Ngjarja e rëndë e ndodhur në Burrel, në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ku një person i maskuar qëlloi me armë kallashnikov mbi furgonin e linjës Shëlli-Burrel, ende vazhdon të mbetet pa autor. Burime nga policia bëjnë me dije se me gjithë ngritjen e postblloqeve në hyrje dhe dalje të Burrelit, ende nuk është rënë në gjurmët e autorit të këtij krimi. Po sipas policisë konfirmohet se janë shoqëruar për t‘u marrë në pyetje si të dyshuar për autorësinë e kësaj ngjarjeje edhe shtatë persona të tjerë deri më tani. Ndërkohë, mësohet se kanë dëshmuar edhe pjesëtarë të familjes së gruas dhe vajzës që mbetën të plagosura si pasojë e atentatit, në lidhje me ndonjë konflikt të mundshëm që ata ose familja e tyre mund të kenë pasur me ndokënd. Familjarët mësohet të kenë mohuar mundësinë e ndonjë konflikti. Sipas policisë, e vetmja linjë që duket se është përcaktuar mbetet ajo e hakmarrjes ndaj drejtuesit të mjetit, pasi nga autori apo autorët e këtij krimi nuk është bërë përpjekje për grabitje të personave që udhëtonin në furgon.