Viti 1968, vit i demonstratave studentore të 27 nëntorit, që janë objekt trajtimi i kësaj konference shkencore; i Konsultës së njohur Gjuhësore të Prishtinës, në të cilën u mor vendimi historik që shqiptarët në ish-Jugosllavi të përdornin të njëjtën gjuhë, përkatësisht të njëjtin drejtshkrim, që ishte në përdorim në shtetin amë, Republikën e Shqipërisë; viti i shënimit dinjitoz të 500-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe i një varg ngjarjesh të tjera me karakter politik, arsimor e kulturor, për shumë arsye, mund të quhet vit i Rilindjes së Shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqiptarëve në ish-Jugosllavi në përgjithësi.



Përse e quajmë ‘68-n vit të Rilindjes së Shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe ku e mbështesim këtë pohim?



Për mua si njeri i letrave, që gjuhën e ka pothuajse gjithçka dhe që e konsideron atë, si shumë të tjerë, tiparin themelor të ndërgjegjes dhe të identitetit kombëtar, vetëm Konsulta Gjuhësore po të kishte ndodhur në vitin 1968 do të mjaftonte që ky vit ta meritonte këtë epitet. Gjashtëdhjetë vjet më parë, në Manastir, shqiptarët kishin vendosur të shkruanin me një alfabet të vetëm - të bazuar kryekreje mbi alfabetin latin - e jo me disa sosh si më parë, kurse tani, në Prishtinë, intelektualët shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, vendosnin njëzëri që tani e tutje të flisnin e të shkruanin njësoj sikurse vëllezërit e tyre në Shqipërinë shtetërore: me të njëjtën gjuhë letrare, me të njëjtin drejtshkrim dhe me të njëjtën normë gramatikore. Të dyja këto: alfabeti unik dhe gjuha e përbashkët letrare kishin qenë ëndërr shekullore e shqiptarëve brez pas brezi. E para u bë realitet më 1908 në Manastir, për t‘u vulosur në Vlorë më 1912 me dokumentin e Pavarësisë të shkruar me atë alfabet, kurse e dyta më 1968 në Prishtinë, më saktësisht pesë vjet më vonë në Tiranë, më 1972, kur u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në të cilin u arrit përfundimisht marrëveshja e shumëpritur për një gjuhë të vetme letrare kombëtare apo, si e quajmë sot, standarde.



Thënia lapidare: "Një komb - një gjuhë letrare", e shqiptuar nga historiani Ali Hadri, u bë moto e punës së kësaj konsulte, kurse projekti i rregullave të drejtshkrimit, i hartuar nga gjuhëtarët Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Mahir Domi e Emil Lafe dhe i botuar një vit më parë në Tiranë, dokumenti mbi të cilin u mbështet ajo.



Një vit më herët, në Prishtinë kishte rifilluar punën Instituti Albanologjik, i cili ishte mbyllur arbitrarisht pas dy-tre vjet veprimi në vitin 1957, institucion ky, i cili, tok me Katedrën e Albanologjisë të Fakultetit Filozofik, do të bëhen strumbullari i kërkimeve albanologjike në këtë pjesë të hapësirës shqiptare dhe, madje, edhe themelues të albanologjisë si shkencë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e cila duke filluar pikërisht nga ky vit do të bëhet gradualisht qendër shpirtërore e të gjithë shqiptarëve këndej kufirit.



Kishin qenë këto dy institucione që kishin konvokuar mbledhjen e gjerë të gjuhëtarëve dhe intelektualëve të tjerë shqiptarë nga e gjithë hapësira shqiptare në ish-Jugosllavi, të mbajtur në prill të atij viti në Prishtinë, duke i dhënë asaj emërtimin modest "Konsultë Gjuhësore", por duke sjellë një vendim të rëndësishëm - në vendin e duhur dhe në kohën e duhur - vendimin për përqafimin e plotë të variantit gjuhësor, që ishte në përdorim në shtetin amë, Republikën e Shqipërisë. (E shoh të udhës të shtoj këtu në parantezë atë që kam theksuar edhe në një rast tjetër - në sesionin shkencor kushtuar 40-vjetorit të Konsultës të mbajtur në pranverë të këtij viti në Institutin Albanologjik - se po të na kishte zënë viti 1981 në gjendjen gjuhësore të para ‘68-s, pra me variantin e letrarishtes gege që zbatohej deri në mbajtjen e Konsultës, përkatësisht deri në Kongresin e Drejtshkrimit, zgjidhja e problemit të gjuhës letrare shqipe do të komplikohej shumë dhe, madje, edhe do të shtyhej për një kohë të paparaparë, për të mos thënë se as që do të bëhej fare në kushtet e sotme të tendencave të theksuara partikulariste e centrifugale).



Po në vitin 1968, për herë të parë, në Kosovë dhe në Maqedoni u shënuan dy përvjetorë të rëndësishëm: 500-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, Skënderbeut dhe 60-vjetori i mbajtjes së Kongresit të alfabetit të gjuhës shqipe, Kongresit të Manastirit. Në maj të atij viti në Prishtinë u mbajt një simpozium i madh shkencor kushtuar jetës dhe veprës së Heroit Kombëtar, në të cilin, për herë të parë pas luftës merrte pjesë edhe një grup studiuesish nga Tirana në krye me historianin e njohur, Aleks Buda, kurse në Shkup u shënua zyrtarisht përvjetori i Kongresit të Manastirit, me ç‘rast në ndërtesën e Kongresit, në Manastir, atëbotë pronë e familjes Zavalani, u vu një pllakë përkujtimore.



Në vitin 1968 u lejua, pas plot njëzet vjet ndalimi (1948-1968) dhe pas shumë përpjekjesh e sakrificash, përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar në Kosovë, por jo edhe në viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Për popullin shqiptar që jetonte në trojet e veta në shtetin e "kombeve e kombësive të barabarta" me emrin Jugosllavi, ky ishte një akt me domethënie të madhe politike dhe, gjithsesi, edhe një fitore simbolike në fushën e të drejtave kombëtare. Ishte po ai flamur me të cilin partizanët shqiptarë kishin luftuar kundër fashizmit; ishte po ai flamur përdorimi i të cilit qe ndaluar pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në vitin 1948; ishte po ai flamur që pak vjet më parë dhe pikërisht në vitin 1963 ishte shpërndarë ilegalisht nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës nga pjesëtarët e organizatës politike LRBSH (Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve) me në krye Adem Demaçin; ishte po ai flamur për të cilin shqiptarët kishin bërë me qindra e mijëra vjet burg, ashtu siç vazhdonin të dergjeshin ende nëpër kazamatet jugosllave për shkak të bindjeve të tyre politike dhe të mospajtimit me shtypjen e pushtimin.



68-ta mund të quhet vit i integrimit jo vetëm gjuhësor, por edhe kulturor të shqiptarëve. Procesi i filluar simbolikisht një vit më parë i bashkëpunimi kulturor Kosovë-Shqipëri; i shkëmbimit të kuadrove dhe literaturës, si dhe i botimit të veprave letrare të shkrimtarëve bashkëkohorë, do të vijë duke u intensifikuar gjatë dhe pas vitit 1968. Deri atëherë në Prishtinë ishin botuar vetëm veprat e klasikëve si Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Noli, Migjeni e ndonjë tjetër - edhe ato të censuruara - e, në të rrallë, edhe ndonjë shkrimtar i gjallë si St. Spasse (Afërdita), kurse pas ‘68-s do të botohen edhe P. Marko, J. Xoxa, I. Kadareja, A. Abdihoxha, D. Agolli, F. Arapi e të tjerë.



Viti 1968 krijoi kështu premisat për ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi dhe kristalizoi vetëdijen për domosdoshmërinë e vazhdimit të luftës për çlirim e bashkim kombëtar me mjete legale e ilegale.



Nëntori i këtij viti, si shumë herë të tjera gjatë historisë shqiptare, do të hyjë në analet e "mësueses së jetës" si muaj i shpërthimit të demonstratave të fuqishme të rinisë shkollore e studentore në mbarë Kosovën, në të cilat morën pjesë edhe shtresat e tjera të popullsisë (punëtorë, fshatarë, intelektualë etj).



Demonstratat e vitit 1968 në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të Kosovës kishin karakter në radhë të parë kombëtar, sepse kërkesat kryesore të tyre ishin ato për vetëvendosje (deri në shkëputje); për universitet; për barazi ekonomike e politike; për administratë edhe në gjuhën shqipe e përdorim të lirë të flamurit kombëtar, por nuk mungonin në to as notat e revoltës sociale, të nxitura nga pakënaqësia ndaj privilegjeve të të ashtuquajturës "borgjezi e kuqe" (këtë kuptim kishte përmbysja e veturave që gjendeshin në trotuaret e Prishtinës në natën e 27 nëntorit), me çka ato (demonstratat e Prishtinës) afrohen me lëvizjen e madhe studentore dhe protestat e vrullshme (turbulente) që përfshinë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore në pranverë të atij viti.



Demonstratat e nëntorit, krahas Konsultës Gjuhësore ("Një komb-një gjuhë letrare"), manifestimeve për Skënderbeun (emblemën e krenarisë kombëtare) dhe Kongresin e Manastirit (simbolin e njësimit të alfabetit shqip), janë evenimenti kryesor i këtij viti, që në njëfarë mënyre e kurorëzojnë atë, duke i dhënë karakter vërtet historik atij. Si i tillë, viti 1968 paraqet një datë të shënuar jo vetëm në jetën kulturore të shqiptarëve si popull, por edhe në zhvillimin e tij politik e shoqëror.



Ndryshe nga "Maji francez", fjala vjen, furia e të cilit ishte e drejtuar në radhë të parë kundër vlerave tradicionale të shoqërisë borgjeze, kundër kapitalizmit, imperializmit dhe shoqërisë së konsumit, "Nëntori shqiptar" kërkonte liri më të mëdha politike e kulturore për popullin e vet të diskriminuar në raport me popujt e tjerë të bashkësisë së cilës i takonte.



Në vështrim historik viti 1968 mund të krahasohet, pak a shumë, me vitin 1908. Në qoftë se shpallja e Kushtetutës, alias Hyrrietit, nga ana e xhonturqve krijoi disa premisa për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare, shprehje e së cilës në kontekstin e atëhershëm ishte zgjidhja e problemit të alfabetit shqip në Manastir më 1908, hapja e të parës shkollë të mesme në gjuhën shqipe, Normales së Elbasanit, më 1909 etj., ashtu edhe Plenumi i Brioneve i vitit 1966, pastaj amendamentet kushtetuese të viteve 1968-‘69 e 1971-‘72 dhe sidomos Kushtetuta e ‘74-s, krijuan klimë e mundësi për zgjerimin e institucioneve kulturo-arsimore në Kosovë dhe për zgjidhjen e disa problemeve nga kjo fushë, siç janë, fjala vjen, vendimi për përqafimin e gjuhës së njësuar letrare në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës më 1968, themelimi i Universitetit të Prishtinës më 1970, shënimi i përvjetorëve të ngjarjeve e personaliteteve të rëndësishme historike, zgjerimi i rrjetit shkollor dhe i kuadrit arsimor, rritja e veprimtarisë botuese etj.



Gjashtëdhjetë vjet pas, në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, në njëfarë mënyre po përsëritej historia.



Urtia e lashtë thotë se çdo krahasim çalon, por ngjashmëria në këtë rast është vërtet e madhe. Për më shumë kjo ngjashmëri nuk mungon as në një plan tjetër - në atë të strategjisë politike të pjesës më të vetëdijshme të kombit: të përfitohej nga situata e krijuar, por kurrsesi të mos hiqej dorë nga aspirata e çlirimit kombëtar dhe e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Demagogjia e xhonturqve në vitin 1908, e as e Lidhjes së Komunistëve gjashtëdhjetë vjet më vonë, nuk duhej t‘i vinte kurrsesi në gjumë forcat e vërteta kombëtare, në atë kuptim që fitimi i disa të drejtave e lirive të mos merrej kurrsesi si sendërtim i synimit historik. Reformimi i sistemit ose edhe liberalizimi i tij, nuk mund të jenë në asnjë mënyrë zëvendësim për lirinë. E sëmura e Bosforit - Perandoria Osmane dhe e sëmura e Ballkanit - Jugosllavia e Titos, po përjetonin çaste të rënda secila në kohën e vet dhe nuk e kishin të largët ditën e shpërbërjes së tyre, prandaj shqiptarët duhej të mendonin për vendin e tyre pas kësaj katrahure.



Sikundër atdhetarët e vërtetë shqiptarë të fillimit të shekullit, rilindësit vizionarë, nuk u mashtruan nga reformat e xhonturqve, por u përpoqën të përfitonin prej tyre pa hequr dorë kurrsesi nga aspiratat historike, edhe intelektualët e vërtetë shqiptarë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, pjesa më e vetëdijshme e inteligjencies shqiptare, duke përfituar nga rrethanat e krijuara, veproi legalisht, në mënyrë institucionale, në favor të kulturës dhe çështjes kombëtare, por nuk hoqi dorë nga ideja e lirisë së plotë, e cila duhej mbajtur gjallë, duke i edukuar në atë frymë brezat e rinj dhe për të cilën duhej luftuar, kur të vinte dita, edhe me armë në dorë.



Viti 1968, ky vit kthese të madhe politike, kulturore e shpirtërore, me frymën dhe mesazhin e tij, i parapriu pranverës së vitit 1981, e cila mund të cilësohet si një revolucion, ashtu sikurse edhe viti 1981, ishte një paralajmërim, sado i largët, i luftës për çlirimin e plotë të Kosovës, luftë kjo që do ta bëjnë të rinjtë shqiptarë të të gjitha viseve, që u radhitën nën flamurin e UÇK-së në fund të shekullit që lamë pas, ndërsa të gjithë së bashku (edhe viti ‘68, edhe viti ‘81, edhe vitet nëntëdhjetë, veçanërisht ‘97-‘99) bëjnë një epokë: Epokën e luftës për çlirim kombëtar dhe emancipim shpirtëror të kombit të ndarë shqiptar.