Nga Eduard Zaloshnja


 


Në emisionin 5 Pyetje nga Babaramo në News 24, Damian Gjiknuri, kryenegociatori socialist për ndryshimet në kodin zgjedhor, bëri një pasqyrë të përmirësimeve në kodin zgjedhor, që sipas tij, do ta minimizojnë mundësinë e deformimit të rezultatit në zgjedhjet e ardhshme. Ndër këto përmirësime, ai përmendi edhe identifikimin e votuesve të qarkut të Tiranës me anë të makinave që lexojnë kartën e identitetit dhe numërimin e votave të qarkut të Fierit me anën e skanerave optikë.


Sipas Gjiknurit, makinat identifikuese do të përdoren në Tiranë, që është qarku ku përcaktohet pothuaj çereku i mandateve parlamentare, sepse këtu ekziston rreziku më i madh i votimit fiktiv ose të dyfishtë, ngaqë ka patur shumë lëvizje demografike nga qarqe të tjera ose brendapërbrenda qarkut.  Në fakt, ky ka qenë edhe pretendimi kryesor i PS-së në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale për këtë qark.


Po pse PS-ja nuk zgjodhi një nga qarqet veriorë, që njihen si bastione të PD-së?


Se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme është vështirë ta parashikojmë, por zgjedhjet e kaluara na treguan se në qarkun e Tiranës, në qoftë se teknologjia e identifikimit të votuesve do të kishte si rezultante një pakësim të votave fiktive për PD-në në nivelin  4,360 vota, ajo do të merrte një mandat më pak. Dhe atë mandat do ta fitonte PS-ja. Ndërsa në Lezhë kjo shifër duhej të ishte në nivelin 14,550 vota, në Shkodër në nivelin 10,400 vota, në Dibër në nivelin 10,150 vota, dhe në Kukës në nivelin 7,900 vota. Pra, edhe sikur të quheshin të pavlefshme këto vota të PD-së, shpërndarja e mandateve nuk do të ndryshonte në qarqet veriorë.


Sipas Gjiknurit, skanerat optikë të numërimit të votave do të përdoren në Fier, që është qarku ku përcaktohen 16 mandate parlamentare, sepse ishte një qark problematik për numërimin në zgjedhjet e fundit parlamentare. Po pse PS-ja nuk zgjodhi Beratin, që ishte edha ai një qark me probleme në numërim në zgjedhjet e fundit parlamentare?


Përsëri, se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme është vështirë ta parashikojmë, por zgjedhjet e kaluara na treguan se në qarkun e Fierit, një përmirësim i numërimit mund të kishte favorizuar koalicionin e PD-së, që ishte vetëm 580 vota larg marrjes së një mandati tjetër, të cilin do ta humbiste PS-ja. Ndërsa në qarkun e Beratit, ishte një situatë në favor të PS-së një përmirësim i numërimit mund të kishte ndihmuar koalicionin e PS-së, që ishte vetëm 535 vota larg marrjes së një mandati tjetër, të cilin do ta humbiste PD-ja…


http://respublica.al/artikuj/2012/07/18/a-do-ti-sherbeje-ps-se-futja-e-teknologjise-zgjedhore-ne-tirane-dhe-fier