Turqia pavarsisht problemeve me vendet perëndimore nuk ka hequr dorë nga synimet e saj integruese në instancat europiane. Në një intervistë për gazetën londineze ''The Times'', presidenti turk Abdullah Gyl mohoi faktin se marrëdhëniet e mira të Ankarasë me shtetet e Lindjes së Mesme, tregojnë se ajo mund të heqë dorë nga Perëndimi.

"është gabim i madh të mendosh se interesat turke në rajone të tjera gjeografike të interpretohen si largim nga Perëndimi, anashkalim i Perëndimit dhe kërkim i alternativave për Perëndimin. Turqia është pjesë e Evropës", deklaroi Gyl.

Që prej fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, para pesë vjetëve, Ankaraja ka kryer përparime të ngadalta në reformat demokratike si edhe mungesë të progresit në përmirësimin e marrëdhënieve me Qipron. Ndërkohë, Turqia ka marrëdhënie të mira me Iranin dhe Sirinë, shtete të akuzuara nga SHBA-ja dhe Evropa se mbështesin terrorizmin.

Megjithatë, Gyl tha për gazetën britanike se Turqia ka patur marrëdhënie të mira edhe me Izraelin, por e mbron vendimin për t'i ngrirë ato pas incidentit me karvanin humanitar për në Rripin e Gazës ku humbën jetën nëntë qytetarë turq.

"Si do të reagonit nëse ushtria e një shteti të huaj vret bashkëqytetarë tuaj në ujërat ndërkombëtare?", pohoi presidenti turk Gyl.