Në javën që lamë pas Shqipëria u përfshi në një skandal të rëndë diplomatik, ku janë të përfshirë ish-ministra dhe një anëtar aktual i kabinetit të qeverisë Rama.


Bëhet fjalë për strehimin në Shqipëri të dy vëllezërve indianë, Nitin dhe Chetan Sandesara, të akuzuar nga autoritetet e vendit të tyre për vjedhjen dhe pastrimin e 725 milionë dollarëve.


Ata kanë hapur disa biznese në Shqipëri dhe janë duke ndërtuar në bregdetin e Jugut të vendit. Por, skandal përbën fakti se dyshja indiane gëzojnë nënshtetësinë shqiptare dhe për më tepër Nitin Sandesara rezulton të jetë emëruar Konsull Nderi i Shqipërisë në Nigeri nga ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.


I përfshirë në skandalin indian, ish-Kryediplomati i Shqipërisë duket se nuk është i vetëm pasi edhe ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dyshohet se është mpleksur me pastrimin e parave të vëllezërve Sandesara.


Ahmetaj ka luajtur rol kryesor në krijimin e hapësirave për të bërë të ligjshëm investimin e milionave eurove që dyshohen se kanë hyrë në Shqipëri nga indianët mashtrues.


Kjo, pasi paratë e përfituara ilegalisht në Indi nuk janë gjurmuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, institucion ky që është në varësinë direkte të Ministrisë së Financave.


Sikur me magji, ministri Ahmetaj ka bërë që ligji për të ardhurat, të cilat kanë të padeklaruara burimin e tyre të mos ekzistojë në rastin e dy indianëve të cilët kanë futur disa miliona euro nëpërmjet kompanive off-shore në vendin tonë.


Në një rast konkret, Drejtoria në fjalë do të vepronte menjëherë nëse një qytetar i thjeshtë i Shqipërisë do të fuste në vendin tonë një shumë prej 50 mijë eurosh cash nëpërmjet transfertave bankare.


Automatikisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave do të niste verifikimi  për origjinën e transfertës dhe shuma e parave do të bllokohej nga banka që do të kryente transfertën, duke mos lejuar investimin apo qarkullimin e tyre.


Por, Nitin dhe Chetan Sandesara ia kanë hedhur paq, pasi për ta nuk ka nisur asnjë hetim nga zyra në varësi të Arben Ahmetajt.


Të pyetur nga Gazeta Shqip, zyrtarë të kësaj drejtorie të MF thonë se nuk e dinë sesi të veprojnë me pasurinë e dy mashtruesve nga India, pasi këtë rast e kanë zbuluar vetëm nga bërja publike e skandalit në media.


Njëjtë si Ditmir Bushati dhe Arben Ahmetaj, skandali në fjalë ka prekur direkt edhe ministrin e Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, pasi Presidenca ka zbuluar dje se propozimi për ti dhënë nënshtetësinë vëllezërve Sandesara i ka ardhur nga ky dikaster.


HISTORIA E MASHTRIMIT & DHËNIA E NËNSHTETËSISË


Vëllezërit Sandesara kanë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike Sterling Biotech. Ata përgjatë viteve 2008-2011 kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë dhe i kanë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore, të krijuara prej tyre.


Megamashtrimi prej 725 milion dollarë i Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara u zbulua në 2018, kur një prej drejtorëve të bankave iu kap një pagesë ryshfet dhënë nga dy vëllezërit.


Vëllezërit Sandesara dhe dy drejtuesit e kompanive të tyre u shpallën në kërkim nga drejtësia indiane por mundën të arratiseshin për Emiratet e Bashkuara, shtet që nuk ka marrëveshje esktradimi me Indinë.


Aktivitetin me paratë e pista që zotëronin pas kësaj e kanë zhvendosur në Nigeri dhe Shqipëri, ndërsa në vendin tonë kanë marrë edhe nënshtetësinë, megjithëse India kishte nisur kërkime në të gjithë botën për ti arrestuar.


Ata kanë përdorur një klauzolë në pikën 7 të nenit 9 të ligjit, ku parashikohet: Të huajit, që ka mbushur moshën 18 vjeç, mund ti jepet shtetësia shqiptare me natyralizim, edhe nëqoftëse nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, nëqoftëse Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar.


Pikërisht ky nen i ka dhënë mundësi dy shtetasve më të kërkuar në Indi, të anashkalojnë një mori me kërkesa për marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Top Channel ka mësuar se ata kanë aplikuar duke përdorur këtë nen, por nuk janë përfshirë të vetëm në këtë proces.


Presidenti Ilir Meta, i vënë nën akuzë për dhënien e nënshtetësisë për ta më 6 Shkurt të vitit 2018, në një komunikim zyrtar sqaroi ditën e djeshme se janë zbatuar të gjitha procedurat dhe shtetësia për dy indianët është dhënë me propozim të ministrit Blendi Klosi .


Janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7, të nenit  9  të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 Për shtetësinë shqiptare të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit, për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë. Bazuar në pikën 6, të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, janë bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese nga e cila nuk kanë rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare, thuhet në njoftimin e Presidencës.


Ndërkohë, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e ka shpallur Nitin Sandesara konsull nderi dhe pas marrjes së kësaj detyre me justifikimin se janë investitorë me perspektivë për Shqipërinë, i deleguari i PS në Shkodër ka dalë gjithashtu garant për ta te Presidenca.


Ai ka përdorur si arsye pikërisht pikën 7 të nenit 9 të ligjit për nënshtetësinë. Të qenurit konsull nderi i Shqipërisë e ka ndihmuar Nitin Sandesara të ndihmojë edhe të vëllanë Chetankumar Sandesara në marrjen e nënshtetësisë shqiptare.


Nitin Sandesara me marrjen e titullit konsull dhe një pasaporte diplomatike i ka përdorur ato si një mburojë diplomatike ndërsa vendi i tyre India kishte nxjerre urdhër ndërkombëtar arrestimi.


India i kërkoi Nigerisë ekstradimin, por pasi mësuan se dy mashtruesit ishin bërë shqiptare, kërkesa për ekstradim ju nis Tiranës.


INVESTIMI NË DHËRMI


Gjithashtu i kapur në lidhje direkte me mashtruesit indian është edhe ish-prefekti i qarkut të Vlorës, Besnik Ruçi. Emri i tij del në histori, për shkak të ndërtimeve që vëllezërit Sandesara kanë nisur në  bregdetin e Dhërmiut.


Ata janë investitorët që do ndërtojnë kompleksin Drymades Dream, ku del edhe emri i biznesmenit Julian Morina dhe kompanisë Laxmi Real Estate në pronësi të dy mashtruesve.


Parcela prej 4800 metër katrorë, në një nga zonat më të lakmuara të Shqipërisë ra në dorën e dy vëllezërve indianë nëpërmjet ndihmës nga Besnik Dervishi, ish-ministër dhe deputet i Partisë Socialiste, aktualisht komisioner për të drejtën e informimit dhe familjen Ruci nga Himara.


Përmes ligjit 7501, Spiro Ruçi kishte përfituar rreth 1300 metër tokë në këtë parcelë. Por në fund të vitit 2013, gjykata e Vlorës i njeh pronësinë edhe për 3500 metra të tjera në parcelën ngjitur, të cilat deri në atë kohë kishin qenë në pronësi të bashkisë Himarë. Vendimi që tjetërsoi parcelën është marrë 12 dhjetor të vitit 2013, fiks dy muaj pasi besnik dervishi ishte emëruar prefekt i qarkut të Vlrës.


Madje në atë kohë emri i Dervishit doli sërish në media për një tjetër ngjarje. Vetëm dy ditë pas vendimit të gjykatës, makinës së tij ju vu tritol ngjitur me Kryeministrinë, ngjarje të cilat nuk dihet nëse kanë lidhje.


Por ajo që dihet e sigurt është fakti se mes Besnik Dervishit dhe familjes Ruci kishte lidhje, të paktën ekonomike. Në qershor të vitit 2017, kur Dervishi ishte në detyrën e komisionerit për informimin, në konflikt ligjor interesi, ai themelon një shoqëri të përbashkët me Jorgji Ruçin për ndërtimi e kompleksit Dymades Dream. Familja Ruçi vendosi si kontribut tokën prej 4800 metër ndërsa Besnik Dervishi kontribuoi me një vlerë monetare 3.7 milionë lekë ose 28 mijë euro.


Por një vit e gjysmë më vonë, në 27 nëntor te vitit 2018, Besnik Dervishi vendois të  largohet nga shoqëria. Ai ja shet aksionet e tij Jorgji Ruçit, po me çmimin 3.7 milionë lekë, aq sa kishte kontribuar me para. Menjëherë pas kësaj nisin një sëra transaksionesh ku prona ka ndërruar disa herë duar. Dy javë pas blerjes së aksioneve të Dervishit, Jorgji Ruçi tashmë pronar i vetëm i shoqërisë Drymades Dream e shiti kompaninë tek biznesmeni i ndërtimit Juljan Morina, për një çmim prej 200 mijë euro duke u larguar edhe ky nga shoqëria.


Një muaj pas blerjes së tokës nga Jorgji Ruçi, Morina e shiti gjysmën e aksioneve tek dy vëllezërit indiane Sandesara për 100 mijë euro.


Gazeta Shqip