Udhëheqësi i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, u është drejtuar Kombeve të Bashkuara që t’i zëvendësojnë Shtetet e Bashkuara si ndërmjetësuese në përpjekjet për arritjen e paqes në konfliktin izraelito-palestinez.


Ai i ka bërë këto komente gjatë një samiti emergjent të Organizatës për Bashkëpunim Islamik në Stamboll.


Abbas ka thënë gjatë takimit se palestinezët kanë mbetur të shokuar nga vendimi i Shteteve të Bashkuara për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.


Derisa ne kemi bashkëpunuar me ata në procesin e paqes për vite të tëra, presidenti amerikan, Donald Trump na e dha një shuplakë për të gjitha vitet, ka thënë ai.


Nuk do të pranojmë tash e tutje që SHBA-ja të ketë rol në procesin politik si ndërmjetësues, ka shtuar Abbas.


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, që ka hapur samitin u ka bërë thirrje vendeve ndërkombëtare ta njohin Jerusalemin si kryeqytet palestinez.


Shtetet e Bashkuara kanë thënë se ky vendim vetëm ka reflektuar realitetin dhe ky vendim nuk do të ndikojë në rolin që SHBA ka si ndërmjetësuese.


14 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)