Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shprehu sot shqetësimin rreth ecurisë së procesit të regjistrimit të popullsisë. Zyrtarë të kësaj partie kanë evidentuar disa parregullsi, të cilat, sipas tyre, duhet të rregullohen në mënyrë urgjente nga ana e qeverisë.


Nga Express më 08 prill 2011 në ora 22:03

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kritikoi sërish ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë. Melihate Tërmkolli, anëtare e kryesisë së AAK-së, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë ka shumë defekte. Sipas saj, është e padrejtë që fëmijët të cilët kanë lindur jashtë vendit nuk po regjistrohen. Në këtë mënyrë po i bëhet shkelje e dyfishtë mërgatës sonë, të cilët nuk janë pjesë e regjistrimit zyrtar, tha Tërmkolli.



Një problem tjetër që është evidentuar, është edhe regjistrimi i pasurisë. Sipas Tërmkollit, shumë qytetarë nuk po e regjistrojnë pasurinë e tyre. Kjo është si pasojë e mungesës së informacionit nga ana e qeverisë, tha ajo. “Regjistrimi i pasurisë nuk ka të bëjë me taksa e tatime”, tha Tërmkolli, duke shtuar se të dhënat e çdo qytetari janë të mbrojtura me ligj dhe nuk i jepen askujt.



Sipas Melihate Tërmkollit, nëse shkohet me këtë ritëm të regjistrimit, atëherë mund të mbetet një pjesë e popullsisë pa u regjistruar brenda afatit të përcaktuar. Ajo tha se duhet të sqarohet nëse do të zgjatet afati i regjistrimit edhe për disa ditë të tjera. Tërmkolli shtoi se ka shumë pak regjistrues, të cilët janë të trajnuar shumë dobët.Një vërejtje tjetër e AAK-së, është edhe ndaj kryeministrit Thaçi, i cili, sipas Tërmkollit, do të duhej t’iu drejtonte popullit për një projekt kaq madhor dhe të rëndësishëm.



Procesi i regjistrimit të popullsisë ka filluar me 1 prill dhe pritet të zgjas deri më 15 prill. (rtk)