Greece MigrantsUNCHR: ...Çfarë ndodh pastaj? Qeveria shqiptare ka qenë jashtëzakonisht ngurruese të angazhohet publikisht me çfarëdo planifikimi, sepse thonë 'nëse flasim për këtë në media, refugjatët do nisen të vijnë'. Por ne u themi, 'ata do të vijnë, bëni ose nuk bëni ju ndonjë plan'.

Agjencia e lajmeve Al Jazeera ka shkruar një artikull rreth krizës së emigrantëve me titull "A është Shqipëria ndalesa e radhës e refugjatëve?" Shqipëria, një vend që ka vetë një histori të ngjashme emigrimi, mund ta gjejë veten së shpejti në qendër të krizës së refugjatëve në Evropë. Sot, situata politike në Shqipëri është stabilizuar disi, megjithatë rreth 100 km larg kufirit Greqi-Maqedoni, dhjetëra mijëra refugjatë kryesisht sirianë dhe irakianë vazhdojnë të vijnë. Mbyllja së fundmi e rrugës ballkanike dhe përshkallëzimi i shpejtë i krizës humanitare në Greqi po i drejton shumë refugjatë të mendojnë nëse Shqipëria është e gatshme për një fluks emigrantësh në një tjetër kufi të Shqipërisë, shkruan Al Jazeera.

Duke hyrë në Shqipëri përmes Greqisë, terreni duket i vështirë, male, humnera, pyje të dendura dhe shenja që përgjatë autostradës paralajmërojnë për arinj dhe ujqër.

"Ata vijnë me mijëra çdo natë, të veshur me rroba të leckosura, disa me fëmijë në krah. Duke sfiduar temperaturat nën zero ata ngjiten më këmbë nëpër terrenin me dëborë në malet e thepisura shqiptare. Raportimet për anijet me refugjatë siç po ndodh aktualisht, ishin të zakonshme në vitet '90 në Shqipëri, ku mijëra shqiptarë pas rënies së diktaturës së Enver Hoxhës kalonin ilegalisht Adriatikun, shkruan AJ.

Sakaq, vazhdojnë të diskutohen detaje rreth marrëveshjes së arritur mes BE-së dhe Turqisë, e cila parashikon se të gjithë refugjatët dhe emigrantët që arrijnë në ishujt grekë do të kthehen në Turqi. Ndërkohë, mbetet ende e paimagjinueshme që numri në rritje i refugjatëve në kufirin e Maqedonisë mund të kthehet mbrapsht ose të mbetet thjesht një dëshirë e parealizuar për të arritur në vendet e dëshiruara të Evropës Veriore.

Por edhe nëse refugjatët arrijnë të hyjnë në territorin shqiptar, pyetja shtrohet nëse ky vend kaq i varfër ka infrastrukturën e duhur për t'i akomoduar ata.

Al Jazeera citon përfaqësuesen e UNHCR-së në Tiranë, Marie Verney, e cila thotë se pavarësisht se janë disa baraka ushtrie gati për emigrantët, ka mungesë stafi dhe burimesh.

"Ka disa baraka ushtrie në kufirin jugor - thonë që janë gati të përdoren për akomodim, por nuk janë gati. Ka mungesë stafi dhe burimesh. Ka një pikëpyetje të madhe këtu. Imagjinoni, ka mijëra njerëz në Greqi, po kur sheh Shqipërinë, pas disa qindrave, kapaciteti tejkalohet shumë shpejt.

Çfarë ndodh pastaj? Qeveria shqiptare ka qenë jashtëzakonisht ngurruese të angazhohet publikisht me çfarëdo planifikimi, sepse thonë 'nëse flasim për këtë në media, refugjatët do nisen të vijnë'. Por ne u themi, 'ata do të vijnë, bëni ose nuk bëni ju ndonjë plan'", thotë Verney.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një deklarate në shkurt është shprehur se Shqipëria nuk ka as kushtet as fuqinë dhe as entuziazmin për të shpëtuar botën, ndërkohë që vendet e tjera po mbyllin kufijtë e tyre, shkruan më tej Al Jazeera.

Sipas televizionit ndërkombëtar, në Shqipëri fillimisht është humaniteti, pastaj ligji, ndërsa tregon dhe shembuj të mikpritjes së familjeve shqiptare për kosovarët që u larguan nga vendi i tyre si shkak i luftës në vitin 1999.

Al Jazeera përmend edhe faktin që Shqipëria renditej e dyta për vitin 2015 në Gjermani, si shkak i kërkesave për azil. Agjencia e lajmeve arabe citon edhe një refugjat sirian nga Damasku, i cili thotë se mund ta provojë rrugën nga Shqipëria për të arritur në Itali. "Kam frikë nga deti, por jam i dëshpëruar. Do të provoja çdo gjë. Edhe një tjetër udhëtim vdekjeje në detin Mesdhe", thotë siriani. Ndërkohë, shumë refugjatë të pyetur nga Al Jazeera, e cilësojnë vendin tonë si një opsion të rrezikshëm që kërkon përdorimin e kontrabandistëve të pamëshirshëm.