Kompania celulare AMC u ka dorëzuar dje fituesve të pjesës së parë të shorteut “SMS Grand Prix”, çelësat e katër “Seat Ibiza” dhe një “Audi Q7”. Dje në ambientet e dyqanit të AMC në rrugën “Myslym Shyri”, u organizua edhe ceremonia e dorëzimit të makinave, që AMC ka ofruar për pesë javët e para të shorteut promocional. Për 10 javë rresht, nga 28 korriku deri më 5 tetor, AMC ka organizuar shorteun promocional Grand Prix për të gjithë abonentët e saj. AMC ofroi në këtë shorte: 2 Audi Q7, 8 Seat Ibiza, 3 Nokia 6300 çdo ditë si dhe 25 SMS falas brenda rrjetit AMC për çdo mesazh të dërguar në 1519. Deri tani një abonent ka fituar një “Audi Q7”, katër abonentë kanë fituar nga një “Seat Ibiza” dhe 150 abonentë kanë fituar nga një aparat celular Nokia 6300.
Duke dërguar sms në numrin 1519, Dairo Bosi, farmacist, nga Tirana ka marrë në dorë çelësat e një “Audi Q7”, ndërsa Qatip Veshaj nga Vlora, biznesmen, Lumturi Dyrma nga Elbasani, e cila ka një biznes të vogël familjar, Shefki Tafa, pjesëmarrës nga Durrësi dhe Merdan Kalemi pronar i një agjencie imobiliare u bënë pronarë të 4 “Seat Ibiza”. Kjo është vetëm pjesa e parë e këtij shorteu, ndërkohë që surprizat vazhdojnë. Sipas përfaqësuesve të kësaj kompanie deri më 5 tetor mjafton të dërgohet një SMS me tekst AMC në numrin 1519 ose për më thjeshtë, nëpërmjet shërbimit AMC Easy (#100#), dhe të gjithë abonentët AMC nga i gjithë territori i Shqipërisë mund të bëhen pjesëmarrës në SMS Grand Prix, ku mund të fitojnë ende një “Audi Q7”, 4 “Seat Ibiza” dhe  3 Nokia 6300 çdo ditë, së bashku 25 SMS falas brenda rrjetit AMC.