Prishinë, 2 shtator - Aleanca Kosova e Re shprehet e shqetësuar për aktivitetet e pakta dhe pa ndikim të diplomacisë kosovare në prag të sesionit plenar të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nënkryetari i kësaj partie, Ibrahim Gashi, ka thënë se është i pakuptueshëm deri në absurditet komoditeti i zyrtarëve të diplomacisë kosovare. “Nëse ministri i jashtëm gjerman dhe ai britanik morën mundin për të vizituar të gjitha vendet e rajonit në një mision të vështirë  diplomatik për të parandaluar kalimin e projektrezolutës serbe në OKB, ministri ynë i Jashtëm po qëndron shumë i qetë në Kosovë. Përshtypja se të tjerët punojnë për ne si duket është bërë moto e politikës qeveritare dhe në veçanti e diplomacisë sonë”, ka deklaroi Gashi. AKR-ja, konsideron se Kosova nuk është vend për eksperimente, andaj dhe s’ka vend për ide të tilla si ato të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Për më tepër pas dhënies së Mendimit këshillëdhënës të GJND-së, tërësisht në mbështetje të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, e ardhmja e Kosovës dhe e qytetarëve të saj si në veri, ashtu edhe në jug, është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari, ka thënë Ibrahim Gashi i AKR-së.