Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e Ilir Deda, kanë propozuar që liderët e partive politike në Kosovë ta nënshkruajnë një marrëveshje politike për t'i dhënë fund krizës dhe bllokadës politike në vend.

Ata kanë hartuar kornizat e kësaj marrëveshjeje në të cilën parashihet që Kuvendi i Kosovës duhet ta themelojë një Komision hetimor të udhëhequr nga opozita për ta shqyrtuar Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se momentalisht partitë opozitare kanë vullnetin të mendojnë vetëm për Asociacionin e Komunave Serbe, si dhe për Demarkacionin.

Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi në një prononcim për gazetën "Zëri" tha se, lidhur me këtë propozim ende nuk kanë ndonjë qëndrim konkret.

"Ne kemi dëgjuar iniciativën e Vjosa Osmanit dhe Ilir Dedës, por nuk kemi momentalisht ndonjë opinion rreth kësaj, për arsye se mendojmë se dy kauza, që janë të lidhura me marrëveshjet e arritura, duhet të tërhiqen. Kjo momentalisht nuk është temë jona dhe nuk e kemi në diskutim", ka thënë ai. /Zëri/