Kryeministri Edi Rama reagoi me doza të forta ironie për zërat në disa media se kishte pësuar një parainfarkt kardiak duke përfunduar për mjekim gjatë natës, duke gdhirë dita e sotme, në një spital privat në Tiranë. Në fakt, Rama prej tri ditësh gjendet në Berat në një axhendë të ngjeshur qeveritare.


Duke publikuar këtë foto që shikoni përbri këtij lajmi, z.Rama tregon se si qëndroi sot në studio pas një dite larg qytetit:


Sa dola nga studioja e Adit pas një dite larg qytetit, larg kadrinjve dhe rrëmetit, thotë z.Rama, pasi përdori me bollëk ironinë ndaj lajmit që përhapi ish-deputeti i PD, Klevis Balliu: Bëmë baba të të ngjaj! Mirë Kadriu i Bahrifalliut më paska çuar në spital me tërë kadrinjtë e portaleve, po ju o miq që merakoseni si keni hequr akoma kazanët nga ajfonat?! Nejse, faleminderit për merakun, përfundon z.Rama.




Endri Fuga: Kur nuk mund dot Edi Ramën…


Më herët sonte, ishte Drejtori i Komunikimit të Kryeministrisë, Endri Fuga, i cili reagoi lidhur me lajmet e publikuara sot në media se kryeministri Edi Rama kishte përfunduar në spital pasi kishte kaluar në parainfarkt kardiak.


Fuga konsideron se mazhoranca përballet me një opozitë të lodhur dhe shton: Që opozita është e lodhur kjo dihet. Që nuk kanë as vizion e as program për të mundur Edi Ramën edhe kjo sdo mend për tu kuptuar. Por që do binin aq poshtë sa të trillonin lajme si ky i sotmi.


Në këtë pikë, Fuga i justifikon duke thënë se megjithatë, njerëzit e dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe vlerëson se janë bërë për të ardhur keq.


E në fund, duke ironizuar për protestën marshim të ditës së djeshme, e pesta në një muaj, z.Fuga ka edhe një ftesë: Madje jeni që jeni, bëni një xhiro nëpër spitale dhe kontrolloni vetë se ju bëjnë mirë ca hapa edhe sot.


Ditët e fundit, kryeministri Edi Rama ka qëndruar në Berat për një axhendë pune në kuadrin e turit Shqipëria që duam si dhe inspektime në vepra të ndryshme të financuara nga qeveria.