Pas skandalit me pranimet për vitin e ri akademik

5 shtatori, ishte dita ku shumë prej ne maturantëve do merrnim lajmin nëse do ishim apo jo fitues në preferencat, që kemi zgjedhur ditën e aplikimit. Por fatkeqësisht, kjo datë për shumicën e ne maturantëve simbolizoi "prishjen" e ëndrrave tona, të së ardhmes sonë, pasi nuk kishim rezultuar fitues në asnjë degë. Shkak për këtë nuk ishim ne, pra mesatarja jonë, por "lojërat" apo "eksperimentet" e ministrisë të arsimit dhe personat që kanë pasur lidhje me këtë maturë, ku ju ishte dhënë e drejta e të qënurit fitues, maturantëve me mesatare 7 e ca apo 8.00, dhe kishin përcaktuar jo fitues maturantët me mesatare më të lartë se këta persona. Gjithashtu, dikush, përkatësisht nga qyteti i Kukësit, rezultoi i pari në degën e mjekësisë me nota ekselente 10.00. Por si ka mundësi, kur në gjithë Shqipërinë ishte marrë vetëm një 10.00 në letërsi, jo në qytetin e Kukësit, apo kur në gjithë Shqipërinë, askush nuk kishte marrë 10.00 në provimin e Kimisë së avancuar, të cilin personi në fjalë e kishte si lëndë me zgjedhje? Pra kësaj pyetje, në Shqipëri mund ti përgjigjesh vetëm me dy fjalë: "Miku" ose "Leku". Kjo ngjarje, e hidhur për të gjithë ne, është publikuar dhe më parë, por si nga hera askush nuk ka reaguar, sepse për Kryeministrin tonë, më e rëndësishme është të bëjë një urim për një ndeshje futbolli, sesa të merret me udhëkryqin që ndodhemi ne maturantët, ku kemi zënë kokën me dorë dhe nuk mund të bëjmë asgjë për jetën tonë, përveçse një proteste masive, për të kundërshtuar këto eksperimente. Por jo vetëm që nuk reagon, por madje ju bën "ban" apo ju heq komentet maturantëve të cilët me të drejtë ankohen tek faqja e tij zyrtare në "facebook" për situatën ku ndodhemi. Edhe një herë, ky eksperiment, vërtetoi që është totalisht i gabuar, sepse dikush, me mesatare të lartë, si psh ky maturanti ekselent nga Kukësi, ka hedhur 10 degë në kohën e aplikimit dhe automatikisht ai i fiton të gjitha, edhe ato degë që i ka hedhur sa për numër, të cilat mund të kenë qenë dëshira të mëdha për maturantë të tjerë. Ndërkohë një maturant tjetër, me mesatarë më të ulët nuk fitoi asgjë, përveçse një dëshpërim dhe mërzitje për fatin e vet, sigurisht të përcaktuar nga "eksperimentuesit". Ngushëllim për ne, mbetet raundi i dytë, ku thonë se do lirohen vendet bosh. Por gjithashtu shpresojmë që edhe në këtë raund mos na ndodhi e njëjta situatë, mos na i zënë vendet "miqtë" apo "paratë", sepse do ishte fatale për të ardhmen tonë, dhe do digjet kot , vetëm për interesat e tyre vetjake, puna jonë shumë vjeçare. Prandaj duhet të ngrihemi të gjithë, media, intelektualë, politikanë, maturantë etj, të bëjmë diçka për ne, për fëmijët e Shqipërise, sepse edhe pse nuk kemi miq e para, ne kemi treguar vlera të mëdha në punën tonë në shkollë, ku fatkeqësisht ministria e arsimit me në krye Lindita Nikolla, e cila çdo natë e bën gjumin "top" sepse për të çdo gjë është në rregull, pasi vajza e saj studion në Francë, ndërkohë që shumë maturantë shqiptarë qajnë natë për natë , vlerësoi më shumë të parat se sa vlerat tona. Vendi ynë asnjëherë s'ka ecur para, dhe të mos pretendojnë politikanët tanë se jemi gati për në BE, pasi ata nuk janë në gjendje për të menaxhuar një maturë shtetërore, shkak si gjithmonë korrupsioni. Por një gjë e mirë ishte sigurisht mbështetja që maturantët i dhanë njëri-tjetrit, bashkimi që ata bënë në rrjetet sociale por jo vetëm dhe forca për të kërkuar të drejtat e tyre. Megjithëse një protestë masive siç e përmenda në fillim, e organizuar nga vet ne maturantët, e cila mos të ketë përfshirë asnjë grup politik do ishte mënyra më e mirë dhe zgjidhja e duhur për t'ju kërkuar llogari dhe për të fituar të drejtën që na e mohuan. Prandaj të mos hezitojmë, por të luftojmë gjithmonë për veten e për vendin tonë, pasi rinia shqiptare, ne do jemi e ardhmja e këtij vendi, dhe jam i sigurt, nëse vazhdojmë me këto ideologji, nëse vazhdojmë me dëshirën për të mposhtur korrupsionin, me dëshirën për të fituar ndaj padrejtësive, atëher vendi ynë mund të ndryshojë.