Nga Paulin Paplekaj


 Në datë 22 korrik anëtarësia e Partisë Demokratike është thirrur me ripërtëri funksionin e kryetarit aktual të vetëngrirë Lulzim Basha.


Debati për arsyet e humbjes katastrofike në zgjedhjet politike të 23 Qershorit, krahasuar edhe me zgjedhjet e vitit 2013, ka kaluar në plan të dytë. Debati që gëlon sot në strukturat e Partisë Demokratike por jo vetëm, është nëse Z. Basha duhet të jepte dorëheqjen  dhe ti hapte rrugë procesit të analizës së rezultatit, dhe çeljes së garës për drejtimin e partisë, apo bëri zgjedhjen e duhur duke gjetur një artific ekstra- statutorë, siç është vetëngrirja nga funksionet organizative të partisë, duke ja kaluar kompetencat për organizimin e zgjedhjeve për kryetar, dy nënkryetarëve të partisë.


Palët janë pozicionuar në eskalonet e tyre. Në njërën anë, idhujtarët e kultit të individit, servilët dhe ruajalistët[1] e z. Basha, jo pa shëmti demonstrojnë besnikërinë e tyre ndaj liderit të rrezikuar, të udhëhequr nga mendimi që; Kur themi Lenini, nënkuptojmë partia, kur themi partia nënkuptojmë Lenini..


Nga ana tjetër, të ashtuquajturit Kundërshtarë të z. Basha, i kanë kanalizuar kërkesat e tyre në dy rryma mendimi:


Senatorët e partisë  janë të mendimit që z. Basha duhet të paraqesë dorëheqjen e parevokueshme, si një dështak, përjashtues ndaj njerëzve me kontribute në parti, si një gënjeshtar që nuk u qëndron vendimeve dhe as premtimeve, që nuk përçon besim tek anëtarësia e partisë, por as tek votuesit e djathtë, aq më pak arrin të krijojë frymë tek elektorati i pavendosur.


Novatorët (bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit në katër vite opozitë), i qasen zgjidhjes procedurale të problemit, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit jo vetëm si akt moral, për shkak të humbjes së thellë të paprecedent të Partisë Demokratike, por edhe në respekt të traditës krijuar tashmë nga dorëheqja e liderit historik z. Berisha. Novatorët kërkojnë respektimin e statutit të partisë dhe frymës së vendimeve dhe udhëzimeve që vetë z.Basha ka nxjerrë në funksion të krijimit të një korpusi rregullash, të zbatueshme për të gjithë. Po ashtu ky grupim kërkon hapjen e procesit të analizës në parti, për të përcaktuar shkaqet e rezultatit katastrofik, nxjerrjen e përgjegjësive të gjithsecilit drejtues të strukturave të partisë. Në funksion të gjithë këtij procesi propozohet shtyrja e  zgjedhjeve për kryetarin e partisë, në mënyrë që ti jepet mundësia edhe anëtarësisë për të propozuar kandidatë të tjerë për drejtimin e partisë.


Pyetja që shtrohet për diskutim është :


Cilat nga palët ka të drejtë në gjithë këtë zallamahi keqkuptimesh, çka po e çon Partinë Demokratike në shkatërrimin e saj përfundimtar, nëse vazhdohet kështu ?!


Filozofja Hanah Arend, në triologjinë e saj Zanafilla e Totalitarizmit,  shprehet se: Uniformiteti i plotë i masava përligj gjithmonë përjashtimin e individit si subjekt i vetëdijshëm i vetvetes dhe në fund të fundit zhdukjen e tij fizike dhe morale.


Për ta konkretizuar  idenë e saj, Arendi, thotë se:  Vegjëlia u përpoq të përjashtojë nëpërmjet forcës së trupës së vegjëlisë, hebrenjtë e vulosur.


Pra, Vënia në rresht e individit , të hequrit dorë vullnetarisht si instancë e gjykimit politik dhe moral është kushti themelor i Totalitarizmit e shfaqur si te Fashizmi edhe tek Stalinizmi.


A nuk është sot, e njëjta situatë edhe në Partinë Demokratike?


A nuk jemi dëshmitar të uniformitetit të përkrahësve të z.Basha, të  grupuar në atë që Arendi e quan Trupa e Vegjëlisë ( idhujtarë, servilë dhe ruajalistë) që përpiqet të përjashtojë çdokënd tjetër që mendon ndryshe për drejtimin e partisë ?


Nga ana tjetër edhe kërkesa për dorëheqje të parevokueshme që i bëhet kryetarit të partisë nga Senatorët, është tendencë për  Totalitarizëm. Ajo çka është e drejtë dhe të dy rrymat e mendimit përputhen tek Kundërshtarët e z. Basha është kërkesa për dorëheqje të thjesht, duke i dhënë mundësinë z.Basha të rikandidojë, dhe respektimin e rregullave mbi bazën e të cilave funksionon partia. Tendenca për të dalë mbi rregullat (statutin),  me mendimin Ligji jam unë, dhe përdorja e Trupës së Vegjëlisë, për të përjashtuar ata që mendojnë ndryshe, çon në totalitarizëm. Dhe nëse kjo sjellje sot demonstrohet brenda partisë, nesër do jetë po e njëjta edhe në qeverisjen e vendit, ashtu siç në fakt sot ndodh nën drejtimin e Z. Rama.


Qysh se kanë filluar njerëzit të jetojnë në bashkësi, marrëdhëniet ndërmjet tyre i kanë ndërtuar në bazë të rregullave. Devijimi nga rregullat, ka bërë që rendi shoqëror të kalojë etapat  skllavo-pronarizmit, feudalizmit për të ardhur tek Kapitalizmi dhe për të provuar me dështim komunizmin dhe fashizmin. Devijimi nga rregullat ka sjell në drejtim të shoqërive, faraon, perandor, monark absolut, diktator bolshevik dhe diktator totalitar.


Mbas gjithë kësaj historie mijëra vjeçare, shoqëria bashkëkohore ka arritur në konkluzionin se njerëzit duhet të udhëhiqen nga Rregullat (Kushtetuta, Ligjet, aktet nënligjore etj). Në funksion të këtij qëllimi, nëpërmjet ligjeve janë parashikuar partitë politike si grupime individësh me vullnete të përbashkëta që synojnë të drejtojnë shoqëritë.


Më shumë se për të diskutuar arsyet që çuan në humbjen e Partisë Demokratike të drejtuar nga z.Basha, ku argumentet dhe kundër argumentet janë të bollshme, në këtë moment është e rëndësishme të analizohet  procedura që duhet ndjekur në mënyrë që Partia Demokratike si një aset i shoqërisë të mos shpërbëhet, apo më keq akoma të shkasim në sjellje totalitariste.


Në funksion të kësaj analize, lindin  për diskutim nënçështjet:



  1. A ka detyrim kryetari i partisë, të respektojë statutin e partisë, të respektojë vendimet e kryesisë së partisë, të respektojë edhe frymën dhe standartin që ka vendosur vetë ai, nëpërmjet udhëzimeve gjatë këtyre katër vite ve si drejtues i Partisë Demokratike?

  2. A duhet Kryetari i partisë të ketë detyrim moral, apo ka detyrim të përcaktuar në rregullat e funksionimit të partisë, që mbas një humbje katastrofike të mbaj përgjegjësi duke dhënë dorëheqjen e thjeshtë apo të parevokueshme?


Në lidhje me pyetjen e parë, është e rëndësishme të sqarohet fakti se statuti i partisë është hartuar siç ka dashur kryetari, është miratuar gjatë një shfaqje euforike në Kuvendin Kombëtar të Partisë, me pjesëmarrjen e mbi pesëmijë e shtatëqind delegatëve nga e gjithë Shqipëria.


Nëse kryetari nuk e njeh këtë statut, edhe për shkakun se de fakto është lexuar dhe miratuar në një sallë me rreth dymijë delegat prezent, duhet të sqarojë nëse ky statut është regjistruar në gjykatë sipas ligjit, dhe nëse jo, duhet të zbatojë statutin që ishte në fuqi.


Dispozita që rregullon organizmin e zgjedhjeve pas dorëheqjes së Kryetarit, qoftë në statutin e vjetër qoftë në statutin e ri, ka parashikuar Sekretarin e Përgjithshëm si autoritetin legjitim për përmbylljen e procesit të zgjedhjeve.


Fakti që aktualisht Sekretari i Përgjithshëm nuk është zgjedhur deputet, për shkak të renditjes në listën jo fituese, nga ana e kryetarit me qëllim apo naivitet politik pak rëndësi ka, dhe marrëdhënies së mosbesimit krijuar tashmë ndërmjet Z. Basha dhe Z. Ristani nuk mund të përbëjë shkak të arsyeshëm të shkelet statuti, duke gjetur artifica eksta-statutore.


Nga ana tjetër  pas humbjes së PD në zgjedhjet e vitit 2013 dhe dorëheqjes së z. Berisha, në vitin 2014 në funksion të ringritjes së partisë,  Kryetari nxori një udhëzim, sipas të cilit nuk lejohesh të kandidonin gjithë ata drejtues të strukturave të partisë që në zgjedhjet e vitit 2013, kishin patur një rezultat më të dobët se në zgjedhjet e vitit 2009. Dhe jo vetëm  drejtuesit e partisë, por edhe drejtuesit e pushtetit vendor, u panë si pjesë e përgjegjësisë për humbjen e vitit 2013, duke ua mohuar edhe kësaj kategorie të drejtën për të kandiduar. Përjashtim në këtë rast kishte vetëm për drejtuesin e degës së partisë Kamëz, shkaqe të cilat i din vetë z.Bash.


Pra vetë z. Basha, ka vendosur një standard, për ata që janë humbës në zgjedhje, standard të cilin nuk po e aplikon në rastin e vet. I lexuar në dritë të diellit qëndrimi i tij, thotë: Bëni çka them unë, e mos bëni si bëj unë, sjellje mirëfilli totalitariste.


Për të ardhur tek përgjigja e pyetjes së dytë, siç u tha në statut nuk është përcaktuar në mënyrë eksplicite detyrimi i kryetarit, për të dhënë dorëheqjen në rast të humbjes së zgjedhjeve.


Por ama, përveç statutit  ka edhe një standard të vendosur nga ish kryetari i parë z. Berisha, nën drejtimin e të cilit Partia Demokratike  mori një rezultat edhe dyqind e tridhjetë mijë vota më shumë, nga zgjedhjet aktuale, edhe pse kishte një konsumim pushteti pas tetë viteve qeverisje.


Nga ana tjetër, standardi i vendosur me udhëzim për të tjerët nga vetë z. Basha, duhet të jetë detyrim moral i padiskutueshëm për ta shtyrë atë drejt dorëheqjes dhe për ti hapur  rrugë një procesi të drejtë dhe të ndershëm zgjedhjesh brenda partisë.


Po ashtu, z.Basha për  90 ditë në Çadrën e Lirisë artikuloi nga dy herë në ditë, dhe shumë herë të tjera në studio televizive, shprehjen drejtuar Kryeministrit; Jep Dorëheqjen, shty zgjedhjet, Republika e Re po vjen. Marrëveshja u arrit, kushtet për një proces të rregullt zgjedhor u krijuan sipas z. Basha, zgjedhjet u shtynë.


A nuk është edhe ky një standard i arritur që duhet ta detyrojë z. Basha, të aplikojë të njëjtën sjellje politike edhe Brenda partisë të cilën e drejton?


Z. Basha, dhe trupa e vegjëlisë, me sjelljen e tyre po i detyrojnë Kundërshtarët brenda partisë të mendojnë pa prag siç thoshte Arendi, si e vetmja mënyrë e të menduari kur je përballë Totalitarizmit.


 


[1] Sipas Spiro Curra, “Ruajalistet”,lider i forte,nismë,vendim personal,autoritet gati absolut,oborri mbështetës etj