desada metajNga Desada Metaj


 


Më shpejt se vetë institucionet shqiptare duket se Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë po i jep hov proçesit të Vettingut. Vetë Ambasada në një njoftim të sajin ka paralajmëruar revokimin e vizave për disa prokurorë dhe gjykatës.


Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të Vettingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre, thotë Ambasada.


Pra Ambasada amerikane flet për një rast konkret të një prokurori të nivelit të lartë. Emri i tij nuk dihet dhe në deklaratë lihet të kuptohet për nivel të lartë të prokurorisë. Burime të pakonfirmuara ende për Opinion.al bëjnë me dije se mund të bëhet fjalë për prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla. Por kjo mbetet ende per tu konfirmuar pasi fjalë qarkullojnë edhe për një tjetër prokuror të rëndësishëm, bashkëshortja e të cilit gjithashtu ka një detyrë të rëndësishme në Prokurorisë e Përgjithshme. Të gjitha këto mbeten ende  dyshime për sa kohë Prokuroria e Përgjithshme vazhdon të heshtë.


Por nuk është hera e parë  që Ambasada amerikane i heq të drejtën e vizës një prokurori. Në prill të vitit të kaluar, Top Channel zbuloi se Ambasada amerikane i kishte refuzuar vizën kryeprokurorit të Durrësit, Agron Gjana, me dyshimin se ai do ta përdorte vizën për të qëndruar ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.


Sipas ligjit të Vetting-ut, refuzimi apo revokimi i një vize amerikane mund të përdoret si provë që gjyqtarët dhe  prokurorët e refuzuar të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë dhe siç kuptohet nga deklarata e Ambasadës amerikane, ky është vetëm fillimi.


Ambasada e Shteteve të Bashkuara i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe do të vazhdojë ti shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve të drejtësisë me vëmendje të shtuar. Departamenti i Shtetit ka një autoritet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se zotëruesi i vizës mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe Departamenti i Shtetit do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet kundër korrupsionit në Shqipëri, mbyllet deklarata e Ambasadës.


Ndërsa jo më larg se dje, të tjerë gjykatës të nivelit të lartë kanë kaluar pragun e Ambasadës amerikane me pasaporta ndërsa burime pranë tyre pohojnë se u është komunikuar zyrtarisht revokimi i vizës. E njëjta proçedurë është ndjekur dhe me prokurorë të lartë të pajisur me viza amerikane. Për këtë veprim Ambasada amerikane nuk ka nxjerrë ende një njoftim zyrtar, ndërkohë që kanë heshtur dhe institucionet shqiptare.


Deri më sot as Prokuroria dhe asnjë nga Gjykatat shqiptare nuk ka nxjerrë një njoftim zyrtar për procedurën që është ndjekur për revokimin e vizave. Mbase gjykatësit dhe prokurorët i druhen faktit të paragjykimit dhe largimit direkt nga sistemi për shkak të nenit të Vettingut që mund ti penalizojë për shkakun e vizës amerikane. Por këto heqje vizash që në shqip tingëllojnë dhe si largime pa kthim duket se po e shndërrojnë  procesin e vettingut të paktën deri më tani, në një proçes okult dhe mistik, fati i të cilit varet nga një vizë amerikane dhe jo nga një sërë ligjesh për të cilat u desh kaq kohë dhe përpjekje për ti miratuar.


Revokimi i vizës amerikane nuk është vendimtar për vettingu-n, por pa dyshim ështe nje kriter i rëndësishëm. Revokimi nuk do të thotë që gjyqtarët dhe prokurorët janë automatikisht të skualifikuar pasi ata do të duhet të kalojnë dhe ne sitë tjetër për të merituar detyrën e tyre.


Gjykatësit dhe prokurorët vizëhequr mund ta meritojnë të jenë jashtë sistemit të drejtësisë, por për këtë publiku që pret transparencë ka nevojë për më shumë informacion se sa fjalë që qarkullojnë dhe që mitizojnë kaq shumë përfaqësitë diplomatike në Shqipëri. Jo të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët janë të pajisur me viza amerikane dhe kjo do te thotë se shumë prej tyre do të kalojnë të tjera testin e selisë së rrugës së Elbasanit.


Dhe që të gjitha testet e Vetting-ut të jenë të qarta dhe të besueshme për publikun ajo që vlen është transparenca dhe publikimi i fakteve. Përndryshe çdo gjë tjetër e paragjykon Veting-un po aq sa prokurorët dhe gjyqtarët e sistemit të shëmtuar të drejtësisë shqiptare.