Arabia Saudite do të hapë kufirin me Katarin për të lejuar kalimin e besimtarëve që dëshirojnë të marrin pjesë në pelegrinazhin e përvitshëm të Haxhit. Vendimi vjen pas një takimi të nivelit të lartë mes Princit të Kurorës Saudite dhe Sheikut të Katarit. Sidoqoftë ekspertët thonë se kjo nuk i jep fund mosmarrëveshjes mes palëve.


 Arabia Saudite do të hapë kufirin me Katarin për të lejuar pelegrinët muslimanë të ndjekin Haxhin e përvitshëm në Mekë që fillon këtë muaj. Lajmërimi erdhi pas takimit të parë të nivelit të lartë mes fqinjëve qëkur Arabia Saudite dhe tre shtete të tjera ndërprenë të gjitha lidhjet me Dohan zyrtare në qershor. Shtetet akuzojnë Katarin se mbështet terroristët – një akuzë e mohuar vazhdimisht nga emirati. Mbyllja e kufirit saudit ka detyruar Katarin të importojë ushqime nga deti dhe ajri për 2,7 milionë banorët e vendit.


Besimtarët nga Katari që dëshirojnë të marrin pjesë në pelegrinazhin e Haxhit do të mund të kalojnë përmes pikës kufitare të Salwa-s. Por vetëm një muaj më parë, Arabia Saudite kishte paralajmëruar se besimtarët nga Katari do të përballeshin me kufizime nëse do të donin të merrnin pjesë në Haxh. Katari u përgjigj duke akuzuar Riadin se po politizonte pelegrinazhin. Kjo kthesë në politikën saudite vjen pas një takimi mes princit të kurorës saudite Mohammed Bin Salman Al Saud dhe Sheikut të Katarit Abdullah Al Thani.


Por përtej këtij gjesti të vullnetit të mirë, mosmarrëveshja mes Dohas dhe fqinjëve të saj, Arabisë Saudite, Bahreinit, Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe është ende larg përfundimit. Të mërkurën, kanali televiziv shtetëror i Bahreinit akuzoi Katarin se komplotoi me grupimin kryesor opozitar të mbretërisë për të nxitur trazirat anti-qeveritare të vitit 2011.


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter