Nga Andi Bejtja

Të gjithë e mbajnë mend spotin që Partia Socialiste bëri gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2015, ku lideri i opozitës, Lulëzim Basha, ishte vënë në një gjumë të thellë, madje dhe gërhiste, për të dhënë idenë se Lulëzim Basha ishte një lider që nuk bënte asgjë.

Për shkak edhe të shumë punëve të pambaruara në bashkinë e Tiranës, shpeshherë dhe për shkak të disa punëve jo të shitura mirë, imazhi i liderit që fle dhe nuk bën asgjë i ngeli deri diku Bashës në opinionin publik. I mbeti, madje, edhe te një pjesë jo e vogël e Partisë Demokratike, të cilën nuk e bind zëri i tij që ngjiret shpejt nëpër mitingje dhe paaftësia, sipas saj, për të bërë ekip.

Por, sot, pasi emocionet e 2015-s kaluan, unë guxoj të ngre një pyetje, një pyetje bazuar vetëm në analizën e ftohtë politike dhe aspak në emocionet personale të miat a të të tjerëve, qofshin këto negative apo pozitive ndaj lidershipit të Lulëzim Bashës:

A mund të konsiderohet Lulëzim Basha politikani i vitit 2015 edhe pse për shumë njerëz mund të jetë akoma duke bërë një sy gjumë te divani ku e vuri Rama me Partinë Socialiste? Unë marr guximin t'ju them se ky spot mund të qëndrojë akoma, por në divan nuk është Lulëzim Basha që fle, po dikush tjetër. Po, për mua Lulëzim Basha është politikani i vitit.

Së pari, procesi i dekriminalizimit, që ishte procesi historik jo vetëm i këtij viti, po i gjithë dekadës, u pri dhe u finalizua kryesisht nga Lulëzim Basha. Fillimisht, përpjekjet dhe lufta e Bashës u cilësuan nga disa dhe donkishoteske, por ja ku jemi, të paktën në letër, dhe unë them këtë herë jo vetëm në letër, ne kemi një proces të kryer me konsensus të plotë dhe dekorata kryesore i takon pikërisht këtij njeriu. Në këtë segment historik të politikës shqiptare, ishte pikërisht Basha, që e zgjoi Ramën nga gjumi ku e kishin vënë të ashtuquajturit të "fortë të Parlamentit". Mos të harrojmë që, me hir apo me pahir, ishte pikërisht Rama që nuk harroi të përsëriste se do të bënte të njëjtat zgjedhje po të ishte në të njëjtën situatë. Ndaj, nuk është çudi, që në heshtje t'i ketë thënë Lulëzim Bashës, faleminderit.

Kalojmë te procesi tjetër, gjithashtu i ashtuquajtur historik, reforma në drejtësi. Ndodh, ç'ndodh, jam apo nuk jam unë dakord me mënyrën si po bëhet, një gjë është fakt: ndryshe nga tre liderët e tjerë, Rama, Berisha, Meta, që si nga ndërkombëtarët, ashtu edhe nga opinioni publik shqiptar shikohen njëkohësisht dhe si pjesë e problemit dhe si pjesë e zgjidhjes, Lulëzim Basha shikohet vetëm si pjesë e zgjidhjes.

Kthehemi pak më pas në kohë, gjithsesi jo shumë larg. Akoma e kemi të freskët të famshmin Raport Konfidencial të OSBE-së. Ishte si ishte, i drejtë, i padrejtë, skandaloz, jo skandaloz, i bazuar në thashetheme a i pabazuar, i vetmi politikan që nuk zihej me gojë në këtë raport, që gjithsesi mbante siglën e OSBE-së, ishte pikërisht Lulëzim Basha.

A ishte rastësi apo jo, a ishte e qëllimshme apo jo, e bënë ndërkombëtarët vetë enkas, a e bëri Basha me levat a me njerëzit e tij, kjo nuk ka pikë rëndësie në këtë analizë dhe këndvështrim që po ju ofroj. Fakti mbetet fakt, i vetmi politikan që doli i bardhë nga ky raport ishte ai: Lulëzim Basha. Mund të mos ju bindi Basha në lidership, mund të mos ju ketë pëlqyer aspak si Kryebashkiak, mund të jetë e vërtetë që Rama bie në sondazhe dhe Basha nuk ngrihet, mediat online mund të marrin si zakonisht çfarëdo pjese të këtij shënimi dhe të më paraqesin mua si bashist etj etj.

Por ju lutem, në këtë analizë të shkurtër politike lexojini të bashkëngjitura këto tri argumente, se ishin tri ngjarje që shënuan jo thjesht vitin, jo thjesht një dekadë, po mund të shenjëzojnë dhe të pikëzojnë dhe rrugën e dekadës tjetër të Shqipërisë. Dhe po t'i lexoni në mënyrën e duhur, kështu siç unë po ua paraqit, do kuptoni se këtë vit nuk është Lulëzim Basha në gjumë, po Edi Rama.

Dhe jo vetëm kaq, ai nuk është thjesht në gjumë. Ai ndoshta akoma nuk e ka kuptuar që për shkak të bardhësisë me të cilën Lulëzim Basha ka dalë nga këto tri ngjarje të mëdha që shënjuan këtë dekadë e do të shënjojnë dhe dekadën tjetër, ai pikërisht i ka lënë Bashës dhe një telekomandë në dorë:

një telekomandë me të cilën Basha jo vetëm e vë Ramën në gjumë kur do, por dhe e zgjon kur do dhe e përplas me kë do ai, aq ëmbël, aq bukur, aq butë, saqë edhe kur Rama të jetë në greminë, në kuptimin figurativ por të plotë të fjalës, Bashën do ta shikojë akoma në gjumë dhe telekomandën që e zbriti aq poshtë do ta kërkojë më kot te dikush tjetër. Gjumë të ëmbël lider i mazhorancës!