18/04/2012  AKBN nis kontrollin për shpenzimet e bëra nga kompanitë nxjerrëse


Në maj dalin rezultat. Qëllimi: saktësimi i tatim-fitimit


Pas debateve publike dhe provave të paraqitura se kompanitë koncesionare që merren me prodhimin e naftës në vend prej 8 vjetësh nuk paguajnë tatim-fitimin, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka nisur një auditim financiar ndaj tyre. Ajo çka po shihet me lupë është zëri i shpenzimeve, aty ky dyshohet se spekulimi është më i madh. Lidhur me këtë proces drejtori i AKBN-së, Besian Pesha, thekson se ky kontroll pritet të përfundojë në muajin maj, kur do të mësohet nëse dalin apo jo me fitim kompanitë. “Ka nisur kontrolli për të gjitha kompanitë. Një proces auditimi që përfshin të gjitha kompanitë për vitin 2010–2011. Ky proces ka prekur të gjitha kompanitë që janë duke prodhuar si dhe ato që janë në proces kërkimi në det apo në tokë për sa i përket naftës dhe gazit”, - deklaroi Pesha. Por ky nuk është kontrolli i parë ndaj kompanive të naftës. Edhe pse zyrtarisht nuk bëhen të ditura konkluzionet e auditeve të mëparshme, ajo që mund të thuhet është se kontrollet kanë qenë selektive. Për vitin 2011 janë shitur rreth 900 milionë tonë naftë, vlera e së cilës arrin në 450 milionë dollarë. Drejtori i Agjencisë, Besian Pesha, thekson se janë disa arsye pse kompanitë i janë shmangur tatim-fitimit. “Marrëveshja e hidrokarbureve e ka lënë të hapur sasinë e investimeve që kompania duhet të bëjë për operacionet hidrokarbure. Që në marrëveshje duhej të ishte përcaktuar më mirë edhe periudha, edhe afatet që duhej t’i lejoheshin kompanisë për të zgjatur investimet”, - theksoi Pesha. Shqipëria filloi të japë me koncesion kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës që në vitin 1994 me anë të një ligji të posaçëm, i cili parashikon që koncesionarët të paguajnë 50 për qind tatim-fitimi në buxhetin e shtetit, pasi të jetë rikuperuar kostoja e investimit fillestar. Por marrëveshje të tilla kanë filluar të funksionojnë në vitin 2004 dhe që nga ajo kohë në treg janë rreth 4 kompani, të cilat deri më sot nuk kanë paguar asnjë lekë tatim-fitimi, duke i justifikuar bilancet e tyre me shpenzimet e larta që bëjnë për të realizuar rritjen e kapaciteteve prodhuese të naftës.


Shfrytëzimi


Kompania që do të rezultojë se ka dhënë ofertën më të mirë për blerjen e aseteve të kompanisë shtetërore të naftës “Albpetrol”, do të gëzojë të drejtën e shfrytëzimit të burimeve natyrore të naftës për 25 vjet. Pas këtij afati qeveria shqiptare ka të drejtën të rishohë kontratën për kushtet dhe afatet e puseve.


Hartat


Kompania “Albetrol” ka në zotërim edhe harta, edhe raporte të shumë studimeve gjeologjike në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke filluar që nga viti 1950. Pikërisht një ndër objektivat e kompanisë që do të privatizojë “Albpetrolin” do të jenë edhe këto harta për të pasur një pasqyrë të saktë të vendburimeve të reja.


Shell, 50 milionë USD për pusin e ri


Nafta, kompanitë “Shell” dhe “Petromana” investim prej 50 milionë dollarë


TIRANË- Kompanitë e njohura në fushën e hidrokarbureve, “Shell” dhe “Petromanas”, nisin së shpejti në Shqipëri realizimin e një investimi në vlerë 50 milionë dollarë në fushën e kërkimit të naftës. Përfaqësues të kompanive “Shell” dhe “Petromanas Energy” kanë takuar sot ministrin e Ekonomisë Nasip Naço, të cilit i kanë bërë të ditur nisjen e punës së shpejti për shpimin e pusit “Shpiragu 2” në afërsi të fshatit Mbjeshovë, komuna Sinjë në Berat. Për eksponentët e lartë të këtyre dy kompanive viti 2012 do rezultojë një vit zbulimi për sa i përket fushës së naftës. Ministri Naço siguroi përfaqësuesit e dy kompanive se nga ana e qeverisë shqiptare do krijohen gjithë lehtësitë dhe mbështetja e nevojshme për përshpejtimin e punës së dy kompanive. Për ministrin Naço zbulimi i naftës në sektorin “Shpiragu 2” gjatë vitit 2012 do të jetë një dhuratë domethënëse për shtetin shqiptar edhe në 100-vjetorin e themelimit të tij.