SULMUESI BERATAS POHON SE EKIPIT IU MOHUA NJË PENALLTI, QË MUND TË KISHTE SJELLË TJETËR REZULTAT


Beratasit janë mundur në transfertën e Pogradecit, duke u renditur në vendin e 12-të me vetëm 1 pikë


Nga RUSHAN DOSTI


Ndryshe nga një javë më parë, kur Tomori do të rezistonte fuqishëm ndaj kampionëve të Skënderbeut, duke marrë një barazim të merituar, këtë herë janë mundur nga fqinjët e korçarëve, Pogradeci, me rezultatin minimal 1-0. Rezultati mund të kishte qenë ndryshe, nëse gjyqtari Janku nuk do të kishte mohuar një penallti të pastër për Tomorin.


Por tashmë ky takim është mbyllur dhe drejtuesve të Tomorit e vetë lojtarëve nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të bëjnë analizën e të nxjerrin mësime. Në këtë linjë është dhe sulmuesi kryesor i Tomorit, i vetmi beratas në formacionin e Daiut në Pogradec, 32-vjeçari Klodian Arbri, sipas të cilit, nëse do të ishin treguar më të qetë, mund të ishte marrë edhe një barazim.


Arbri Unë besoj se kemi një grup të mirë lojtarësh, që mund dhe duhet të marrë më shumë. Humbje jo e jo, por edhe barazimi nuk duhet pranuar. Në Pogradec kemi pasur përballë një skuadër që nuk qëndron kurrë në parametrat e lojës sonë dhe që në gjirin e saj ka lojtarë më pak cilësorë se sa kemi në të vërtetë ne. Por kjo nuk mjafton për të marrë rezultatin e dëshiruar. Duhet më shumë shpirt praktik, mbi të gjitha qetësi e siguri, të cilat duhet pranuar se në shumë raste na kanë munguar.


Nëse do të kishim luajtur më të sigurt, veçanërisht në mesfushë e sulm, edhe mund të kishim shënuar dhe do të kishim një tjetër rezultat. Nuk flas për rastin e një penalltie, që edhe mund të ishte dhënë, pasi kjo  takon gjyqtarit, por edhe për rastin e golit të pësuar, i cili me më pak vëmendje mund të ishte shmangur. Gjithsesi, tani gjithçka është mbyllur dhe ne duhet të shikojmë përpara, – thotë sulmuesi i Tomorit, Klodian Arbri.