Astrit LULUSHI (SHBA)



Këndo, hyjneshë, mërinë e tyre…

që shumë hidhërime e kobe solli.

dhe para kohe në skëterrë gremisi

me mijra shpirtra burrërorë fatosash



Iliada



1.

Në fillim ata ishin dy. Me një të kaluar thuajse të ngjashme plot me tituj, ndere e grada. Të dy kishin qenë besnikë të një kampi, tashmë të shpërbërë.

Shqipëria sapo kishte dalë nga një epokë e errët. Vendi dukej si shtëpi e rrënuar që duhej rimëkëmbur. Dhe ata, si dy arkitektë, qëndronin përpara rrënojës, me bazën materiale pranë, por pa mjete dhe pa nje plan te qartë.

Dhe kështu të hutuar, filluan të grindeshin e të fajësonin njëri-tjetrin. Të dy përpiqeshin të krijonin një situatë të nderë. Nuk dihej nëse e bënin këtë per zhurmë a për të fituar famë, megjithëse kjo nuk u mungonte.

I pari e kishte nxjerrë vendin nga robëria, dhe urtësia i rëndonte mbi supe, ndërsa tjetri kishte pronë nje kryeqytet dhe gjithmonë kishte ëndërruar të bëhej mbret, me hir a pahir.



2.

Të gjitha këto ndiqeshin me dhimbje si brenda, edhe jashtë.

Të zhgënjyer, tani njerëzit ndjeheshin gjithashtu të lodhur dhe të gjithë thonin:

"Të përjashtohen nga pjesëmarrja në çështjet e kombit. Për sa kohë që ishin në krye, asgjë e mirë nuk mund të pritej prej tyre."

Por historianët thonë se, në këtë mes, ndodhej edhe një i tretë.

Ky nuk grindej as për post e as për shtet, por donte një pjesë, dhe Republikë e shpalli krahinën e tij. Kur e pyetën: “Ç’bëre?”, ai qeshi e tha:

“Në doni një Shqipëri të bashkuar, na vrisni të treve.”

Pak vite kaluan.

I pari e kuptoi se me grindje nuk mund të vazhdohej, u tërhoq dhe, pas disa vitesh, vdiq. Disa thonë se atë e helmuan.

Dy të tjerët vazhduan rrugën e tyre, por jo shumë gjatë. Edhe ata vdiqën, jo natyrshëm, i vranë në krye të punëve, një vit më vonë.



3.

M. E. Durham e J. Swire tregojnë se, gjatë një darke të shtruar nga Princ Vidi më 1914 në Durrës, Prenk Pasha apo Prenk Bibë Doda, kreu i Mirditës, duke iu uruar mirëserdhjen Princit, i tha atij me shaka:

“Në se doni që të keni një Shqipëri të bashkuar, ju duhet të vrisni Ismail Qemalin dhe Esad Pashën, por mos më harroni mua.” Zakonisht, fjalë të tilla i merr era, por këtë herë jo para se ato të dëgjoheshin.

Ismail Qemali vdiq në Peruxha të Italisë më 1919. Thuhet se ai u helmua, por ngjarja nuk u zbardh kurrë.

Esad Pashë Toptani u vra në Paris më 1920. Atentatori Avni Rustemi u kap, u gjykua dhe u shpall i pafajshëm nga një gjykatë franceze.

Si për të plotësuar profecinë e tij, edhe Prenk Bibë Doda vdiq më 1920. Ai u vra në pritë, ndërsa kthehej në krahinën e vet. Kreu i Mirditës nuk kishte djem dhe vendin e zuri Marka Gjoni, i cili gëzonte simpatinë e Francës.

Ndërkaq, vetëm pak vite kishin kaluar nga shpallja e Pavarësisë dhe, për herë të parë, vendi ndjehej i lehtësuar. Ishte 1920, viti i Kongresit të Lushnjes, ngjarje e cilësuar si Pavarësia e dytë e Shqipërisë.





23 Qershor 2008