Deklarata e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi:

Përshëndetje!

Kam kënaqësinë që nëpërmjet jush të sqaroj të gjithë qytetarët shqiptarë për miratimin e 4 vendimeve shumë të rëndësishme që lidhen drejtpërsëdrejti me çdo pensionist të vendit tonë dhe me skemën e kontributit shoqëror, një angazhim madhor ky i qeverisjes sonë për t'i dhënë fund kaosit që trashëguam nga qeverisja e vjetër në institucionet e përkujdesjes shoqërore.

Si vendim më të rëndësishëm të Këshillit të Ministrave, veçoj atë të rritjes së pensioneve:

Këshilli i Ministrave miratoi sot Vendimin për rritjen e pensioneve në bazë të indeksit të çmimeve. Rritja e pensioneve do të bëhet për të gjithë kategoritë e pensionistëve dhe ajo do të jetë në masën e 1.6%. Rritja e pensioneve 1.6% është më e lartë se një vit më parë, ku pensionet u rritën me vetëm 1.3% dhe më e lartë se inflacioni i çmimeve të këtij viti që ka qenë 1.2%.

Dua të theksoj, gjithashtu, se rritja e pensioneve këtë vit, u realizua, për herë të parë, e përllogaritur në bazë të çmimeve të shportës së posaçme të mallrave e shërbimeve për pensionistë. Kjo na dha mundësinë të bëjmë një rritje të pensioneve edhe më të lartë se çmimet e inflacionit të shportës për pjesën tjetër të qytetarëve.

Rritja e pensioneve vë në jetë premtimin tonë për vëmendje ndaj kësaj kategorie, ndaj të cilës ndjejmë detyrimin tonë madhor që vazhdimisht të bëjmë përmirësime dhe përmirësime të vazhdueshme të kësaj skeme.

Dua të theksoj gjithashtu, se filozofia jonë e rritjes së pensioneve është krejtësisht e ndryshme nga ajo e paraardhësve tanë, të cilët pa asnjë lloj analize dhe në kundërshtim të hapur me ligjin çuan drejt falimentimit skemën e kontributeve shoqërore.

Ndryshe nga kundërshtarët tanë polikë, që pa pikë përgjegjësie, pensionet i trajtuan si vendime politike elektorale, qasja jonë është krejtësisht e ndryshme. Vendimet tona për pensionet, kanë në balancë rritjen e pensioneve dhe garantimin e qëndrueshmërisë së skemës së kontributeve shoqërore.

Rritja e pensioneve, vendim që ne e morëm sot, do të zbatohet nga data 1 Gusht e vitit 2016. Efektet financiare për zbatimin e këtij projektvendimi, nga data 1 Gusht e këtij viti e deri në fund të vitit, llogariten në shumën e 662 milion lekëve dhe do të përballohen nga fondet e planifikuara për rritjen e pensioneve në buxhetin e shtetit të këtij viti. Pra, në gjysmën e dytë të këtij viti. Kjo, si pasojë e performancës së shkëlqyer që po bën sistemi i ri i pensioneve në vendin tonë.

Nga rritja e pensioneve, e parashikuar në këtë projektvendim, do të përfitojnë plot 635 mijë pensionistë, prej të cilëve, 461 mijë janë pensionistë në qytet dhe 142 mijë pensionistë që marrin pensionin në zonat rurale.

32 mijë janë pensionet e parakohshme suplementare të ish-ushtarakëve, policëve dhe punonjësve të Gardës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, Policisë së Burgjeve, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shërbimit të punonjësve të Kontrollit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, si dhe trajtime të veçanta të ish-punonjësve të nëntokës, industrisë ushtarakëve, ish-pilotëve, ish-ushtarakëve dhe atyre të nëndetëseve të vendit tonë.

Edhe pas aplikimit të indeksit, pensionisti, krahas të ardhurave nga pensionet, do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave. Krahas vendimit për rritjen e pensioneve, qeveria kaloi sot edhe disa vendime të tjera në shërbim të kësaj skeme.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për barazimin e masës së shtesës së pensioneve të posaçme shtetërore. Vendimi rregullon një padrejtësi të viteve të tëra ndaj një sërë figurash të vlerësuara të artit, kulturës, sportit, shkencës që kanë dalë në vite të ndrysmë në pension me vendimet për pensionistët e posaçëm për këto personalitete të dala në kohë të ndryshme.

Këto pensione kanë qenë jo të barabarta, duke qenë se në vite të ndryshme trajtimet me pensione të veçanta kanë qenë të ndryshme. Për këtë shkak, këta emra të shquar të këtyre fushave, ndaj të cilëve të gjithë kemi respekt e nderim të veçantë për kontributin që kanë dhënë, do të marrin tashmë pensione të barabarta.

Me anë të këtij vendimi, ne shmangim këto padrejtësi, duke bazuar trajtimin financiar përmes akordimit të shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror. Sipas këtij vendimi, parashikohen të përfitojnë plot 286 personalitete, të cilët aktualisht përfitojnë pension pleqërie, ose familjar dhe kanë kontribuar në fushat e përmendura.

Efektet financiare të këtij vendimi fillojnë nga data 1 Gusht e këtij viti dhe fondi për to është mbuluar krejtësisht nga buxheti i shtetit. Edhe këto pensione do të indeksohen në masën 1.6%, si gjithë pensionet e tjera.

Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu edhe dy vendime të tjera që shkojnë në drejtim të përmirësimit të kritereve, rregullave dhe procedurave për përfitimin e pensionit. Janë bërë disa rregullime për këto kategori dhe skema e vjetër e pensioneve përditë po fshihet nga pengesat dhe problematikat e krijuar nga moskokëçarja e qeverisës së vjetër për këtë piramidë shtetërore.

Pavarësisht këtyre vendimeve, vendime të tjera ne kemi në shqyrtim për t'i dhënë fund njëherë e përgjithmonë këtij kaosi që është krijuar në skemën e kontributeve shoqërore. Do t'i japim fund padrejtësive, trajtimit të pabarabartë, burokracive, zvarritjeve të mundimeve të qytetarëve shqiptarë për përftimin e kontributeve të tyre të dhëna në vite.

Po bëhet një punë voluminoze, titanike, e përditësuar për të rregulluar çdo padrejtësi të krijuar në vite, për çdo grupim, i madh apo i vogël, me synimin e vetëm: secili të marrë atë që meriton, sipas kontributit dhe çdo qytetari t'i shërbehet shpejt pa vonesa, pa pengesa, pa zvarritje për të marrë gjithsecili atë që i takon.

Faleminderit!