Bajram  Sefaj


Jo se është i panjohur, madje është i përhapur dendur gjithkah në(për) botë, fenomeni kur një vepre të dalluar artistike (kryevepre letrare, kinematografike, atyre nga lëmi arteve figurative e të tjera), dhe autorit të saj botërisht të njohur e të admiruar gjithandej, ti kushtohet jo vetëm një, por, madje shumë libra e botime të veçanta. Historia e artit i njeh dhe i ka në regjistër këto. Por kur është fjala për rastin në shqyrtim, në shikim të parë, duket si e tepërt dhe tejet pretencioze, që një libër i tërë ti kushtohet një fotoje të vetme (Gjon Pali dhe e bija), sado e lashtë dhe me vlera qoftë ajo, dhe një fotografi, Kolë Maca, jo gjithaq i njohur, madje as në qarqe të ngushta elitare.


Por, nuk është ashtu. Ky konstatim, sado që në shfaqjen e tij të parë, duket i qëndrueshëm dhe tejet i pakontestueshëm, kur është fjala për Qerim Vrionin dhe shkrimet e tij, del një pazar (llogari) tjetër. Ai e nxjerr nga terri i harresës një  fotograf të shquar shqiptar. Shkund pluhurin, mugëtirën, davaris mjegullat e zeza të regjimit të kobshëm komunist, mbi të, e në mënyrën  e tij më të mirë, opinionin e gjerë publik shqiptar e njofton me këtë fotograf të spikatur. Ia bën atë të njohur, të afërt dhe ia shton  atij dhimbjen kur bën pyetjen acaruese: si është mundur… Sado, pra, që fjala është për një foto të vetme, të një fotografi gati-gati të panjohur, që, siç e pranon (burrërisht dhe fisnikërisht), vetë autori, deri vonë nuk ka ditur aq shumë, për të mos thënë asgjë, mbi mjeshtrin Kolë Maca dhe veprën e tij. Fill pasi bie në gjurmë të tij, Qerimi i vyer dhe me energji djaloshare, si gjithmonë,  merr rrugën pas gjurmimit dhe hulumtimit, për të hedhur se pakut … një grusht diell (e dritë), mbi foton antologjike dhe autorin e saj. Fillimisht ato njohuri, aq sa ishin,  dhe hulumtimet gjersa ishin në fillim, Qerim Vrioni ynë, duke qenë edhe  kronist i dalluar, tashmë i mirënjohur gjithandej, (në Kosovë e në Shqipëri, po se po), i bënë të ditura me anë të një artikulli studimor, botuar në faqet shtojcës për kulturë e art, Milosao të Gazetës shqiptare të Tiranës dhe, në disa media tjera shqiptare në shkurt të vitit 2017. Nuk kënaqet vetëm me kaq. Nuk e ndal hapin. Me zell e durim krijuesi të njëmendet, e çon përpara gërmimin dhe hulumtimin dhe kur me plot trastën (simbolike, metaforike!) me të dhëna të bollshme, i mbushet mendja dhe merr lapsin në dorë dhe nis lindjen veprës së re.


Do të mirëprisja sugjerime dhe vërejtje nga lexuesit dhe dashamirët e fotografisë për rastin e një ribotimi të mundshëm të (këtij, shtoj unë) librit, u drejtohet autori, lexuesve të vet. Me këtë thirrje (apel) ai i pikas dy të goditura përnjëherë: për të bërë vërejte dhe dhënë sugjerime, çfarëdo qofshin ato, (të imëta apo të trasha!), vetvetiu nënkupton së libri duhet lexuar me vëmendje e përqendrim të shtuar dhe, e dyta, qysh tash paralajmërohet ribotimi (eventual) i këtij libri.            Libri i ri, me titull domethënës aq edhe simbolik, nostalgjik e poetik, Pikëllim në një foto të vjetër,  sado që në qendër të vëmendjes ka një foto (autori ia tërheq vëmendjen lexuesit, … me fjalën fotografi kuptohet veprimtaria e përgjithshme, ndërsa me fjalën foto, e përveçmja, poza!, fitohet përshtypja se nuk është tjetër pos një pretekst.     Po tua hedhësh një vështrim, qoftë edhe kalimthi e sipërfaqshëm, titujve dhe temave (pos Dy fjalë dhe Abstract, (ang.), të përfshira dhe imtësisht të trajtuara në këtë studim: Fotoja Gjon Pali  dhe e bija, Vdekja e njeriut dhe pasvdekja në arte, Në artet shqiptare, Pasvdekja në foto dhe… në atë shqiptare, Historiku i shkurtër i fotos, Në këtë botë, në atë botë,  Dokumentim dhe Estetikë, Vendi i fotos, Rrugëtimi i fotos në kohësi, Kolë Maca, Album,  Burime, lexuesi menjëherë bindet se ato tetëdhjetë e tehu faqe të vlershme të këtij libri janë të mbushura me tëra të mirat, siç janë të begatshme tryezat e festave të fundvitit!  Aty ka gjithçka. Edhe histori (Rrethimi i Shkodrës), edhe etnografi, edhe art, edhe estetikë, edhe eseistikë, (gjithnjë me kryeprotagonistin Kolë Maca në epiqendër),  aty ka edhe  rrëfime e kallëzime të larmishme, ka shpjegime e sqarime të vyera, aty ka edhe letërsi e filozofi, (Kadaré, Roland Barthes, bie fjala). Po ashtu, aty gjen edhe pjata me gatime (figurative) të shijshme, me këshilla e njohuri, gjuhë të pastër e të pasur, kur aty për aty, mëson (ua zënë kuptimin shqip), disa fjalëve që aq mirë tingëllojë shqip, e ne si për inat, (të kujt?), va e pa va, përdorim fjalë të importua, siç është rasti me fjalën okular, që aktualisht  është në qarkullim të dendur e masiv tek ne, në vend të fjalës të bukur shqipe sypamës, bie fjala, e të tj, e tj…Përfundimisht, ky libër me autorin e saj, Qerim Vrionin, lexuesin e vet e mëson të vështrojë gjer në detaje, ta ndjejë dhe dashurojë të bukurën, të bëhet më shumë se amator, të bëhet admirator i fotografisë dhe artit që ajo përçon, me dokumentaritetin dhe me porosinë e saj.. Ndryshe, libri hapet, ose më mirë të saktësohet, faqen e parë të tij, e zë portreti i fotografit, Kolë Maca, përjetësuar nga mjeshtri Gegë Marubi, më 1942, vetëm tri vjet para vdekjes së tij, më 1945 në Tiranë. Fatkeqësisht dhe padrejtësisht, i papërmendur në shtypin e botimet shqiptare për rreth gjashtë dhjetëvjeçarë… Për herë të parë, emri i tij u cek në vitin 2009, ndonëse fare  fshikurazi, në botimin 150 vjet Fotografi Shqiptare (të autorit Q. Vrioni, shënim imi). Kolë Maca është lindur në vitin 1882 në qytetin e Shkodrës. Si djalë me prejardhje nga një familje të vjetër qytetare, ai shërbeu si ndihmës (çirak) i fotografit dhe artistit të njohur shkodran, Kolë Idromeno. Çdo të thotë se qysh i vogël, kërthinj Kolë Maca, ra në kontakt me artin fotografisë, që do tia kushtojë tërë jetën e tij krijuese, deri në vdekje. Qëllimisht, bri emrit të këtij artisti të shquar shkodran, autori në librin për krijimtarinë artistike të tij, radhit shqiptimin e emrit dhe të mbiemrit të tij në italisht, nga se mbështetë në dëshmitë e Q. Vrionit, Kolë Maca, zanafillas më i njohur dhe sigurisht më i vlerësuar dhe i çmuar, ishte në Itali (në Milano, sidomos) se në Shqipërinë e lindjes. Për herë të parë pos që në gazetën e njohur italiane, me seli në këtë qytet, Corriera della Sera, në faqet e shtojcës saj javore, për kulturë dhe art, La Domenica del Corriere, ku Kolë Maca botonte shumë foto nga periudha 180 dhiteshe e luftës në Shkodër. Por më herët edhe artikuj e reportazhe, si bashkëpunëtor i jashtëm i kësaj gazete. Si justifikim (argumentues) të kësaj të vërtete të pamohueshme, autori i Pikëllim në një foto të vjetër, në faqen 38 të tij, sjell riprodhimin e ballinës se librit të autorit italian, Gino Berri Lassedio di Scutari, Milano -1913, me foton e realizuar nga Kolë Maca Gjon Pali dhe e bija, në po atë vit. Pas paraqitjes në Panairin e njëzetenjë, festës më spektakolare të Librit, në Tiranë, …fotoja e vjetër, merr rrugë të re e të gjatë, që përmes publikimeve e mënyrave të tjera, të medias, të gjejë lexuesit e tij besnik (fidel) dhe ta mbaj pranë atë për shumë kohë. Porosia ime, lexues të nderuar, është fare e shkurtër dhe fare e qartë: lexojeni këtë libër të ri të Qerim Vrionit, nëse sado pak, dëshironi e synoni të bëheni adhurues, amator dhe admirues  të fotografisë dhe përgjithësisht artit të kësaj gjinie të veçantë!


18 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)