Botërorët e futbollit në vështrimin e Nando Martelinit, Anton Mazrekut dhe Skifter Këlliçit


Nga Skifter Kellici

Shkrimtar, komentator dhe historian sportiv

Boston, SHBA



Kam nisur të shkruaj për botërorët e futbollit që në pranverë te vitit 1958,ende student njëzetvjeçar, që po përfundonte studimet në fakultetin histori-filologji të UT. Atëherë ne Suedi zhvillohej Botërori 6-të,ku për herë të parë triumfonte Brazili i Pelesë, Garrinces, Didit, Zagallos. U jam kthyer këtyre botëroreve me 1970,tashmë gazetar në Qendrën Eksperimentale që pas një viti do të kthehej në TVSH, kur përsëri Peleja më shokë bënin “bis” në botërorin meksikan.

Katër vjet më pas kam komentuar për herë të në historinë e TV-së botërorin e futbollit që u mbyll në Mynih me triumfin e Gjermanisë,po ashtu si Brazili për herë të dytë, kampion botëror.

Më 1981 botova librin “Historia e futbollit”, ose më mirë historia e kampionateve botërore të futbollit deri më 1978, kur Argjentina bëhej për herë te parë mbretëreshë e rruzullit tokësor.

Më 1987 në librin “Nga 2-3-5,në 4-4-2,(vështrim historik mbi evoluimin e sistemeve taktike të futbollit tonë”), në një kapitull të tërë jam ndalur edhe evoluimit të këtyre sistemeve në futbollin botëror. Së fundi, më 1998 botova librin “Yjet e futbollit botëror”, ose një rrëfim mbi futbollistët më të mirë deri në botërorin e futbollit që zhvillohej në Francë, që u mbyll në Paris me hegjemoninë absolute të trengjyrësheve të Zidanit dhe suitës së tij

Dhe ja, para botërorit jugafrikan të këtij viti po shkruaj përsëri. Por nuk dua të përsëris vetveten,pavarësisht se “Përsëritja është nëna e dijeve “ (por ..edhe mërzisë).

Ndaj zgjodha një rrugë që më dukët origjinale dhe tërheqëse për lexuesit:të shkruaj për botërorët e futbollit dukë u bazuar në kujtimet e Nando Martelinit, komentatorit të madh italian, që ka komentuar tetë kampionate nga viti 1954 deri më 1982,të Anton Mazrekut,babait të gazetarisë sportive të penës dhe mikrofonit dhe përjetimeve të mia nga disa prej këtyre botërorëve.

Pra, nuk do të bëjmë me lexuesit “80 ditë rreth botës”, siç bën Xhyl Verni në romanin e tij të famshëm, por “80 vjet rreth planetit të futbollit,(1938-2010)”, duke u ndalur në disa nga tiparet më kureshtare të tij.

Kur Martelini ishte vetëm …9 vjec, Uruguai kurorëzohej kampion i parë i rruzullit tokësor (1930). Me Nando Martelinin,(1920-2004), u takova në ditët e para të shkurtit të vitit 1994 në Romë, ku ai jetonte. Kisha shkuar atje për dy javë më një sponsorizim nga “Sorosi” për të hulumtuar dokumente që do të më duheshin për të shkruar librin “Historia e Radiotelevizionit Shqiptar, (1938-1990). Kështu qysh në ditët e para të qëndrimit tim në kryeqytetin e lashtë italian, mora dhe i telefonova njërit prej komentatorëve më në zë të RAI-t të të gjithë kohëve. E njoha menjëherë zërin e tij dhe, kur më pyeti se kush isha, iu përgjigja: ”Martelini albanese” .Atëbotë,qeshi me të madhe dhe pranoi me kënaqësi të takoheshim para ngrehinës së Radio “Dimensione Sounos”, radio private shume popullore në Romë dhe në Italinë e mesme. Dhe aty, në një studio të saj bëra një intervistë me të për Radio Tiranën.

Pastaj ,nën shoqërinë e një shisheje vere “Kallmet”’që i dhurova, vazhduam bisedën. Por këtë radhë, jo për veprimtarinë e tij të gjatë dhe interesante në mikrofon dhe kamera,por për botërorët e futbollit. Dhe shkas u bë një revistë javore italiane që kishte filluar të botonte faqe nga historia e botërorëve të futbollit, me rastin e botërorit që do të zhvillohej pas disa muajsh në SHBA.

E shfletova atë revistë dhe u ndala te kampionati i parë,zhvilluar më 1930 në Uruguai.E dija që Martelini kishte lindur më 1921 dhe vështirë të kishte kujtime për botërorin uruguaian. “Është e vërtetë, -m’u përgjigj. - Atëherë, si çdo fëmijë kisha nisur të luaja edhe unë futboll dhe kisha dëgjuar se ç’ishte ky kampionat Por skuadra “axurra” nuk shkoi në Uuruguai. Po kështu edhe shumë vende të tjera të Evropës, duke filluar nga Anglia, Austria, Spanja,Gjermania..Përse?Sepse nënvleftësuan,se rruga ishte e gjatë dhe udhëtimi bëhej me anije se bota ende nuk kishte dalë nga kriza e madhe pas Luftës së Parë Botërore?

Vërtet Uruguai nuk ishte veçse një pikë e vogël në globin tokësor. Por ama ishte dy herë fitues i medaljeve të arta të futbollit në olimpiadat e Parisit dhe Anversës më 1924 dhe 1928. Dhe dëshmoi më 1938 në Montevideo se përsëri mbante në dorë skeptrin e sovranit të futbollit botëror, sido që midis 13 skuadrave, prej të cilave nga kontinenti plak ishin Belgjika, Franca, dhe çuditërisht dy skuadra ballkanike,Rumania dhe Jugosllavia.

Boshllëkun e plotësonin një elitë skuadrash jugamerikane- Argjentina,Brazili, Kili, Meksika, Bolivia, Peruja…

Pra, gjithsej 13 skuadra. Numër ters? Por jo për disa: Këto ishin Argjentina me SHBA-në dhe Uruguai me Jugosllavinë që arritën në gjysmëfinale. Latinoamerikanët sikur të luanin tenis shpejt e shpejt “lanë hesapet me kundërshtarët me të njëjtin rezultat tenistik, 6-1 dhe kryqëzuan shpata në finale.

Duke shfletuar atë revistë m’u kujtuan episode të tjera të këtij botërori që kam lexuar në libra revista e libra të tjera, kushtuar këtij botërori që nisi më dëborë ,meqë në hemisferën jugor ku shtrihet Urugai bën dimër, për të përfunduar në jenë ditë pranverore në takimin final.

Uruguaianët dëshmojnë traditën: u shtojnë dy medaljeve olimpike dhe medaljet e kampionëve të botës. Argjentina sido që udhëheq 2-1,kapitullon pas tre golave të Seas,Iriartes dhe Kastros. Argjentinasve u hipin xhindet në kokë. Pas humbjes në finalen e Olimpiadës së Amsterdamit më 1928,(2-1) dalin përsëri kokulur nga stadiumi “Sentenario” (Njëqindmijëshi),ndërtuar posaçërisht për këtë botëror në Montevideo. Zemërimi arrin deri në Buenos Aires ku turma tifozësh kërkojnë t’i vënë flakën ambasadës uruguaiane. Dhe kjo, sepse argjentinasit ngulin këmbë se në shkallët e “Sentenarios”ishte krijuar një gjendje e nderë që i kishte hutuar paraardhësit e Maradonës deri në atë farë feje,saqë kishin humbur toruan,dhe si pasojë edhe ndeshjen, se, sikur ajo të ishte luajtur në kushte normale… ta shihnin ata uruguaianët se ç’do t’u punonim,se ç’t’i bësh atij gjyqtarit e kështu “fitorja na shkau nga duart”, e bla, bla, bla të tjera.

Kësaj zallamahie shpëtoi për mrekulli pikërisht gjyqtari belg, Langenus.

Gjatë takimit me vërshëllimat e tij, ai jo rrallë ndëshkon futbollistët e famshëm argjentinas,Andrade dhe Monti,pa e ditur se ç’telashe do t’i sjellë vetes. Në fakt është gjyqtar me përvojë. Ka nisur të gjykojë që më 1912 duke pasur rival të rreptë vetëm anglezin Stenli Rouz, i cili më pas do të bëhet presidenti I FIFA-s,dhe Marrasin,që edhe ai do të bëhet më pas presidenti i Federcalcios.

Në Europë ka gjykuar në shumë fusha të nxehta,por jo si në Montevideo. Për të mos prishur qejf vendos me urtësi që në pjesën e parë loja të luhet me topin uruguaian dhe në pjesën e dytë me topin argjentinas,thua se topat kanë fuqi çudibërëse.’

Por jo gjithçka shkon vaj…

Kështu,me të mbaruar ndeshja, ashtu siç është, i veshur ne xhaketë kadifeje,në xhepin e sipërm të së cilës ka varur bilbilin,me kilota, këmishë të bardhë dhe kravatë, çuditërisht rregullorja e atëhershme e futbollit e lejonte këtë luks,del nga një derë e fshehtë e stadiumit, i turret një makine e cila e shpie drejt e në port, ku e pret anija shpëtimtare, nga çdo sulm I tifozëve argjentinas që duan ta shqyejnë. (A nuk ndodhi kështu në gjysmëfinalen e “Ligës së Kampioneve” të vitit të kaluar në Londër midis Çelsit vendas dhe Barcelonës, ku gjyqtari norvegjez Obredo ia mbathi nga një derë pas hotelit ku bujte, si në filmat hollivudianë, t’u shpëtuar tifozëve anglezë për dy njëmbëdhjetëmetërsh që ua gëlltiti padrejtësisht ?)..

Sidoqoftë, kujtimi i finales së Botërorit të Parë,në Montevideo,do ta bëjë Langenusin ta ndjeje veten krenar, derisa të mbyllë sytë më 1952, pasi ka gjykuar 84 takime ndërkombëtare duke përfshirë edhe ndeshje të botërorëve më 1934 në Itali dhe më 1938 në Francë.

Po të kthehemi edhe një herë te ndeshja Uruguai-Argjentinë…

Debatet që qarkullonin vetëm në rrethe të mbyllura sportive,u frynë e morën përpjesëtime të madha. Nuk mbeti prapa edhe shtypi. Ato pastaj u kthyen në sharje dhe fyerje. Si pasojë marrëdhëniet “diplomatike” midis dy federatave përkatëse të futbollit u ndërprenë me afat të pacaktuar.

Megjithatë fakti mbetet fakt:Uruguai i vockël,i njohur për kopetë e bagëtive ,që zinte një rrip tokë në juglindje të Amerikës së jugut ,me një popullsi që mezi kapërcente dy milionët ishte tashmë “Meka e futbollit botëror”.

Emrat e kampionëve të parë të botës: Balestro; Andrade, Fernandes, Pestido, Nazaci, Maskeroni, Dorado, Skarone, Kastro, Sea dhe Iriatre u shënuan në “Librin e artë” të botërorëve te futbollit.



(vijon në numrin e ardhshëm..).





18 kampionate në një gazetë



Gazeta “Albania” nis botimin e një speciale të gjatë rreth 18 kampionateve botërorë të futbollit, “80 vjet rreth planetit të futbollit” (1930-2010), të shkruara me kujdes e profesionalizëm nga gazetari dhe shkrimtari i njohur, Skifter Këlliçi.





18 Maj 2010