Shëndeti – Përmes krijimit të ilaçeve të reja dhe kushteve të përmirësuara të jetesës për personat e diagnostikuar, dinamika e HIV është në rënie në shkallë globale… 



lufta kunder HIV-AIDS (1)
lufta kunder HIV-AIDS (2)
lufta kunder HIV-AIDS (3)
lufta kunder HIV-AIDS (4)
lufta kunder HIV-AIDS (5)

Ylli i Hollivudit, Charlie Sheen, konfirmoi disa ditë më parë se ai po jetonte me HIV në një intervistë televizive. Zhvillimi i ilaçeve të reja tregon se diagnostikimi nuk është më një dënim me vdekje, por a po e fitojmë ne betejën globale kundër HIV?


Sa i përhapur është?


Më shumë se 1.2 milionë njerëz në SHBA jetojnë me HIV, virusi që shënjestron sistemin imunitar të trupit dhe mund të çojë drejt AIDS. Thuajse një ndër tetë prej këtyre personave nuk është në dijeni se është i prekur, sipas të dhënave që ofron Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA.


Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) thotë se në shkallë globale, shifra është 35 milionë njerëz me vetëm 50 për qind të tyre që tashmë kanë dijeni se e mbartin virusin.


Afrika subsahariane është veçanërisht e prekur, me rreth 1 ndër 20 të rritur që jetojnë me HIV. Rreth 71 për qind e njerëzve që mbartin virusin HIV jetojnë në Afrikë. Në Britani, rreth 107,800 persona jetonin me këtë gjendje shëndetësore në vitin 2013.


Çfarë thotë norma e infeksionit?


Në shkallë globale, numri vjetor i infektimeve të reja me HIV, ra me një të tretën nga viti 2001 dhe 2013, nga 3.4 milionë në 2.3 milionë, sipas një raporti të OKB-së.


Por përqindja nuk po bie kudo. Infektimet e reja në SHBA kanë mbetur në rreth 50,000 persona në vit që nga dekada e shkuar krahasuar me 130,000 në kulmin epidemik të viteve 1980.


Burrat gej, biseksualë dhe të tjerë që bëjnë seks me meshkuj llogaritet se kanë 63 për qind të infektimeve të reja në SHBA. Në Londër, një në tetë burra që bën seks me burra është pozitiv ndaj HIV, sipas statistikave vendase.


Afrikano-amerikanët janë gjithashtu të prekur në shkallë disproporcionale. Afrikano-amerikanët përbëjnë vetëm 12 për qind të popullatës së SHBA-së, por 46 për qind e diagnostikimeve të reja të infektimit me HIV, thotë doktor Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive në SHBA.


Pati rreth 2 milionë infektime të reja me HIV nëpër botë në vitin 2014, 220,000 e të cilëve ishin fëmijë.


Shumica jetojnë në Afrikën subsahariane dhe u infektuan përmes nënave të tyre pozitive ndaj HIV gjatë shtatzënisë, lindjes së fëmijës apo ushqimit me gji, sipas OKB.


Në vitin 2015, Kuba ishte vendi i parë që deklaroi se ka eliminuar transmetimin e HIV nga nëna te fëmijët.


Si e prek HIV jetëgjatësinë?


Sot, një 20-vjeçar që sapo është diagnostikuar me HIV dhe merr ilaçe kundër tij, mund të jetojë deri në 50 vite të tjera. Kjo krahasohet me vetëm disa muaj ose vjet në vitet 1980.


Shumica e përmirësimit vjen prej zbulimit të terapisë antiretrovirale (ART), që parandalon shumëfishimin e HIV dhe pakëson sasinë e virusit në trup.


Nëse njerëzit marrin një kombinim të tre apo më shumë ilaçeve ART dhe i përmbahen regjimit të mjekimit, mund të ndryshojnë plotësisht jetën e tyre, thotë Fauci.


Në fund të vitit 2014, 14.9 milionë njerëz merrnin ART 40 për qind e numrit total të personave që jetojnë me HIV.


Por 1.5 milionë njerëz vdiqën nga problemet e lidhura me HIV në vitin 2013. Dhe rreth 39 milionë persona kanë vdekur nga HIV që prej mesit të viteve ’80.


Sa i rrezikshëm është seksi i pambrojtur?


HIV transmetohet përmes shkëmbimit të lëngjeve të caktuara të trupit si gjaku, sperma, lëngjet vaginale dhe qumështi i gjirit. Marrëdhënia seksuale e pambrojtur është një mënyrë shumë e zakonshme e përhapjes së sëmundjes.


Doktori i aktorit Sheen, i cili riktheu debatin për HIV, Robert Huizenga, tha se ka një mundësi shumë të vogël që ai ta transmetojë virusin te partnerët seksualë, sepse tani është i padallueshëm në gjakun e aktorit.


Norma e infeksionit HIV për partnerët negativë është 96 për qind më e vogël nëse një partner pozitiv është në mjekim, sugjeron një kërkim ndërkombëtar.


Por CDC thotë se më pak se 40 për qind e amerikanëve me HIV janë në trajtim antiretroviral dhe vetëm 30 për qind ia kanë dalë të arrijnë në shtypjen e virusit, ku HIV bëhet i padallueshëm.


Sasia e HIV në gjak gjithashtu rritet sërish, ashtu si rreziku i kalimit, kur njerëzit ndalojnë së marri ilaçet.


Një lloj i ri ilaçi për mjekim, PrEP, mund të ofrojë mbrojtje kundër infektimit me HIV gjatë seksit, por nuk gjendet lehtë.


A është përhapja e HIV një krim?


Njerëzit me HIV mund të ndiqen penalisht për infektimin me qëllim apo nga pakujdesia të një personi tjetër. Në SHBA, 67 ligje veçanërisht të përqendruara te njerëzit me HIV, kanë hyrë në fuqi në 33 shtete në vitin 2011. Në to përfshihet moszbulimi i virusit te partnerët seksualë dhurimi i organeve të infektuara me HIV dhe përhapja e lëngjeve trupore të infektuara me HIV. Vende të tjera si Britania, Finlanda dhe Zelanda e Re, i akuzojnë njerëzit sipas ligjeve ekzistuese me krime që shkojnë përkrah dëmit të rëndë fizik, vrasjes pa paramendim dhe sulmit me armë.


Burimi: BBC


Ky shkrim A po e fitojmë betejën globale kundër HIV? u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.