Në skandalin e përfitimit të 56 ha prona shtetërore dhe të ushtrisë, duke falsifikuar dokumente, nuk është i përfshirë vetëm Idlir Karkini , biznesmeni i identifikuar si miku i politikanëve, tashmë në kërkim. Një tjetër personazh vip i përfshirë përfundon në pranga në operacionit “Ranishtja 2”: bëhet fjalë për noterin shumë të njohur në Tiranë, Julian Zhelegu.


Sipas akuzës, noteri Zhelegu ka kryer aktet noteriale nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, duke kaluar në pronësi të biznesmenit Idlir Karkini “Poligonin e Qitjes së Ushtrisë” në Spille. Julian Zhelegu njihet si noteri i VIP-ave në kryeqytet.


Me zyrën në zonën e Ish-Bllokut, një nga zonat më të pasura e më të shtrenjta në Tiranë, Zhelegu kishte arritur që të kishte si klientë të tij, disa prej biznesmenëve më të fuqishëm në vend, politikanë e shumë personazhe të tjerë publikë.


Noteri Julian Zhelegu


Gjithashtu, noteri Zhelegu është certifikuesi edhe i shumë shit-blerjesh apo privatizimesh të pronave shtetërore apo shërbimeve publike. Ai ishte konsideruar si noteri i besuar nga shumë bankat. Transaksionet e kryera nga zyra e noteri Julian Zhelegut në emër të politikanëve, biznesmenëve të njohur apo kompanive të mëdha kalojnë vlerat e miliarda eurove, duke u kthyer në noterin e përzgjedhur të shumë personazheve të njohur.


Me një karrierë në Noteri për 15 vite, Zhelegu ka qenë shpesh herë në qendër të vëmendjes edhe për të shkuarën e tij. Ai rezulton se është ndaluar nga policia në vitin 2002 kur punonte në Doganën e Durrësit, për një rast në trafikim të mallrave kontrabandë dhe më pas u hetua në gjendje të lirë. Më 9 dhjetor të vitit 2002, kur Zhelegu punonte në Doganën e Portit të Durrësit, Policia goditi një rast trafiku, duke bllokuar një valixhe me 91 celularë kontrabandë që vinin nga Bari.


Në këtë ditë u ndalua ish-kreu i doganës së Durrësit, Aurel Fejzullahu, dhe vartësve të tij. Pas largimit nga detyra si doganier Zhelegu nis karrierën e suksesshme si çertifikues i drejtësisë deri ditën e djeshme kur në rrjetën e parë dhe më të rëndësishme të bërë deri më tani nga Prokuroria ndaj peshqve të mëdhenj përfundon ai dhe super biznesmeni Idlir Karkini. Zhelegu ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa Idlir Karkini është shpallur në kërkim. (Shqiptarja.com)