Ish-sulmuesi i Besës, më parë dhe i Partizanit, Arbër Abilaliaj, është bërë pjesë e Tiranës. Në të vërtetë vlonjati është larguar nga skuadra e Besës pas përplasjeve me presidentin Nexhat Bizhdili dhe ka kaluar te bardheblutë, fillimisht për t’u stërvitur, por, siç bëjnë theksojnë burimet pranë skuadrës, sulmuesi është de fakto pjesë e Tiranës, pra mund të konsiderohet si një blerje e parakohshme. Vetë Abilaliaj nuk është prononcuar, por informacionet e para flasin për afrimin e tij te bardheblutë, madje për ardhjen e tij janë shprehur pro të gjithë pjesëtarët e klubit, nisur dhe nga fakti se ai është një sulmues i talentuar, me të dhëna të mira teknike dhe në moshë të re. Ai konsiderohet madje si sozia e Salihit te Tirana, nisur nga ngjashmëritë teknike që ka me bomberin shkodran që ka luajtur dy sezone më parë me kryeqytetasit. Abilaliaj ishte sezonin e kaluar pjesë e Partizanit, por për shkak të aktivizimit të tij të paktë në kampionat dhe mosmarrëveshjeve që pati atëherë me ish-trajnerin Hasan Lika, braktisi të kuqtë dhe pas një epopeje të gjatë me presidentin e “Demave”, Albert Xhani, mundi më në fund të ishte i lirë dhe të kalonte në Kavajë me verdhezinjtë. Por as aty s’e gjeti si duhet veten dhe në fund vjen te Tirana, teksa është gati e garantuar që Abilaliaj do të nënshkruajë kontratë të rregullt.