Zhvillimit të FIFA-s, dhe nëj viti më vonë (2007), ai u bë për herë të dytë senator i Shën Petërsburgut. Mutko, një besnik i Vladimir Putinit, është edhe i pari ministër i Sportit, Turizmit dhe Politikave për të Rinjtë në qeverinë e Putinit.


ARMENIA - Ruben Hayrapetyan, 47 vjeç, është presidenti i Armenisë së largët. Ekonomist me profesion. Në detyrë nga viti 2002, i rizgjedhur sërish në vitin 2006. Deputet në vitin 2003. Kur u kryen votimet, një agjenci lajmesh armene, 168.am, shkruante se televizioni “Yerkir Media’, se “nuk ishte e vërtetë që bodigardët e tij kishin kërcënuar me pistoletë votuesit”.


AZERBAJXHANI - Rovnag Ibrahim Abdullayev, 44 vjeç, është diplomuar për inxhinieri civile në Univeritetin Shtetëror të Inxhinierëisë Civile të Moskës. Presidenti i Federatëss së Azerbajxhanit, në detyrë nga viti 2008, është gjithashtu drejtor i kompanisë së naftës “Socar” dhe deputet në Asamblenë Kombëtare të Azerbajxhanit.


AUSTRIA - Leo Ëindtner, 49 vjeç, ekonomist, është president i Federatës Austriake që nga 1 marsi i vitit 2009, duke pasuar në detyrë Friedrich Stickler. Më parë ishte zëvendëspresident i federatës. Mundi dy rivalë të tij në zgdhje: Gerhard Skoff dhe Günter Kaltenbrunner. Dr. Ëindter është gjithashtu zëvendpresident i Shoqatës së Kompanive Austriake të Elektricitetit.


BELGJIKA – François De Keersmaecker, 51 vjeç, që nga 24 qershori i vitit 2006 është presidneti i Federatës Belge të Futbollit (KBVB). Është diplomuar si jurist dhe gjatë karrierës së tij ka punuar si avokat në Meshelen. Është anëtar i Komisionit Juridik të UEFA-s, që nga 1 korrik i vitit 2007.


BULLGARIA - Borislav Mikhailov, 47 vjeç, është një ish-portier, që tashmë është ulur në fronin e presidentit të Federatës Bullgare të Futbollit. Mikhailov ka qenë kapiteni i ekipit Kombëtar që zuri vendin e tretë në Kupën e Botës 1994 në Shtetet e Bashkuara di dhe në Euro 1996. Ishte zëvendëspresident i federatës nga viti 2001 deri në 2005, kur dhe zëvendësoi Ivan Slavkovin si president.


ÇEKIA – Ivan Hashek, 46 vjeç, është presidenti i Federatës Çeke. Hashek është një ish-futbollist i Kombëtares (56 ndeshje) dhe ish-trajner. Ka qenë kapiteni i ekipit Kombëtar çek që morri pjesë në Kampionatin Botëror 1990. Jurist me profesion. Në detyrën e presidentit është nga qershori i vitit 2009, teksa ishte dhe trajneri i Kombëtares deri, më 14 tetor 2009.


DANIMARKA – Alen Hansen, 53 vjeç, është në detyrën e presidentit të Federatës Daneze nga viti 2002. Ka luajtur si futbollist me gjashtë klube, midis tyre edhe me Hamburgun, me të cilin fitoi Bundesligëm germane dhe Kupën e Eurupës në vitin 183. Ka luajtur 16 ndeshje me Danimarkën (3 gola)


GREQIA – Sofoklis Pilavios, 44 vjeç, zëvendësoi Gagatsis në krye të Federarës Greke, pas dorëheqjes së këtij të fundit, ende pa mbaruar zyrtarisht mandatin. Komitetit Ekzektuvi i federatës ka 21 anëtarë, ku katër prej tyre janë zëvendëspresidentë sipas një radhe të caktuar. Pilavios është jurist dhe është inspektor i Disiplinës në UEFA.


KROACIA – Vlatko Markoviç, 73 vjeç, një ish-futbollist i Kombëtares së Jugosllavisë dhe trajneri i disa ekipeve në Kroaci, Francë dhe Belgjikë, është zgedhur president për herë të parë, më 18 dhjetor 1999. U rizgjodh në vitin 2002 dhe, më 16 dhjetor 2006 fitoi për herë të tretë me një mbështetje unanime.


IZRAELI- Avraham Luzon, 55 vjeç, është bosi i Federatës Izraelite të Futbollit. Menaxheri i “Discount Izrael Bank” është në detyrën e presidentit nga marsi i vitit 2007. Pasoi në detyrë Itzhak Menachem, ky i fundit e mbajti vetëm për katër vjet postin e tij.


IRLANDA – David Blood është presidenti i Federatës së Irlandës.


IRLANDA E VERIUT - Raymond Kennedy, 59 vjeç, është presidenti i Federatës së Irlandës së Veriut.


ISHUJT FAROE – Hogni Storustovu është presidenti i Federatës modeste të Ishujve Faroe.


ISLANDA – Geir Thorsteinsson është presidenti i Federatës së Irlandës.


ANDORRA – Antoni Giribet Fiter është presidenti i Federatës së Andorrës, shtetit të vogël që kufizohet me Francën dhe Spanjën.




LETONIA – Guntis Indriksons, 49 vjeç, është presidenti i Federatës së Letonisë, nga viti 1996, duke i qenë presidenti i tretë, pas Vladimirs Ļeskovs dhe Modris Supe, qysh kur Letonia u shkëput nga ish-Bashkimi Sovjetik. Pu


MAQEDONIA – Haralampie Hadzi-Risteski është presidenti i Federatës Maqedonase.




MALTA – Jozef Mifsud, 59 vjeç, është një jurist i diplomuar në fushën e së drejtës tregëtare. Ështe zëvendëpresinet i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. President i Federatës Malteze të Futbollit nga viti 1992, duke qenë në detyrë prej 18 vjetësh. Më parë parë në fillimet e karrierës së tij kishte drejtuar Qrendi.


MALI I ZI- Dezhan Saviçeviç, 43 vjeç, është presidenti i Fedetatës së Malit të Zi, nga viti 2004. Saviçeviç është një nga futbollistët më të famshëm që ka nxjerrë fqinj ynë, pasi ka luajtur me Milanin, por dhe me Rapidin e Vjenës, si dhe me Kombëtaren e Jugosllavisë e Malit të Zi. Në vitin 2005 u përfshi në një aksident, ku theu të dy krahët pasi u rrëzua me motoçikletë. Bëri tri opertacione ne Hanover dhe u rikuperua pas gjashtë muajsh.


MOLDAVIA – Pavel Cebanu, 55 vjeç, është presidenti i Federatës Moldave të Futbolit, nga 1 shkurti i vitit 1997. Ka qenë më parë një ish-futbollist i Zimbru, 341 ndeshje, 45 gola. Është zgjedhur “Golden Player” i Moldavisë me rastin e 50-vjetorit të UEFA-s.


POLONIA - Grzegorz Lato, një 59 vjeç, është një ish-futbollist i famshëm i Polonisë, tashmë në detyrën e presidentit të federatës polake, i zgjedhur më 30 tetor të vitit 2008.


PORTUGALIA – Gilberto Madail, 66 vjeç, president i Federatës Portugeze të Futbollit nga viti 1996, pra 14 vjet në detyrë. Ëështë anëtar i Komitetit Ekzekutiv nga viti 2004. Ekonomisti çuditërisht ka lindur në Kongo të Afrikës.


SERBIA – Tomislav Karaxhiç, 71 vjeç, është presidenti i Federatës Serbe të Futbollit. Është në detyrë nga korriku i vitit 2008, ku fitoi mandatin për të qeverisur futbollin serb deri në vitin 2012. Është diplomuar për Ekonomi.


SLLOVAKIA – Frantisheek Laurinec, 59 vjeç, është presidenti i Federatës Sllovake të Futbollit, nga viti 1999. Ka luajtur futboll me Iskra Partizanske dhe ka punuar te Inter Bratislava. Laurinec ka puuar si msësues në Akademinë e Policisë në Bratislavë.


SAN MARINO – Giorgio Crescentini është presidenti i Federatës modeste të San Marinos, shtetit brenda shtetit të Italisë. Ish-mbrojtësi është president që nga viti 1985. Është diplomat karriere.




UKRAINA – Grigoriy Surkis, 60 vjeç, është presidenti i Federatës Ukrainase të Futbollit. Është diplomuar në Kiev si inxhinier mekanik i industrisë ushqimore. Ka shërbyer si president i Dinamos së Kievit (1993-1998), e katër vite të tjera si president nderi. Ka qenë zëvendëspresident i federarës (1996-2000), ndërkohë që është në mandatin e tij të tretë si president, deri në vitin 2012.


TURQIA – Mahmut Ozgener, 46 vjeç, është njeriu më i fuqishëm në federatën turke. Është në këtë detyrë nga 19 gushti i vitit 2008, kur zëvendësoi Hasan Doganin, ky i fundit vdiq pas një ataku kardiak. Ozgener është presidenti i 38-të i Federatës Turke të Futbollit. Më parë Ozgener ka qenë president i klubit Altay të Izmirit.


ZVICRA – Presidenti i Federatës Zvicerane është 56-vjeçari Peter Gillieron, një jurist, i lindur në Breshia të Italisë, por i mbërritur në Zvicër kur ishte 13 vjeç. Jurist me profesion. Është zgjedhur në këtë post, më 13 qershor të vitit 2009, me 80 për qind të votave. Më parë kishte qenë sekretar i përgjitshëm i federatës helvetike.




UEFA, atje ku mblidhen të “fortët”


Bashkimi i Shoqatave Europiane të Futbollit (The Union of European Football Associations ), apo shkurt UEFA, është qeveria e futbollit, e cila kontrollon dhe administron lojën e topkëmbës në Europë. Në të bëjnë pjesë aktualisht 53 vende, përfshirë edhe Shqipërinë, por ende jo Kosova, shteti më i ri i në botë. Gjithsesi disa federata, të cilat gjeografikisht shtrihen në Azi, ose më së shumti në Azi, të tilla si Armenia, Gjeorgia, Kazakistani, Turqia, Izraeli, Qipro, Rusia dhe Azerbajxhani ( Israeli dhe Kazakistani ka qenë më parë pjesë konfederatës afrikane).


UEFA është më e madhja e gjashtë konfederatave kontinentale që aderojnë në FIFA, duke qenë njëherësh edhe më e fuqishmja në termat e pasurisë dhe influencës në nivelin e klubeve. Virtualisht lojtarët më të mirë të botës luajnë në ligat europiane, kjo edhe për shkak të pagesave shumë të larta në klubet më të pasura të botës, veçanërisht në Angli, Spanjë, Itali dhe Gjermani. Shumë nga ekipet kombëtare më të forta në botë janë në UEFA. Nga 32 vende të vlefshme për Kampionatin Botëror, 13 prej tyre i përkasin ekipeve të kommbëtare të UEFA-s, dhe aktualisht 12 nga 20 ekipet më të mira të renditura në FIFA janë europiane.




UEFA u themelua, më 15 qershor të vitit 1954 në Bazel të Zvicrës, dhe selia e saj aktuale ndodhet në Nion, po të Zvicrës. Shqipëria ishte një nga anëtaret themeluese të UEFA-s. Selia e saj e parë, deri në vitin 1959 ndodhej në Paris, e më pas lëvizi në Bernë. Henri Delaunaj ishte Sekretari i parë i Përgjithshëm, ndërsa president ishte Ebe Shvarc. Gjithçka nisi me 25 federata që u bashkuan në UEFA, ndërkohë që tani numri ka shkuar në 53. Ekipet kombëtare të zonës së UEFA-s, ka në fituar së bashku 9 Kampionate Botërore (Italia, 4; Gjermania, 3; Anglia dhe Franca, secila nga një).


Presidenti aktual i UEFA-s është francezi Mishel Platini, në këtë detyrë nga 26 janari i vitit 2007, kur ai fitoi zgjedhjet kundër suedezit Lenart Johanson, në Kongresin e Duseldorfit në Gjermani.


Shteti Presidenti


Shqipëria : Armando Duka

Andorra: Antoni Giribet Fiter

Armenia: Ruben Hayrapetyan

Austria : Leo Windtner

Azerbajxhani: Rovnaq Abdullayev

Anglia: David Triesman

Bjellorusia: Gennadi Nevyglas

Belgjika: François De Keersmaecker

Bosnja : Sulejman Çolakoviç

Bullgaria: Borislav Mihailov

Kroacia: Vlatko Markoviç

Çekia: Ivan Hashek

Danimarka: Allan Hansen

Estonia :: Aivar Pohlak

Finlanda Sauli Niinisto

Franca : Jean-Pierre Escalettes

Gjeorgjia : Domenti Sichinava

Gjermania: Theo Zvanziger

Greqia :Sofoklis Pilavios

Holanda : Michael van Praag

Hungaria :Istvan Kisteleki

Irlanda :David Blood

Irlanda e Veriut: Raymond Kennedy

Ishujt Faroe: Hogni Storustovu

Islanda :Geir Thorsteinsson

Italia :Giancarlo Abete

Izraeli : Avraham Luzon

Kazakistani: Adilbek Jaxybekov

Letoni : Guntis Indriksons

Liehtenshtejni :Reinhard Walser

Lituania :Liutauras Varanavicius

Luksemburgu: Paul Philipp

Maqedonia : Haralampie Hadji-Risteski

Malta : Joseph Mifsud

Moldavia : Pavel Cebanu

Mali i Zi : Dejan Savicevic

Norvegjia : Sondre Kafjord

Polonia :Grzegorz Boleslaw Lato

Portugalia : Gilberto Madaíl

Qipro :Costakis Koutsokoumnis

Rumania : Mircea Traian Sandu

Rusia :Vitali Mutko

San Marino : Giorgio Crescentini

Skocia : George Peat

Serbia : Tomislav Karadxhic

Sllovakia : Frantishek Laurinec

Sllovenia : Ivan Simic

Spanja : Angel Maria Villar Llona

Suedia :Lars-Ake Lagrell

Turqia : Mahmut Ozgener

Ukraina : Hryhoriy Surkis

Uellsi :Philip Prichard

Zvicra : Peter Gilliéron


Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Premte, 12 Mars 2010








Shto dhe ti komentin tend



Emri dhe e-maili