Gjykata e Tiranës ndryshon masën e sigurisë për dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë, Aurel Lamçe dhe Arlind Alikajn, duke i lënë në Arrest në shtëpi.


Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa masa e sigurisë u zhvillua vetëm për dy prej të ish-zyrtarëve, ndërkohe që pjesa tjetër pritet të dalin nesër në gjykatë për verifikim.


Në momentin e ndalimit, Prokuroria e Tiranës njoftoi se e mbështet akuzën e saj në gjetjet e raportit të inspektimit financiar publik dhe më pas verifikimeve të kryera nga grupi hetimor, ndërsa ka kërkuar burg për 3 prej ish-zyrtarëve , Arrest shtëpie për një tjetër dhe për 8 të tjerë, masën e sigurisë Detyrim paraqitjeje.


RAPORTI DHE SHKELJET


Hetimi është kryer për 5 tenderë, ndërsa nga raporti i inspektimit financiar që disponon gazeta Panorama, renditen një sërë shkeljesh të kryera nga institucioni dhe kompanitë private, të cilat kanë dalë fituese në tenderë. Kështu, referuar raportit për tenderin Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale, është konstatuar se në lidhje me hartimin e specifikimeve teknike dhe llogaritjen e fondit limit, nuk rezulton të jetë ngritur grup pune për të bërë vlerësimin. Nuk argumentohet dhe nuk dokumentohet përgatitja e tyre, e parashikuar në ligj, shkruhet në raport.


Gjithashtu, sipas raportit, edhe urdhri i prokurimit ka dalë në kundërshtim me nenin 60 Urdhri i Prokurimit, të VKM-së Për miratimin e rregullave të prokurimit publik, sepse duke qenë kontratë shumëvjeçare, nuk përmban fondin e llogaritur të vitit buxhetor. Një tjetër shkelje e konstatuar në raport është vendosja e znj.Marsuela Aliaj, me detyrë funksionale përgjegjëse e sektorit të prokurimeve, në rolin e anëtarit të KVO.


 


Referuar të dhënave të raportit, kjo është në kundërshtim më përcaktimet e nenit 58 të VKM Nr. 914/2014 Për miratimin e rregullave të prokurimit publik, ku parashikohet: Komisioni i vlerësimit të ofertave nuk kryen asnjë veprim tjetër, përveç atyre të përcaktuara shprehimisht në këto rregulla.


Ndërkohë, Njësia e Prokurimit ka filluar procedurat zyrtare të prokurimit, pa pasur më parë një miratim të Degës së Thesarit në lidhje me fondet e disponueshme, duke e anashkaluar këtë kontroll, pasi urdhri i prokurimit është hartuar me vlerë më të lartë se fondi në dispozicion. Investimi i kryer nga Ministria e Drejtësisë për kontratën Përmirësimi i Sistemit të Mbikëqyrjes elektronike në fushën penale nuk e ka realizuar objektivin dhe qëllimin për të cilin projekti u implementua, duke krijuar efekte financiare negative, me pasojë krijimin e dëmit ekonomik në vlerën 150.000.000 lekë, të përfituar padrejtësisht nga kontraktorët zbatues, përfundon raporti për këtë tender.


SISTEMI ICMIS


Në lidhje me tenderin Mirëmbajtje dhe Zhvillim i Sistemit ICMIS (Gjykatave Administrative), sipas raportit, fondi limit i vendosur në urdhrin e prokurimit në vlerën 12 405 400 lekë (pa TVSH), është i pa analizuar, i paargumentuar dhe i pavlerësuar. Po ti referohemi llogaritjes së mesatares së tri ofertave me vlerë më të ulët, fondi limit do të rezultonte në vlerën 8 582 497 lekë, pra më i ulët.


Duke mos bërë një proces të tillë vlerësimi dhe mirë-argumentimi të fondit limit, duke marrë në konsideratë ofertat e paraqitura, eksperiencën e kontratave të ngjashme dhe ofertat e tregut të marra për këtë procedurë prokurimi, fondi limit nuk do të rezultonte në vlerën e publikuar në shumën 12 405 400 lekë, por në vlerën 8 582 494 lekë dhe 10 298 992 lekë, argumentohet në raport. Pra, si rezultat, mos-analizimi i elementëve të sipërcituar ka rritur në mënyrë fiktive vlerën e fondit limit të prokuruar, në shumën 3 822 906 lekë në kundërshtim me ligjin.


Një tjetër shkelje në lidhje me këtë tender është edhe fakti se kontratës i mungon ajo që konsiderohet si MARRËVESHJE NIVELI SHERBIMI-SLA, e cila është ofrimi i shërbimit të mirëmbajtjes dhe asistencës teknike autoritetit kontraktor nga kontraktuesi. Lidhja e kësaj kontrate është e parashikuar nga VKM nr. 710, Për krijimin dhe funksionimin e sistemeve të ruajtjes së informacionit, vazhdueshmërisë së punës dhe marrëveshjeve te nivelit te shërbimit.